DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Një delegacion nga Fondacioni Arbëresh, me ftesë të Presidentes Osmani realizoi një vizitë zyrtare në Kosovë

Një delegacion nga Fondacioni Arbëresh, me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani realizoi një vizitë zyrtare në Kosovë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe thellimin e lidhjeve historike e kulturore ndërmjet komunave arbëreshe me Kosovën.

Delegacioni u kryesua nga z. Ernesto Madeo, Komisioner i Fondacionit dhe Kryetar i Bashkisë San Demetrio Corone, dhe përbëhej nga përfaqësues të nivelit të lartë institucional dhe kulturor të komunitetit arbëresh, përfshirë kryetarë të bashkive San Cosmo Albanese, Frascineto, Cerzeto dhe Caraffa di Catanzaro.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, delegacioni zhvilloi takime në institucionet më të rëndësishme të vendit, përfshirë Presidencën e Kosovës, Komunën e Prishtinës, Universitetin e Prishtinës, kolegjin UBT si dhe institucione të tjera arsimore e kulturore. Po ashtu, u realizuan vizita në lokalitete të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike, si: Biblioteka Hivzi Sylejmani, Muzeu Etnologjik, Katedralja e Prishtinës, Parku Arkeologjik Ulpiana, si dhe objekti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Delegacioni realizoi vizitë edhe në: Novobërdë, Letnicë, Stubëll, Ferizaj, Suharekë dhe Prizren.

Në takimet e zhvilluara, u shpreh interesimi i ndërsjellë për të vendosur bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të institucionalizuar mes komunave arbëreshe dhe institucioneve në Kosovë, në fusha me interes të përbashkët si arsimi, kultura, diaspora, zhvillimi ekonomik dhe bujqësia. U diskutua mundësia e përfshirjes së studentëve arbëreshë në institucionet arsimore në Kosovë me kuota të veçanta, si dhe vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta mes universiteteve, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit.

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni mori pjesë edhe në shënimin e Ditës së Çlirimit të Komunës së Prishtinës dhe në Panairin e Librit, duke shprehur vlerësimin për ftesën dhe për mikpritjen institucionale. Gjithashtu, përfaqësuesit arbëresh shprehën gatishmërinë për të forcuar shkëmbimet kulturore dhe për të ndërtuar platforma të përbashkëta në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në të gjitha trevat ku jeton komuniteti arbëresh.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.