Presidentja Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Pas festës për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve që u mbajt mbrëmë në ambasadën amerikane, Presidentja Osmani e uroi edhe një herë znj. Prattipati në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke ritheksuar mirënjohjen e thellë për mbështetjen e palëkundur amerikane përgjatë viteve. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në ciklin e ri të konsultimeve me partitë politike lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25. Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati diskutuan për çështje të ndryshme në kuadër të bashkëpunimit bilateral, duke rikonfirmuar përkushtimin për avancimin tutje të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

Presidentja Osmani mbajti takime konsultative me liderët e Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, subjektet e tjera i takon ditëve në vijim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka filluar më një cikël të ri konsultimesh lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25. Sot, takimet e para janë mbajtur me Kryeministrin në detyrë, njëherësh, kryetar i Vetëvendosjes, z.Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z.Memli Krasniqin, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z.Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Ramush Haradinaj. Liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit. Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione. Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës.

Presidentja: 2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës

2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë. Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë. Kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë. Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane.

Presidentja Osmani priti në takim komandantin në largim dhe atë të ri të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it amerikan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it amerikan (KFOR 34), kolonelin Peter Helzer nga Garda Kombëtare e Oregonit, si dhe komandantin e ri të kësaj komande (KFOR 35), kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës. Presidentja Osmani e falënderoi kolonelin Helzer për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke e vlerësuar lart kontributin e tij në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Me këtë rast, ajo i ndau atij një Mirënjohje Presidenciale si shenjë respekti dhe falënderimi për angazhimin e tij të çmuar. Në vijim të takimit, Presidentja i uroi mirëseardhje kolonelit Lloyd, duke e siguruar atë për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen më të thellë në emër të popullit të Kosovës për mbi 26 vjet të pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it, një prani që ka qenë jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Ajo vlerësoi lart përkushtimin e vazhdueshëm të ushtarakëve amerikanë në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të sigurisë së përbashkët. Në përmbyllje, Presidentja ritheksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e palëkundur dhe për partneritetin strategjik, i cili vazhdon të forcojë themelet e paqes dhe sigurisë në rajon.

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadoren e Estonisë në Kosovë, Janne Jõesaar-Ruusalu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadoren jorezidente të Republikës së Estonisë në Kosovë, znj. Janne Jõesaar-Ruusalu, me rastin e përfundimit të mandatit të saj diplomatik. Gjatë takimit, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadoren Jõesaar-Ruusalu për angazhimin e saj të çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Estonisë. Ajo u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin në fushat e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike, ndërkaq ripërsëriti iniciativën e saj për thellim të raporteve me Estoninë në fushën e mbrojtjes. Presidentja Osmani po ashtu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Në fund, Presidentja Osmani i uroi ambasadores Jõesaar-Ruusalu suksese të mëtejshme në angazhimet e saj të ardhshme diplomatike.

Me iniciativë të Presidentes Osmani dhe me mbështetjen e shtetit të Katarit, invalidët e luftës do të pajisen me proteza ortopedike të avancuara

Falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, dhe me mbështetjen e Qatar Fund for Development në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe të Katarit, kanë filluar ekzaminimet mjekësore në Kosovë për invalidët e luftës, si pjesë e një projekti që do t’i pajisë ata me proteza ortopedike të avancuara dhe trajtim mjekësor të specializuar. Ky projekt përfaqëson më shumë sesa ndihmë mjekësore—është një akt konkret falënderimi për ata që kanë sakrifikuar gjymtyrët e tyre për lirinë e Kosovës. Ata nuk kanë humbur vetëm një pjesë të trupit, por kanë bërë sakrificën më të dhimbshme në ndjekje të idealit më të lartë: lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë. Kjo iniciativë është dëshmi e përkushtimit të palëkundur të Presidentes për të qëndruar pranë atyre që kanë dhënë gjithçka për shtetin tonë, duke e shndërruar kujdesin ndaj tyre në një prioritet kombëtar dhe moral. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë ndaj Qatar Fund dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit për këtë mbështetje të jashtëzakonshme, duke theksuar se kujdesi për invalidët e luftës është një detyrim moral, shtetëror dhe njerëzor. Ky bashkëpunim po ashtu forcon marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit, duke dëshmuar se solidariteti ndërkombëtar, i mbështetur nga udhëheqja e Presidentes, mund të sjellë ndryshime të prekshme dhe dinjitoze në jetën e atyre që mbrojtën lirinë me sakrificën më të lartë.

This site is registered on wpml.org as a development site.