Presidentja Osmani priti në takim, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Aivo Orav

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi rreth situatës aktuale politike në vend dhe zhvillimeve të fundit. Në fokus të takimit ishte çështja e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, hapat e mëtejmë, ndikimi i moskonstituimit në proceset e rëndësishme për vendin, si dhe në raportet me Bashkimin Evropian. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Orav diskutuan gjithashtu për një sërë çështjesh që ndërlidhen me raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ku Presidentja ritheksoi rëndësinë e heqjes së plotë të masave të padrejta ende në fuqi, si dhe të trajtimit të aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Presidentja: Një koncert magjik, ku emocioni, kujtimi dhe dashuria për muzikën u bashkuan në një natë të paharrueshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Armend Rexhepagiqi, me zërin e tij që sfidon kohën dhe një shpirt artistik që rrëmben zemrat e shumë gjeneratave, na çoi në një udhëtim të paharrueshëm ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja. Presidentja Osmani ka shkruar: Një koncert magjik, ku emocioni, kujtimi dhe dashuria për muzikën u bashkuan në një natë të paharrueshme. Armend Rexhepagiqi, me zërin e tij që sfidon kohën dhe një shpirt artistik që rrëmben zemrat e shumë gjeneratave, na çoi në një udhëtim të paharrueshëm ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja. Faleminderit, Armend, për çdo akord që na bëri të ndiejmë emocion e nostagji dhe për krijimtarinë që sfidon kohën!
Presidentja Osmani: Në përvjetorin e Epopesë së Rahovecit, përulemi me nderim para sakrificës së dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve

Nga 17 e deri më 26 korrik 1998, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë e ekzekutuan rreth 100 gra, fëmijë e pleq, shumica të strehuar në teqenë e Sheh Myhedinit në Rahovec dhe rrethinë. Në përvjetorin e Epopesë së Rahovecit, përulemi me nderim para sakrificës së dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve. Rahoveci është plagë, dhimbje, por edhe kujtesë që na frymëzon ta çojmë përpara betejën për drejtësi. Kujtimi për viktimat është i përjetshëm, teksa zëri ynë për drejtësi nuk do të pushojë kurrë, derisa ajo të ngadhënjejë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët e UÇK-së dhe martirët e lirisë!
Presidentja Osmani priti në takim Avokatin e Popullit, z.Naim Qelaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Avokatin e Popullit, z. Naim Qelaj. Në këtë takim u diskutua për gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut në vend dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për garantimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ajo theksoi se institucionet duhet të jenë të përkushtuara në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, si mjet kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e të drejtave të njeriut. Avokati i Popullit e informoi Presidenten për çështjet më të shpeshta që adresohen në këtë institucion. Të dy palët u pajtuan për domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.
Presidentja Osmani zhvilloi takim konsultativ me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj

Në kuadër të konsultimeve me subjektet politike parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, priti sot në takim kryetarin e Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj. Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik. Presidentja Osmani theksoi se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe potencoi rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit, në interes të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit.
Presidentja Osmani: Fuqizimi i grave dhe vajzave nuk është vetëm detyrim moral, por edhe domosdoshmëri demokratike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të sivjetëm të Javës së Gruas. Presidentja Osmani ka shkruar: Asnjë shoqëri nuk mund të jetë vërtet e lirë, e drejtë apo e barabartë, nëse gjysma e popullit të saj mbetet mbrapa. Në edicionin e sivjetëm të Javës së Gruas, të organizuar nga NDI, riafirmova se fuqizimi i grave dhe vajzave nuk është vetëm detyrim moral, por edhe domosdoshmëri demokratike.
Bashkëpunimi i Presidencës me Emiratet e Bashkuara: Dje u inaugurua laboratori i ri në spitalin e fëmijëve, donacion i “Khalifa Foundation”

