Zotëria i Parë merr pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës në Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it amerikan

Camp Bondsteel, 30 qershor 2025 — Sot, në një ceremoni zyrtare të mbajtur në Camp Bondsteel, u realizua bartja e autoritetit në kuadër të Komandës Rajonale Lindje të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, nga kontingjenti amerikan i 41st Infantry Brigade Combat Team – KFOR 34, te kontingjenti pasardhës, 256th Infantry Brigade Combat Team – KFOR 35. Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu, falënderoi Kolonelin Peter D. Helzer nga Garda Kombëtare e Oregonit për shërbimin e tij të shkëlqyer dhe përkushtimin e trupave amerikane gjatë mandatit në Kosovë, si dhe i uroi mirëseardhje dhe sukses Kolonelit Jonathan D. Lloyd nga Garda Kombëtare e Luizianës në udhëheqjen e kontingjentit të ri. Në kuadër të ceremonisë, Zotëria i Parë zhvilloi një bisedë të veçantë me Gjeneralmajor Levon E. Cumpton, Zëvendëskomandant i Komandës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë dhe me Komandantin e KFOR, Gjeneralmajor Enrico Barduani. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes është shtyllë jetike e sigurisë kombëtare dhe e ekzistencës shtetërore të Kosovës. Kjo aleancë strategjike, e ndërtuar mbi besim dhe vlera të përbashkëta, garanton jo vetëm paqen në vend, por edhe rolin e Kosovës si faktor i qëndrueshmërisë në rajon, në përputhje me vizionin transatlantik të ShBA-së në Ballkan.
Presidentja: Nëntogere Vesa Ibrahimi, oficere e FSK-së, ka hyrë në histori si gruaja e parë nga jashtë Amerikës që ka diplomuar ndonjëherë në Ranger School

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Nëntogere Vesa Ibrahimi, oficere e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka hyrë në histori si gruaja e parë nga jashtë Amerikës që ka diplomuar ndonjëherë në Ranger School, një nga trajnimet më sfiduese dhe prestigjioze të Ushtrisë Amerikane. Presidentja Osmani ka shkruar: Një kapitull i ri i shkruar me guxim dhe përkushtim! 🇽🇰🇺🇸 Nëntogere Vesa Ibrahimi, oficere e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka hyrë në histori si gruaja e parë nga jashtë Amerikës që ka diplomuar ndonjëherë në Ranger School, një nga trajnimet më sfiduese dhe prestigjioze të Ushtrisë Amerikane. Kjo arritje e jashtëzakonshme është fitore për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për shtetin tonë, si dhe për çdo vajzë që ëndërron t’i prijë rrugës së shërbimit ndaj atdheut. Urime, Nëntogere Ibrahimi! Kosova është krenare me ty dhe me të gjitha vajzat dhe djemtë tanë në uniformë!
Presidentja: Nga 350 uniforma, një zë i vetëm: për Kosovën!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Ushtria jonë rritet me guxim, ndërsa Kosova ecën përpara me krenari! Presidentja Osmani ka shkruar: Nga 350 uniforma, një zë i vetëm: për Kosovën! Ushtria jonë rritet me guxim, ndërsa Kosova ecën përpara me krenari!
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin gjerman Jörn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde. Në fokus të takimit ishin zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë te procesi i konstituimit të institucioneve të reja. Me këtë rast, u diskutua edhe për implikimet e moskonstituimit të institucioneve në procese të tjera të rëndësishme për vendin. Gjatë diskutimit, u trajtuan gjithashtu mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, në dritën e një qeverie të re në Gjermani, si dhe për angazhimin e përbashkët në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë. Presidentja Osmani falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe rikonfirmoi gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në dobi të të dyja vendeve.
Presidentja Osmani uron ditën e komunitetit egjiptian në Kosovë

Me rastin e ditës së komunitetit egjiptian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim kryetarin e partisë Liberale Egjiptiane, z. Veton Berisha dhe përfaqësues të komunitetit egjiptian. Presidentja Osmani uroi të gjithë qytetarët e komunitetit egjiptian për këtë ditë të veçantë dhe theksoi rëndësinë e vazhdueshme të kontributit të tyre në ndërtimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë. Ajo vlerësoi rolin aktiv të komunitetit egjiptian në jetën institucionale të vendit, si dhe përkushtimin e tyre për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Në këtë ditë simbolike, Presidentja riafirmoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar të drejta të barabarta dhe përfshirje të plotë për të gjitha komunitetet pa dallim, si pasuri e përbashkët e shtetit tonë.
Presidentja Osmani priti në takim të dërguarin e posaçëm të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, z. Eirik Nestås Mathisen. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë, si dhe për rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme norvegjeze në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për përkrahjen e pandërprerë që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në secilën fazë të shtetndërtimit, duke theksuar se kjo mbështetje është kyçe në përpjekjet e vazhdueshme për integrim në strukturat euroatlantike. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë që Kosova të bëhet sa më parë anëtare e Këshillit të Evropës, si dhe të ecë përpara në procesin e integrimit euroatlantik. Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu edhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet dy vendeve, si dhe u riafirmua përkushtimi për thellimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë.
Presidentja Osmani: Distria – Numër 1 në botë!

Distria Krasniqi, është renditur në vendin e parë në ranglistën botërore të xhudos në kategorinë e femrave. “Distria – Numër 1 në botë!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani për nder të Ditës së Çlirimit të Istogut, nën patronatin e së cilës u bë përurimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve të Komunës së Istogut, në fshatin Vrellë

I nderuar Kryetar i Komunës, z. Ilir Ferati, Të nderuar përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, I nderuar ish-Kryeministër Haradinaj, Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Të nderuar veteranë e invalidë të UÇK-së, Familjarë të dëshmorëve, Shumë të dashur fëmijë, nipa e mbesa të dëshmorëve, Të nderuar të pranishëm, Kombet sikurse ky i yni rilindin çdo herë nëpërmjet dëshmorëve. Prandaj, sot jemi mbledhur në fshatin Vrellë të Istogut në këtë tokë që frymon me krenari e dhimbje, për t’u përkulur me nderim para dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për t’u përkulur të gjithë së bashku para bijve dhe bijave më të denjë të Kombit tonë, të cilët u flijuan për lirinë të cilën e gëzojmë sot. Në këtë muaj të shenjtë për ne në Qershorin e çlirimit, kur para 26 vitesh Kosova me vrullin e UÇK-së përmbylli rrugën e lirisë me ndihmën e aleatëve tanë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e përurojmë këtë memorial, i cili do të jetë përjetësisht dëshmi e gjakut të derdhur, dëshmi e trimërisë dhe e lavdisë, e cila nuk do të zbehet asnjëherë. Vrellën, Istogun dhe Kosovën e nderon sot historia. Na nderojnë këta emra të pavdekshëm, që u rreshtuan në radhët e UÇK-së për lirinë dhe për shtetin tonë. Dëshmorët tanë u ngritën mbi çdo frikë, mbi çdo pengesë e mbi çdo cenim të dinjitetit njerëzor. Ata i treguan botës se Kosova ka bijë e bija, që e duan këtë tokë më shumë se sa vetveten. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte zemra e rezistencës sonë kombëtare. Ishte betimi i përgjakur i një populli, që për dekada u mohua, u përbuz dhe u persekutua, por kurrë nuk u përkul para okupatorit. UÇK-ja ishte vullkani i një populli, që deshi të jetojë i lirë në tokën e vet. Në këtë memorial do të qëndrojnë jo vetëm trupat e dëshmorëve, por edhe një pjesë e themelit të shtetit tonë, në fakt themelet më të forta të shtetit tonë. Këtu prehen premtimet, që heronjtë lanë përgjysmë për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe me drejtim të qartë euroatlantik. Të nderuar të pranishëm, Istogu me rrethinë nuk është vetëm vend i luftës, i sakrificës dhe i çlirimit, por edhe truall i urtësisë, i vizionit dhe i prijësve që i dhanë drejtim fatit të kombit tonë. Kjo tokë e bekuar, përveç dëshmorëve të shumtë që dhanë jetën për liri, lindi po ashtu edhe figurën emblematike të historisë sonë moderne Presidentin historik, dr. Ibrahim Rugova arkitektin e shtetësisë sonë, i cili me urtësi dhe vizion ndërtoi së bashku me UÇK-në themelet e Republikës sonë. Lufta heroike e UÇK-së dhe Presidenti Rugova ishin ata që i hapën rrugë për miqësi e themele të forta shtetit tonë. Këta titanë na mësuan se liria fitohet atëherë kur kombi bashkohet. Atëherë kur përballë padrejtësisë qëndron shpirt i pathyeshëm, dinjitet i palëkundur dhe vullnet i pashuar për të jetuar i lirë. Nëse duam ta nderojmë me të vërtetë gjakun e dëshmorëve, atëherë duhet të jemi të denjë për sakrificën e tyre. Duhet ta mbrojmë lirinë çdo ditë e ta mbrojmë si vlerë, jo si privilegj. Të punojmë çdo ditë për shtet ligjor, për mirëqenie, dinjitet njerëzor dhe për mbrojtje të çdo pëllëmbe të shtetit tonë, i cili është arritur me gjak. Duhet të kujtojmë gjithmonë se pa luftën e UÇK-së dhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të NATO-s dhe aleatëve të tjerë, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot, një shtet i lirë sovran që ecën me hapa të sigurt drejt familjes së kombeve të qytetëruara. Në këtë ditë të paharrueshme nga Vrella e Istogut duhet të jehojë një falënderim i përjetshëm! Lavdi dëshmorëve tanë të pavdekshëm! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Rrnoftë Republika e Kosovës! I përjetshëm kujtimi për dëshmorët e kombit dhe për të gjithë të rënët tanë!
Presidentja: Një sukses i jashtëzakonshëm e inspirues nga Koshi Group në Prizren, një simbol i vërtetë i inovacionit dhe mjeshtërisë, krenarisht i bërë në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani ka vizituar sot kompaninë Koshi Group në Prizren. Presidentja Osmani ka shkruar: A e keni ditur se në Kosovë prodhohen edhe anije? Made in Kosova, gati për botën! Një sukses i jashtëzakonshëm e inspirues nga Koshi Group në Prizren, një simbol i vërtetë i inovacionit dhe mjeshtërisë, krenarisht i bërë në Kosovë. Nga veturat elitare sportive deri te barkat e jahtet më moderne, puna e tyre përfshin industri dhe kontinente të tëra. Kur talenti kosovar bashkohet me punën e palodhshme dhe inovacionin, nuk ka kufi për atë që mund të arrihet.
Një delegacion nga Fondacioni Arbëresh, me ftesë të Presidentes Osmani realizoi një vizitë zyrtare në Kosovë

