Bashkëpunimi i Presidencës me Emiratet e Bashkuara: Dje u inaugurua laboratori i ri në spitalin e fëmijëve, donacion i “Khalifa Foundation”

Falë angazhimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përkrahjes së vazhdueshme të donatorit tonë të rregullt, “Khalifa Foundation”, dje në Spitalin “Sheika Fatima”, është inauguruar laboratori i ri. I pajisur me teknologji bashkëkohore, ky laborator do t’i mundësojë këtij institucioni publik shëndetësor të realizojë shumicën e analizave, brenda vetë spitalit pediatrik. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e efikasitetit, cilësisë dhe qasjes së qytetarëve në shërbime më të avancuara laboratorike, me theks të veçantë tek fëmijët, të cilët janë përfituesit më të ndjeshëm dhe më të rëndësishëm të këtyre investimeve. Një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve të reja do të përdoret në repartin e neonatologjisë, aty ku kujdesi mjekësor është vendimtar për jetën e bebeve dhe nënave. Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe, në veçanti, për Lartmadhërinë e saj, Sheika Fatima bint Mubarak Al Ketbi, për kontributin e çmuar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Fjalimi i Presidentes Osmani në hapjen e “Java e Gruas 2025” me temën: “Lidershipi që Transformon”

E dashur Nensi, Të nderuar ambasadorë, Zëvendëskryeministre, Përfaqësues të institucioneve, Të nderuara deputete, I dashur ekip i NDI, Të nderuar të pranishëm, Një gjë është e qartë për ekipin tim, sa herë që afrohet Java e Gruas, ata e dinë se kjo është një ngjarje në të cilën patjetër duhet të marrë pjesë. Arsyeja për këtë lidhet ngushtë me temën bosht të këtij viti. Besoj fuqishëm se Java e Gruas nuk është thjesht një aktivitet i përvitshëm, por është një platformë. Një platformë, që përfaqëson vetë thelbin e lidershipit transformues. Jo vetëm sepse flet për lidershipin transformues, por sepse e mishëron atë përbrenda në çdo fjalë, në çdo panel, në çdo hapësirë që krijon për gratë dhe vajzat e vendit tonë. Prandaj, nuk besoj se ka vend më të natyrshëm për të folur për lidershipin që transformon, sesa këtu në Javën e Gruas, organizuar nga NDI në bashkëpunim me miqtë tanë zviceranë. Aty ku edhe vetë rrugëtimi politik, pra pikërisht këtu në Javën e Gruas u formësua, u rrit dhe u udhëzua nga vlerat dhe parimet, që qëndrojnë në themel të lidershipit të mirëfilltë. Faleminderit për punën e jashtëzakonshme që bëni dhe është gjithnjë kënaqësi që të jem në mesin tuaj! Të dashura pjesëmarrëse, Për shumë gjatë bota e ka parë lidershipin thjesht sikurse një titull, si një pozicion, si një vend në tryezë. Por, realisht lidershipi i vërtetë, ai që transformon shkon shumë përtej kësaj. Lidershipi nuk kufizohet as në objekte fizike, as në tituj, por ai gjendet në guximin, në bindjen e palëkundur, në vendimin që shpeshherë mund të duket i heshtur, por i fuqishëm për të qëndruar në këmbë, kur është më së lehti të rrish ulur, dhe për të qëndruar për parimet kur është më së lehti të shikosh anash. Për të folur dhe ngritur zërin, atëherë kur është më së lehti që të mos bësh zë fare. Për të rezistuar, atëherë kur është më së lehti për t’iu përshtatur masës. Ne në Kosovë e dimë këtë më mirë se shumëkush tjetër. Nga lufta për liri kemi ecur me bindje të plotë drejt ndërtimit të demokracisë dhe institucioneve të forta. Nga shtypja u angazhuam që më në fund të kemi zë, madje zë të fuqishëm. Nga padrejtësitë luftuam për lirinë e paqen. Dhe, në çdo hap të kësaj rruge nuk ishin vetëm burrat ata që e shtynë vendin tonë përpara. Përkundrazi ishin edhe gratë, nënat, studentet, të mbijetuarat, ëndërrimtaret, ato që i prijnë protestave, ato që luftuan për liri, ato që ndërtuan paqen, demokracinë dhe shtetin tonë. Pra, ishin gratë. Gratë, të cilat mbajtën familjet e tyre bashkë, kur gjithçka po shembej. Gratë, të cilat udhëhoqën lëvizje, shpesh pa u quajtur fare lidere. Gratë, që e riformuluan vetë kuptimin e shërbimit jo për pushtet, por për qëllim, për kauzë. Lidershipi që transformon nuk buron asnjëherë nga egoja, por nga empatia. Lidershipi që transformon nuk sundon asnjëherë, por fuqizon, fuqizon të tjerët. Nuk kërkon duartrokitje, por megjithatë kërkon ndryshim, ndryshim gjithnjë për më të mirë. Dhe mbi të gjitha, lidershipi që transformon e njeh një të vërtetë, e ajo e vërtetë është se asnjë shoqëri nuk mund të jetë plotësisht e lirë, e drejtë apo përparimtare nëse gjysma e popullatës së saj mbetet prapa. Kjo është po aq e vërtetë këtu në Prishtinë sa është në çdo cep të botës. Por të jemi