Falë angazhimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përkrahjes së vazhdueshme të donatorit tonë të rregullt, “Khalifa Foundation”, dje në Spitalin “Sheika Fatima”, është inauguruar laboratori i ri. I pajisur me teknologji bashkëkohore, ky laborator do t’i mundësojë këtij institucioni publik shëndetësor të realizojë shumicën e analizave, brenda vetë spitalit pediatrik. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e efikasitetit, cilësisë dhe qasjes së qytetarëve në shërbime më të avancuara laboratorike, me theks të veçantë tek fëmijët, të cilët janë përfituesit më të ndjeshëm dhe më të rëndësishëm të këtyre investimeve. Një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve të reja do të përdoret në repartin e neonatologjisë, aty ku kujdesi mjekësor është vendimtar për jetën e bebeve dhe nënave. Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe, në veçanti, për Lartmadhërinë e saj, Sheika Fatima bint Mubarak Al Ketbi, për kontributin e çmuar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.
Fjalimi i Presidentes Osmani në hapjen e “Java e Gruas 2025” me temën: “Lidershipi që Transformon”

E dashur Nensi, Të nderuar ambasadorë, Zëvendëskryeministre, Përfaqësues të institucioneve, Të nderuara deputete, I dashur ekip i NDI, Të nderuar të pranishëm, Një gjë është e qartë për ekipin tim, sa herë që afrohet Java e Gruas, ata e dinë se kjo është një ngjarje në të cilën patjetër duhet të marrë pjesë. Arsyeja për këtë lidhet ngushtë me temën bosht të këtij viti. Besoj fuqishëm se Java e Gruas nuk është thjesht një aktivitet i përvitshëm, por është një platformë. Një platformë, që përfaqëson vetë thelbin e lidershipit transformues. Jo vetëm sepse flet për lidershipin transformues, por sepse e mishëron atë përbrenda në çdo fjalë, në çdo panel, në çdo hapësirë që krijon për gratë dhe vajzat e vendit tonë. Prandaj, nuk besoj se ka vend më të natyrshëm për të folur për lidershipin që transformon, sesa këtu në Javën e Gruas, organizuar nga NDI në bashkëpunim me miqtë tanë zviceranë. Aty ku edhe vetë rrugëtimi politik, pra pikërisht këtu në Javën e Gruas u formësua, u rrit dhe u udhëzua nga vlerat dhe parimet, që qëndrojnë në themel të lidershipit të mirëfilltë. Faleminderit për punën e jashtëzakonshme që bëni dhe është gjithnjë kënaqësi që të jem në mesin tuaj! Të dashura pjesëmarrëse, Për shumë gjatë bota e ka parë lidershipin thjesht sikurse një titull, si një pozicion, si një vend në tryezë. Por, realisht lidershipi i vërtetë, ai që transformon shkon shumë përtej kësaj. Lidershipi nuk kufizohet as në objekte fizike, as në tituj, por ai gjendet në guximin, në bindjen e palëkundur, në vendimin që shpeshherë mund të duket i heshtur, por i fuqishëm për të qëndruar në këmbë, kur është më së lehti të rrish ulur, dhe për të qëndruar për parimet kur është më së lehti të shikosh anash. Për të folur dhe ngritur zërin, atëherë kur është më së lehti që të mos bësh zë fare. Për të rezistuar, atëherë kur është më së lehti për t’iu përshtatur masës. Ne në Kosovë e dimë këtë më mirë se shumëkush tjetër. Nga lufta për liri kemi ecur me bindje të plotë drejt ndërtimit të demokracisë dhe institucioneve të forta. Nga shtypja u angazhuam që më në fund të kemi zë, madje zë të fuqishëm. Nga padrejtësitë luftuam për lirinë e paqen. Dhe, në çdo hap të kësaj rruge nuk ishin vetëm burrat ata që e shtynë vendin tonë përpara. Përkundrazi ishin edhe gratë, nënat, studentet, të mbijetuarat, ëndërrimtaret, ato që i prijnë protestave, ato që luftuan për liri, ato që ndërtuan paqen, demokracinë dhe shtetin tonë. Pra, ishin gratë. Gratë, të cilat mbajtën familjet e tyre bashkë, kur gjithçka po shembej. Gratë, të cilat udhëhoqën lëvizje, shpesh pa u quajtur fare lidere. Gratë, që e riformuluan vetë kuptimin e shërbimit jo për pushtet, por për qëllim, për kauzë. Lidershipi që transformon nuk buron asnjëherë nga egoja, por nga empatia. Lidershipi që transformon nuk sundon asnjëherë, por fuqizon, fuqizon të tjerët. Nuk kërkon duartrokitje, por megjithatë kërkon ndryshim, ndryshim gjithnjë për më të mirë. Dhe mbi të gjitha, lidershipi që transformon e njeh një të vërtetë, e ajo e vërtetë është se asnjë shoqëri nuk mund të jetë plotësisht e lirë, e drejtë apo përparimtare nëse gjysma e popullatës së saj mbetet prapa. Kjo është po aq e vërtetë këtu në Prishtinë sa është në çdo cep të botës. Por të jemi të sinqertë, ky rrugëtim nuk është asnjëherë i lehtë. Edhe sot gratë që udhëheqin vazhdimisht vendosen në pikëpyetje, paragjykohen më shpejt e mbështeten më pak. Edhe sot patriarkati veshet me kostume të reja, fshihet pas titujve të tjerë, tituj më të rinj, por guxon ta thotë: pritni edhe pak. Pritni radhën tuaj! Pritni se ju jeni gra! Pritni se ende jeni të reja! Pritni se s’ju ka ardhë radha! Pritni se kjo është punë për burrat! Mos u fjalos se nuk të ka hije ti je grua, hesht e mos fol! Por, ne qëndruam gjithnjë përballë këtyre paragjykimeve. Dhe jam e bindur se kemi pritur mjaftueshëm tashmë. Lidershipi që transformon nuk pret, por vepron, është veprim. Nuk kërkon leje, por hapë dyer. Nuk shmang dallimet, por e përballon çdo dallim me vizion, me integritet dhe dinjitet. Këtë nuk e them vetëm si Presidente, por edhe si grua, si bijë, si nënë. Si grua, që më shpesh më është thënë: nuk mundesh sesa mundesh! Dhe megjithatë, përtej këtyre që i kanë dëgjuar gratë e Kosovës për dekada e madje shekuj me radhë, ato ia dolën! Sot udhëheqin, sot ndryshojnë mendje, thyejnë barriera dhe më e rëndësishmja është që ne sapo kemi filluar, më e mira është duke ardhur. Por, rrugëtimi ynë deri në këtë pikë nuk erdhi vetvetiu. Atij rrugëtimi i prijnë gra e vajza, që nuk u pajtuan kurrë me kufizimet, nuk pranuan të dorëzohen. Ato të cilat e dinin qartë, se në qoftë se duam që shoqëria jonë të ecë përpara, hapin e parë duhet ta hedhim ne vetë. Prandaj, kur flasim për lidershipin që transformon nuk kemi nevojë të shohim as përtej kufijve tanë, e as të kthehemi shumë pas në kohë. Shembuj të këtij lidershipi na rrethojnë dhe i kemi shumë pranë, madje edhe në këtë sallë. Të tilla janë gratë si Vasfije Krasniqi, Shyhrete Tahiri Sylejmani, dy gra që u shndërruan në simbol. Sepse, shndërruan dhimbjen në forcë për të ecur përpara dhe për të ndryshuar jetën e shumë grave e burrave të tjerë, që ende luftojnë në heshtje me plagët e pashërueshme. E tillë është Fahrije Hoti, e cila e ktheu humbjen në një fuqi transformuese për gjithë komunitetin e saj, për të gjitha gratë në fshatin e saj, në qytetin e saj e më tej. E tillë është Majlinda Kelmendi, e cila arriti majat e botës në xhudo dhe hapi rrugën jo vetëm për Kosovën, por edhe për xhudistet e tjera për triumfin e Distrias, të Laurës e të Nora Gjakovës. E tillë është Igo Rogova, një ikonë që i priu lëvizjeve që janë themel të transformimit të shoqërisë sonë. E shumë e shumë gra të shoqërisë
Konferencë për media e Presidentes Osmani
Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Gjatë takimit u diskutua për vizitën e fundit të Presidentes Osmani në SHBA, takimet e shkëlqyeshme të zhvilluara me zyrtarë të lartë të Administratës Trump, si dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët. Me këtë rast, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, përfshirë hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit me SHBA-në, me theks të veçantë në fushat e ekonomisë dhe të mbrojtjes. Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet e fundit në vend, me fokus në hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit në dritën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë.