Konferenca për media e Presidentes Osmani
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet më të fundit politike në vend, me theks të veçantë në rëndësinë e respektimit të rendit kushtetues dhe hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në hapat përpara drejt konstituimit të Kuvendit, në dritën e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Presidentja Osmani priti ambasadorin e Shtetit të Katarit, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ambasadorin e Shtetit të Katarit për Kosovën, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari, me të cilin diskutoi mbi avancimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy shteteve. Në takim u rikonfirmua partneriteti i shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Katarit, si dhe u diskutuan mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Në fokus të takimit ishte falënderimi i veçantë i Presidentes Osmani për mbështetjen konkrete të ofruar nga Katari për sigurimin e protezave për invalidët e luftës, një iniciativë që po realizohet nëpërmjet angazhimit të Presidentes dhe mbështetjes së institucioneve partnere në Katar. Presidentja e vlerësoi këtë hap si një shembull kuptimplotë të solidaritetit dhe humanizmit që forcon lidhjet midis dy popujve. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Al Dosari shprehën vullnetin për t`i forcuar edhe më tej lidhjet ndërmjet dy vendeve.
Presidentja Osmani priti në takim, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Aivo Orav

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi rreth situatës aktuale politike në vend dhe zhvillimeve të fundit. Në fokus të takimit ishte çështja e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, hapat e mëtejmë, ndikimi i moskonstituimit në proceset e rëndësishme për vendin, si dhe në raportet me Bashkimin Evropian. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Orav diskutuan gjithashtu për një sërë çështjesh që ndërlidhen me raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ku Presidentja ritheksoi rëndësinë e heqjes së plotë të masave të padrejta ende në fuqi, si dhe të trajtimit të aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Presidentja: Një koncert magjik, ku emocioni, kujtimi dhe dashuria për muzikën u bashkuan në një natë të paharrueshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Armend Rexhepagiqi, me zërin e tij që sfidon kohën dhe një shpirt artistik që rrëmben zemrat e shumë gjeneratave, na çoi në një udhëtim të paharrueshëm ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja. Presidentja Osmani ka shkruar: Një koncert magjik, ku emocioni, kujtimi dhe dashuria për muzikën u bashkuan në një natë të paharrueshme. Armend Rexhepagiqi, me zërin e tij që sfidon kohën dhe një shpirt artistik që rrëmben zemrat e shumë gjeneratave, na çoi në një udhëtim të paharrueshëm ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja. Faleminderit, Armend, për çdo akord që na bëri të ndiejmë emocion e nostagji dhe për krijimtarinë që sfidon kohën!
Presidentja Osmani: Në përvjetorin e Epopesë së Rahovecit, përulemi me nderim para sakrificës së dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve

Nga 17 e deri më 26 korrik 1998, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë e ekzekutuan rreth 100 gra, fëmijë e pleq, shumica të strehuar në teqenë e Sheh Myhedinit në Rahovec dhe rrethinë. Në përvjetorin e Epopesë së Rahovecit, përulemi me nderim para sakrificës së dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve. Rahoveci është plagë, dhimbje, por edhe kujtesë që na frymëzon ta çojmë përpara betejën për drejtësi. Kujtimi për viktimat është i përjetshëm, teksa zëri ynë për drejtësi nuk do të pushojë kurrë, derisa ajo të ngadhënjejë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët e UÇK-së dhe martirët e lirisë!
Presidentja Osmani priti në takim Avokatin e Popullit, z.Naim Qelaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Avokatin e Popullit, z. Naim Qelaj. Në këtë takim u diskutua për gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut në vend dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për garantimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ajo theksoi se institucionet duhet të jenë të përkushtuara në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, si mjet kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e të drejtave të njeriut. Avokati i Popullit e informoi Presidenten për çështjet më të shpeshta që adresohen në këtë institucion. Të dy palët u pajtuan për domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.
Presidentja Osmani zhvilloi takim konsultativ me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj

Në kuadër të konsultimeve me subjektet politike parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, priti sot në takim kryetarin e Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj. Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik. Presidentja Osmani theksoi se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe potencoi rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit, në interes të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit.
Presidentja Osmani: Fuqizimi i grave dhe vajzave nuk është vetëm detyrim moral, por edhe domosdoshmëri demokratike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të sivjetëm të Javës së Gruas. Presidentja Osmani ka shkruar: Asnjë shoqëri nuk mund të jetë vërtet e lirë, e drejtë apo e barabartë, nëse gjysma e popullit të saj mbetet mbrapa. Në edicionin e sivjetëm të Javës së Gruas, të organizuar nga NDI, riafirmova se fuqizimi i grave dhe vajzave nuk është vetëm detyrim moral, por edhe domosdoshmëri demokratike.