Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, pati sot një takim shumë të ngrohtë me pjesëmarrësit e Seminarit XXVI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili po mbahet këto ditë në Prishtinë (13 – 24. 8. 2007).
Duke e çmuar lart rolin e Seminarit gjatë gjithë këtyre viteve për afirmimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, Presidenti Sejdiu tha se Seminari ka qenë që nga fillimet një nismë e mbarë, ndërsa sot paraqet pa dyshim njërën ndër veprimtaritë më të rëndësishme jo vetëm për studimet albanologjike, por edhe për kulturën dhe shkencën shqiptare në përgjithësi.I pyetur nga seminaristët për gjendjen politike dhe vizionin e institucioneve të Kosovës për të ardhmen e vendit, Presidenti Sejdiu prezantoi edhe një herë qëndrimin e Prishtinës zyrtare.“Ne kemi një vizion të qartë për të ardhmen e vendit, që mbështetet në vullnetin politik të popullit të Kosovës për pavarësi dhe sovranitet të plotë”, tha Presidenti Sejdiu, duke shtuar se kjo do të ishte zgjidhja me e mirë për të gjithë rajonin, meqë do të krijonte kushte për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në gjithë rajonin.“Pavarësia është kërkesë jona e natyrshme, sepse edhe ne, si secili popull tjetër, duam të jetojmë të lirë dhe të kemi mundësinë që të integrohemi në bashkësinë e popujve të qytetëruar të Evropës”, tha Presidenti. Sipas tij, Kosova e intergruar në BE dhe në NATO është një shans real, për të cilin të gjitha subjektet politike të vendit janë në ujdi të plotë.Ndërkaq, i pyetur për procesin e tanishëm politik, kur tashmë kanë nisur bisedimet e quajtura 120-ditëshe, Presidenti theksoi se Kosova do ta shfrytëzojë edhe këtë periudhë kohore për ta argumentuar fuqishëm opsionin e vet për pavarësinë e vendit, e cila me të drejtë mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera të botës demokratike.“Gjatë gjithë procesit ne kemi qenë pale shumë konstruktive dhe kemi dhënë përkushtimin tonë për t’i respektuar të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë, të cilat në shumë aspekte i tejkalojnë edhe standardet më të larta evropiane. Por, ne jemi të vendosur ta themi se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme, se tërësia tokësore e saj është e patjetërsueshme, ndërsa pakoja e Ahtisarit është kaptinë e mbyllur”, pohoi ai. Në emër të seminaristëve të shumtë, që edhe sivjet kanë ardhur pothuajse nga të gjitha kontinentet, Presidentin për mikpritjen dhe mbështetjen e parazervë e falënderoi drejtori i Seminarit, prof. dr. Imri Badallaj, i cili, me këtë rast i dhuroi atij edhe botimet e fundit të Seminarit, të cilat sublimojnë arritjet e fundit në fushë të albanologjisë.Në këtë takim, me pyetje të ndryshme për Presidentin, si dhe me diskutime të veçanta u angazhuan studiues të ndryshëm nga viset arbëreshe të Italisë, nga Gjermania, Polonia, Rusia etj. Ata dëshmuan njohje të gjerë jo vetëm të çështjeve albanologjike me të cilat merren, por edhe të proceseve politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova.