Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve në Panairin Multikulturor për Fëmijë – “Trashëgimia nëpërmjet Duarve të Vogla”, të organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës

Shumë të dashur fëmijë, mirë se keni ardhur sot në Presidencën e Republikës së Kosovës dhe urime të gjithëve 1 Qershori nga zemra! Të nderuar prindër, Të nderuar edukatorë, Të nderuar përfaqësues të institucioneve, Ambasadorë, Shumë të dashur qytetarë, Një Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve na kujton të gjithëve, siç po e shohim edhe sot nga prezenca e fëmijëve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, se ata nuk janë vetëm e ardhmja jonë, por janë edhe e tashmja jonë. Ata janë drita e çdo familjeje, gëzimi i çdo shoqërie dhe arsyeja e fortë për ta ndërtuar një të ardhme edhe më të sigurt, edhe më të ndritshme në vendin tonë. Në këtë ditë të veçantë, ku janë mbledhur fëmijë nga të gjitha viset në Kosovë dua ta përsëris një mesazh, që e theksoj çdoherë që flas për fëmijët tanë, kujdesi për fëmijët nuk është vetëm detyrë prindërore apo institucionale, por është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë shoqërisë sonë. Të gjithë fëmijët tanë, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie tjetër, meritojnë një fëmijëri të lumtur, arsim cilësor, ambient të sigurt dhe mbi të gjitha një jetë me dinjitet. E ardhmja jonë si shoqëri matet pikërisht nga mënyra se si i trajtojmë fëmijët tanë. Kjo nënkupton më shumë investime në arsim, më shumë përkujdesje për shëndetin e tyre, më shumë mbrojtje nga dhuna, më shumë dashuri dhe mundësi për secilin prej tyre, në mënyrë që të ëndërrojnë dhe t’i përmbushin ëndrrat e tyre. Prandaj, të gjithë duhet ta rrisim përkushtimin tonë që zëri i fëmijëve të dëgjohet edhe më shumë në çdo vendim, në çdo politikë dhe të drejtat e tyre të mbrohen në angazhimin tonë të përditshëm, në mënyrë që vendi ynë të jetë një shtëpi e madhe, ku çdo fëmijë ndihet i sigurt dhe i përfshirë. Duhet ta themi jo vetëm sot por çdo ditë, se mbrojtja e fëmijëve nuk është vetëm një detyrim moral dhe ligjor, por është themeli i paqes së qëndrueshme dhe i zhvillimit të qëndrueshëm. Prandaj, le t’i japim secilit fëmijë atë që e meriton: dashuri, vëmendje, mbrojtje dhe mundësi. Sot, siç e përmenda kemi fëmijë nga të gjitha komunitetet, por edhe policët dhe ushtarakët tanë, që sot janë prezentë i përfaqësojnë të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën tonë dhe ata sigurohen çdo ditë që ju të ndiheni të mbrojtur dhe të barabartë. E përderisa po flasim për fëmijët, ne asnjëherë nuk i harrojmë ata që dhanë gjithçka dhe kontribuuan shumë në mënyrë që sot fëmijët tanë të jetojnë të lirë. Një prej njerëzve që ka dhënë më së shumti që të dëgjohet zëri i popullit të Kosovës është Ambasadori William Walker, të cilit sot edhe ia urojmë ditëlindjen! Wishing you a very happy birthday, and many many more! Dhe jam e bindur që koha, që e kalon sot në mesin tuaj do t’i japë edhe më shumë energji, edhe më shumë jetë, ambasadorit tonë të nderuar. Të dashur fëmijë qofshi gjithmonë të buzëqeshur, qofshi gjithmonë të shëndetshëm dhe të lirë për të realizuar ëndrrat tuaja! Urime 1 Qershori të gjithëve! Ju faleminderit!

Me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani, në Kosovë arrin Kreu i Shtetit të Antigua dhe Barbudas, Guvernatori i Përgjithshëm Sir Rodney Williams dhe Zonja e Parë Lady Sandra Williams. 🇽🇰🇦🇬

Me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani, në Kosovë arrin Kreu i Shtetit të Antigua dhe Barbudas, Guvernatori i Përgjithshëm Sir Rodney Williams dhe Zonja e Parë Lady Sandra Williams. 🇽🇰🇦🇬 Guvernatori i Përgjithshëm do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës si dhe do të jetë pjesëmarrës i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i organizuar nën udhëheqjen e Presidentes Osmani.

Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të stafit të kongresit, organizuar nga Atlantic Council

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të stafit të kongresit amerikan, organizuar nga Atlantic Council, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme dhe bipartizane nga Kongresi Amerikan, duke theksuar rolin jetik të dy dhomave të Kongresit për paqen, sigurinë dhe fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, për paqen, lirinë dhe shtetndërtimin. Ajo nënvizoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe si dhe për anëtarësimin në NATO dhe BE, duke e cilësuar integrimin euro-atlantik si një hap kyç për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, në rajon si dhe në të gjithë kontinentin evropian.

Presidentja Osmani priti në takim delegacionin e Kongresit amerikan, udhëhequr nga Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kongresistet Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan, të shoqëruara nga e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, znj. Anu Prattipati dhe delegacioni e Kongresit. Në këtë takim, përveç situatës aktuale politike dhe të sigurisë në vend, u diskutua për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus të veçantë në fushën e mbrojtjes, investimeve dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Presidentja Vjosa Osmani theksoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Ajo nënvizoi se sa herë që SHBA-ja ka qenë e përfshirë dhe ka luajtur rol aktiv në rajonin tonë, janë arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe është shënuar përparim i rëndësishëm. Po ashtu, Presidentja shprehu falënderimet më të thella për prezencën e vazhdueshme të trupave amerikane në vendin tonë, duke theksuar se ky angazhim ka qenë themelor për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në momentet më të vështira. Ajo nënvizoi se ndihma dhe mbështetja amerikane, të ofruara që nga ditët më sfiduese, janë dëshmi e miqësisë së palëkundur dhe angazhimit të përbashkët për paqen dhe prosperitetin në rajonin tonë. Duke falënderuar kongresistët për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara është po ashtu jetik për realizimin e synimeve euroatlantike të vendit, që mbeten qëllim i palëkundur për Republikën e Kosovës.  

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Hungarisë në Kosovë, László István Dux

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Hungarisë në Kosovë, z. László István Dux. Gjatë ceremonisë, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit Dux, duke theksuar faktin se Hungaria ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Presidentja Osmani vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe shprehu përkushtimin për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në arsim dhe ekonomi.

Presidentja: Në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vizitova Defender Europe ’25 – ushtrimin më të madh të këtij viti të US Army Europe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Defender Europe ’25 – ushtrimin më të madh të këtij viti të US Army Europe, ku Kosova jo vetëm që merr pjesë, por ka edhe nderin të jetë nikoqire. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vizitova Defender Europe ’25 – ushtrimin më të madh të këtij viti të US Army Europe, ku Kosova jo vetëm që merr pjesë, por ka edhe nderin të jetë nikoqire. Krah për krah me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë të NATO-s, vendi ynë po shkruan një kapitull të ri të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar. Vetëm dy ditë më parë, në SHBA, diskutuam për vizionin e përbashkët për mbrojtjen e Evropës. Sot, ky vizion po zbatohet në terren, në tokën tonë, përmes Defender Europe ’25 – një ushtrim i përmasave të jashtëzakonshme që dëshmon përkushtimin ndaj paqes dhe sigurisë. Rreth 1000 pjesëtarë të FSK-së janë të angazhuar drejtpërdrejt – profesionistë të barabartë me aleatët nga vendet më të fuqishme të botës. Ky është një mesazh i qartë: Kosova jo vetëm që kontribuon, por është e gatshme të jetë pjesë e NATO-s.

Presidentja: I urova rrugë të mbarë e suksese kontigjentit prej 152 ushtarëve të FSK-së që po udhëtonin për SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me të arritur nga SHBA, ka takuar kontigjentin prej 152 ushtarëve të FSK-së që po udhëtonin për SHBA, të cilëve u ka uruar suksese. “Sot në mëngjes, me të arritur nga SHBA, i urova rrugë të mbarë e suksese kontigjentit prej 152 ushtarëve të FSK-së që po udhëtonin për SHBA për programin e trajnimit JRTC (Joint Readiness Training Center).”, ka shkruar Presidentja Osmani.

This site is registered on wpml.org as a development site.