Presidentja: Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës, disidenti i pathyeshëm

Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës, disidenti i pathyeshëm, zëri i të pambrojturve, kritiku i pandalshëm dhe njeriu i lirë edhe kur ishte prapa grilave. Në vend të hakmarrjes, ai predikoi paqen. Në vend të urrejtjes, ai mbolli pajtimin. Në vend të frikës, ai fliste me guxim për të vërtetën. Ai sakrifikoi lirinë e tij individuale për lirinë kolektive të popullit të tij. Emri i tij do të jetojë sa vetë liria! Qoftë i përjetshëm kujtimi për Bacën Adem!

REAGIM

Presidentja e vendit ASNJËHERË nuk ka kërkuar ndërtim të ndonjë rezidence presidenciale, as me oborr privat, as me dhoma private, e as ndonjë luks tjetër personal. Plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit presidencial nuk e ka marrë aprovimin e Presidentes dhe brenda suazave ligjore Presidentja do të kërkojë që ai të revidohet në mënyrë që t’i përshtatet specifikave dhe nevojave reale të Republikës së Kosovës. Së pari, Presidentja ka kërkuar që të procedohet vetëm me ndërtesën zyrtare të Presidencës, e cila do të përdoret për zhvillimin e takimeve dhe pritjeve shtetërore, sepse Kosova është vendi i vetëm në Evropë – në mos edhe në botë – ku Kreu i Shtetit nuk ka një objekt të posaçëm për realizimin e funksionit të tij/saj zyrtar. Aktualisht, pritjet mbahen në salla të Kuvendit, ndërsa liderët e shteteve mike detyrohen të përballen me erën e kanalizimeve për shkak të kushteve të papërshtatshme në katin ku ndodhet zyra aktuale. Nuk ka as hapësirë për organizimin e pritjeve shtetërore (ato zhvillohen në hotele), as hapësira për akomodimin e mysafirëve të lartë, dhe as ambient për darka apo dreka zyrtare të nivelit të lartë, të cilat Kosova i organizon në restorante private — një praktikë krejtësisht e pazakontë për çdo shtet serioz. Është e turpshme që edhe 26 vite pas çlirimit, kjo çështje themelore nuk është zgjidhur. Së dyti, edhe nëse fillon ndërtimi i një ndërtese të tillë zyrtare presidenciale në truallin që i është ndarë Presidencës që nga koha e Presidentit Rugova, realizimi i saj do të zgjasë të paktën 5–6 vite, gjë që bën të qartë se Presidentja Osmani nuk do ta shfrytëzonte një objekt të tillë gjatë mandatit të saj. Prandaj, çdo pretendim se ajo po ndërton “për vete” është jashtë çdo logjike dhe tregon mungesë kuptimi për rëndësinë që ka funksionimi i institucioneve me dinjitet dhe kushte minimale pune. Presidentja nuk ka autorizuar ndërtimin e suitave apo hapësirave private, por ka kërkuar vetëm hapësira pune dhe pritjeje zyrtare, përfshirë një suitë pritjeje për mysafirët ndërkombëtarë dhe homologët që vizitojnë Kosovën — praktikë standarde në çdo presidencë në botë. Në fund, Presidentja ka kërkuar urgjentisht të gjenden mundësitë ligjore për të ndryshuar specifikacionet aktuale, të cilat nuk paraqesin aspak idenë e saj për një objekt zyrtar presidencial (e assesi ndonjë rezidencë private). Ndërtimi i një objekti të tillë për Presidencën (e jo për Presidenten Osmani) nuk është luks, por domosdoshmëri shtetërore, për të garantuar kushte dinjitoze pune, siguri dhe përfaqësim të denjë për shtetin e Kosovës.

