DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu priti shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, z. Robert Hageman

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti sot z. Robert Hageman, shef i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, me të cilin bisedoi për çështjet aktuale të zhvillimit ekonomik dhe të qëndrueshmërisë ekonomike të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, në veçanti, theksoi të arriturat që i ka bërë Kosova në sistemin e ri dhe të qëndrueshëm bankar, në futjen tonë të suksesshme në eurozonë, stabilizimin buxhetor dhe atë monetar. Por, ai gjithashtu tha se Kosova po ballafaqohet me vështirësi të caktuara sa i përket përballimit buxhetor të nevojave në disa sfera specifike, siç është ajo e arsimit dhe e shëndetësisë. Në këtë takim u pohua se organizimi i Konferencës së Donatorëve për Kosovën duke përfshirë edhe organizimin e një konference preliminare, në të cilën do të shpreheshin potencialet financiare të vendeve anëtare për të ndihmuar financiarisht, sidomos në investimet publike kapitale, do të ishte një mbështetje domethënëse për vendin tonë.Përfaqësuesit e Fondit Monetar shprehën kënaqësinë e tyre për bashkëpunimin e deritanishëm shumë të mirë me Qeverinë e Kosovës në përgatitjen e Memorandumit të bashkëpunimit dhe të buxhetit për vitin 2008. Ata veçuan nevojën e respektimit të kornizave makroekonomike, në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëri afatgjatë e buxhetit dhe parakushte të nevojshme për zhvillim më të shpejtë ekonomik. 

This site is registered on wpml.org as a development site.