Një delegacion nga Fondacioni Arbëresh, me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani realizoi një vizitë zyrtare në Kosovë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe thellimin e lidhjeve historike e kulturore ndërmjet komunave arbëreshe me Kosovën. Delegacioni u kryesua nga z. Ernesto Madeo, Komisioner i Fondacionit dhe Kryetar i Bashkisë San Demetrio Corone, dhe përbëhej nga përfaqësues të nivelit të lartë institucional dhe kulturor të komunitetit arbëresh, përfshirë kryetarë të bashkive San Cosmo Albanese, Frascineto, Cerzeto dhe Caraffa di Catanzaro. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, delegacioni zhvilloi takime në institucionet më të rëndësishme të vendit, përfshirë Presidencën e Kosovës, Komunën e Prishtinës, Universitetin e Prishtinës, kolegjin UBT si dhe institucione të tjera arsimore e kulturore. Po ashtu, u realizuan vizita në lokalitete të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike, si: Biblioteka Hivzi Sylejmani, Muzeu Etnologjik, Katedralja e Prishtinës, Parku Arkeologjik Ulpiana, si dhe objekti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Delegacioni realizoi vizitë edhe në: Novobërdë, Letnicë, Stubëll, Ferizaj, Suharekë dhe Prizren. Në takimet e zhvilluara, u shpreh interesimi i ndërsjellë për të vendosur bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të institucionalizuar mes komunave arbëreshe dhe institucioneve në Kosovë, në fusha me interes të përbashkët si arsimi, kultura, diaspora, zhvillimi ekonomik dhe bujqësia. U diskutua mundësia e përfshirjes së studentëve arbëreshë në institucionet arsimore në Kosovë me kuota të veçanta, si dhe vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta mes universiteteve, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit. Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni mori pjesë edhe në shënimin e Ditës së Çlirimit të Komunës së Prishtinës dhe në Panairin e Librit, duke shprehur vlerësimin për ftesën dhe për mikpritjen institucionale. Gjithashtu, përfaqësuesit arbëresh shprehën gatishmërinë për të forcuar shkëmbimet kulturore dhe për të ndërtuar platforma të përbashkëta në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në të gjitha trevat ku jeton komuniteti arbëresh.