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës Koordinatoren e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNKT), Arnhild Spence

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim lamtumirës Koordinatoren e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNKT), znj. Arnhild Spence, me rastin e përfundimit të mandatit të saj. Në këtë takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për kontributin e çmuar të UNKT dhe agjencive të tjera, në fusha si barazia gjinore, drejtësia tranzicionale, të drejtat e njeriut, Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, etj. Në takim u trajtua edhe çështja e funksionalizimit të Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale dhe hapat që do të ndërmerren më tej. U diskutua edhe rëndësia e pjesëmarrjes së grave në zgjedhjet lokale dhe angazhimin e tyre në jetën publike dhe politike. Në përmbyllje, Presidentja Osmani falënderoi znj. Spence për bashkëpunimin e suksesshëm gjatë mandatit dhe i uroi suksese në angazhimet e mëtejme.

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadoren e Sllovenisë, Minca Benedejčič

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadoren e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, znj. Minca Benedejčič, me rastin e përfundimit të mandatit të saj diplomatik në vendin tonë. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen më të thellë për kontributin e çmuar të ambasadores Benedejčič në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe për përkushtimin e saj në thellimin e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme. Gjatë mandatit të Ambasadore Benedejčič, janë realizuar vizita të shumta të nivelit të lartë ndërmjet dy shteteve, të cilat kanë forcuar më tej raportet ndërshtetërore, duke reflektuar miqësinë dhe solidaritetin e ndërsjellë që karakterizon marrëdhëniet ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij slloven. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani vlerësoi rolin e Sllovenisë në mbështetje të Kosovës, që nga periudhat më të vështira historike e deri sot përmes mbështetjes në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Duke e falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë mandatit të saj, Presidentja Osmani i uroi znj. Benedejčič suksese në angazhimet e mëtejme.

Presidentja Osmani kujtoi veprimtarin e shquar Shaban Manaj, në 25 vjetorin e rrëmbimit dhe vrasjes: Shaban Manaj mbetet simbol i qëndresës dhe vizionit

Sot e kujtojmë me nderim dhe respekt Shaban Manajn, veprimtarin e paepur të lirisë, avokatin dhe bashkëpunëtorin besnik të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ai dëshmoi guxim dhe përkushtim në angazhimin e tij për kauzën e Kosovës së lirë e demokratike. Shaban Manaj mbetet simbol i qëndresës dhe vizionit. Drejtësia për të dhe për të gjithë të vrarët mbetet zotimi ynë i përhershëm.

Presidentja Osmani: Interesi i vendit dhe Kushtetuta duhet të qëndrojnë mbi çdo llogari politike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kërkesa e dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese ka për qëllim mbrojtjen e rendit kushtetues të vendit nga pasojat e pariparueshme. Presidentja Osmani ka shkruar: Kërkesa e dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese ka për qëllim mbrojtjen e rendit kushtetues të vendit nga pasojat e pariparueshme. Në këtë moment vendimtar për demokracinë dhe stabilitetin e Republikës sonë, i bëj sërish thirrje të gjitha subjekteve politike që t’u japin qytetarëve atë që u takon me Kushtetutë: një Kuvend funksional dhe institucione që punojnë në interes të tyre. Kjo kërkesë para Gjykatës nuk është një zgjedhje politike, por një obligim kushtetues dhe moral ndaj popullit të Republikës së Kosovës, i cili ka votuar për të pasur institucione funksionale. Interesi i vendit dhe Kushtetuta duhet të qëndrojnë mbi çdo llogari politike.

Presidentja Osmani priti ambasadorin e Shtetit të Katarit, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ambasadorin e Shtetit të Katarit për Kosovën, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari, me të cilin diskutoi mbi avancimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy shteteve. Në takim u rikonfirmua partneriteti i shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Katarit, si dhe u diskutuan mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Në fokus të takimit ishte falënderimi i veçantë i Presidentes Osmani për mbështetjen konkrete të ofruar nga Katari për sigurimin e protezave për invalidët e luftës, një iniciativë që po realizohet nëpërmjet angazhimit të Presidentes dhe mbështetjes së institucioneve partnere në Katar. Presidentja e vlerësoi këtë hap si një shembull kuptimplotë të solidaritetit dhe humanizmit që forcon lidhjet midis dy popujve. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Al Dosari shprehën vullnetin për t`i forcuar edhe më tej lidhjet ndërmjet dy vendeve.

This site is registered on wpml.org as a development site.