të sinqertë, ky rrugëtim nuk është asnjëherë i lehtë. Edhe sot gratë që udhëheqin vazhdimisht vendosen në pikëpyetje, paragjykohen më shpejt e mbështeten më pak. Edhe sot patriarkati veshet me kostume të reja, fshihet pas titujve të tjerë, tituj më të rinj, por guxon ta thotë: pritni edhe pak. Pritni radhën tuaj! Pritni se ju jeni gra! Pritni se ende jeni të reja! Pritni se s’ju ka ardhë radha! Pritni se kjo është punë për burrat! Mos u fjalos se nuk të ka hije ti je grua, hesht e mos fol! Por, ne qëndruam gjithnjë përballë këtyre paragjykimeve. Dhe jam e bindur se kemi pritur mjaftueshëm tashmë. Lidershipi që transformon nuk pret, por vepron, është veprim. Nuk kërkon leje, por hapë dyer. Nuk shmang dallimet, por e përballon çdo dallim me vizion, me integritet dhe dinjitet. Këtë nuk e them vetëm si Presidente, por edhe si grua, si bijë, si nënë. Si grua, që më shpesh më është thënë: nuk mundesh sesa mundesh! Dhe megjithatë, përtej këtyre që i kanë dëgjuar gratë e Kosovës për dekada e madje shekuj me radhë, ato ia dolën! Sot udhëheqin, sot ndryshojnë mendje, thyejnë barriera dhe më e rëndësishmja është që ne sapo kemi filluar, më e mira është duke ardhur. Por, rrugëtimi ynë deri në këtë pikë nuk erdhi vetvetiu. Atij rrugëtimi i prijnë gra e vajza, që nuk u pajtuan kurrë me kufizimet, nuk pranuan të dorëzohen. Ato të cilat e dinin qartë, se në qoftë se duam që shoqëria jonë të ecë përpara, hapin e parë duhet ta hedhim ne vetë. Prandaj, kur flasim për lidershipin që transformon nuk kemi nevojë të shohim as përtej kufijve tanë, e as të kthehemi shumë pas në kohë. Shembuj të këtij lidershipi na rrethojnë dhe i kemi shumë pranë, madje edhe në këtë sallë. Të tilla janë gratë si Vasfije Krasniqi, Shyhrete Tahiri Sylejmani, dy gra që u shndërruan në simbol. Sepse, shndërruan dhimbjen në forcë për të ecur përpara dhe për të ndryshuar jetën e shumë grave e burrave të tjerë, që ende luftojnë në heshtje me plagët e pashërueshme. E tillë është Fahrije Hoti, e cila e ktheu humbjen në një fuqi transformuese për gjithë komunitetin e saj, për të gjitha gratë në fshatin e saj, në qytetin e saj e më tej. E tillë është Majlinda Kelmendi, e cila arriti majat e botës në xhudo dhe hapi rrugën jo vetëm për Kosovën, por edhe për xhudistet e tjera për triumfin e Distrias, të Laurës e të Nora Gjakovës. E tillë është Igo Rogova, një ikonë që i priu lëvizjeve që janë themel të transformimit të shoqërisë sonë. E shumë e shumë gra të shoqërisë

Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Gjatë takimit u diskutua për vizitën e fundit të Presidentes Osmani në SHBA, takimet e shkëlqyeshme të zhvilluara me zyrtarë të lartë të Administratës Trump, si dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët. Me këtë rast, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, përfshirë hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit me SHBA-në, me theks të veçantë në fushat e ekonomisë dhe të mbrojtjes. Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet e fundit në vend, me fokus në hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit në dritën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë.

Presidentja Osmani: Kosova është dhe do të mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme ka vizituar Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), në Riga. Presidentja Osmani ka shkruar: Kosova është dhe do të mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike. Dje, në Riga, vizitova Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM)– një institucion kyç në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe në mbrojtje të integritetit të informacionit. Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e kapaciteteve në siguri kibernetike dhe komunikim strategjik, si pjesë e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në NATO. Vazhduam tutje me një diskutim në Shtëpinë e Evropës bashkë me gra lidere dhe aktiviste në Letoni për të ndarë me to rrugëtimin e Kosovës si vend që ka përjetuar luftën, por që sot avancon përpara me gratë në qendër të çdo procesi demokratik dhe të sigurisë. Vizitën e përmbyllëm në Muzeun e Okupimit të Letonisë si një moment reflektimi të thellë mbi historinë e përbashkët të qëndresës ndaj pushtimit dhe padrejtësisë. Si Kosova, ashtu edhe Letonia, mbijetuan përmes rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Kujtesa kolektive është forca jonë – për të mos harruar të kaluarën e lavdishme dhe për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të sigurt.

Presidentja Osmani: Në takimin me Odën Ekonomike të Letonisë, prezantova potencialin që ofron Kosova për investitorët e huaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Odën Ekonomike të Letonisë, ku ka prezantuar potencialin që ofron Kosova për investitorët e huaj. Presidentja Osmani ka shkruar: Në takimin me Odën Ekonomike të Letonisë, prezantova potencialin që ofron Kosova për investitorët e huaj: qasje të lirë në disa tregje ndërkombëtare, një klimë që bazohet në sundimin e ligjit dhe inovacion, fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar, e legjislacion në përputhje të plotë me standardet evropiane. Jemi të hapur për të ndërtuar ura të reja partneriteti me Letoninë, ndërsa bashkëpunimi ekonomik mbetet ndër prioritetet kryesore.

Presidentja Osmani u prit nga Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs: Diskutime përmbajtësore dhe vullnet i përbashkët për bashkëpunim të thelluar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në takim nga Presidenti i Republikës së Letonisë, Edgars Rinkēvičs. Presidentja Osmani ka shkruar: Diskutime përmbajtësore dhe vullnet i përbashkët për bashkëpunim të thelluar. Në takim me Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs e falënderova për përkrahjen e jashtëzakonshme ndaj Kosovës në çdo fazë të shtetndërtimit dhe për zërin e fuqishëm në mbështetje të rrugës sonë euroatlantike. Ekonomia, siguria e fusha të tjera të interesit të ndërsjellë janë natyrshëm kapituj të rinj të bashkëpunimit mes dy shteteve tona që mbrojnë vlera të përbashkëta.

Presidentja: Faleminderit Presidentit Rinkēvičs dhe Republikës së Letonisë për pritjen e ngrohtë dhe miqësinë e palëkundur ndaj Kosovës!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar Presidentin Rinkēvičs dhe Republikën e Letonisë për pritjen e ngrohtë dhe miqësinë e palëkundur ndaj Kosovës! “Faleminderit Presidentit Rinkēvičs dhe Republikës së Letonisë për pritjen e ngrohtë dhe miqësinë e palëkundur ndaj Kosovës!”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Përmbledhja e vizitës së Presidentes në SHBA

Gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidentja Osmani zhvilloi takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë amerikanë dhe përfaqësues të Kongresit, për të thelluar partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani takoi: Zv. Sekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, me të cilin diskutoi për ndërtimin e kapitujve të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e Administratës Trump – me fokus në siguri, zhvillim dhe investime strategjike. Ndihmës Sekretarin në detyrë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, me të cilin u rikonfirmua përkushtimi për avancimin e partneritetit në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia. Ambasadoren Dorothy Shea, të ngarkuar me punë në Misionin e SHBA-ve në OKB, me të cilën u diskutua përkrahja amerikane për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara, si dhe fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Senatorin Andy Kim, me të cilin diskutoi forcimin e bashkëpunimit në siguri, zhvillim ekonomik dhe inovacion. Kongresistin Ritchie Torres, mik i dëshmuar i Kosovës, me të cilin u riafirmua përkushtimi i palëkundur për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. 🎙 Në Hudson Institute në Washington D.C., Presidentja mbajti fjalimin kryesor dhe mori pjesë në diskutimin për rëndësinë e lidershipit amerikan për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor. 🎓 Në Johns Hopkins University, Presidentja mori pjesë në diskutimin për rolin e Kosovës në arkitekturën globale të sigurisë dhe përforcimin e aleancës transatlantike. 🎙 Në Atlantic Council, në një tryezë të rrumbullaktë, në prani të diplomatëve e ekspertëve, Presidentja Osmani foli për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe për rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në NATO. 🎖 Në New York, Presidentja Osmani dekoroi me medalje presidenciale disa prej kontribuuesve më të mëdhenj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës – pjesëtarë të diasporës shqiptaro-amerikane që u bënë zëri, guximi dhe forca e Kosovës në ditët më të vështira. 🏆 Me ftesë të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, Presidentja Osmani mori pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga FIFA për Kupën e Botës për Klube, ku takoi personalitet të shquara nga bota e politikës e sportit. Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara – në vlera, në vizion dhe në veprim.

This site is registered on wpml.org as a development site.