Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë mirëpret në takim organizatën me seli në SHBA, Our Secure Future

Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë zhvilloi takim me organizatën amerikane, Our Secure Future. Këshilltarja e Presidentes Osmani, njëherazi koordinatore e Qendrës së Ekselencës, Dora Musa, dhe ekspertja e jashtme, Adelina Hasani, diskutuan për progresin dhe sfidat mbi Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, krahas punës që Qendra po zhvillon në vazhdimësi. Organizata Our Secure Future, e përfaqësuar nga nënkryetarja Sahana Dharmapuri, dhe zyrtarë të tjerë të organizatës në fjalë, prezantuan punën dhe arritjet e tyre anë e mbanë botës. Duke konsideruar situatën aktuale të sigurisë, palët shkëmbyen ide mbi veprimet e nevojshme globale për avancim efektiv të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Presidentja Osmani priti në takim Admiralin Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me Admiral Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli. Gjatë takimit, Presidentja Osmani vlerësoi lartë rolin e KFOR-it dhe angazhimin e parreshtur për garantim të paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës, ndaj në këtë kontekst, ritheksoi se marrëdhënia ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it është jetike për misionin e përbashkët të stabilitetit dhe sigurisë në vend. Presidentja theksoi gjithashtu se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike, duke ndërtuar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke përmbushur të gjitha zotimet ndaj Aleancës. Në takim, Presidentja Osmani vuri në pah sfidat e sigurisë në veri të vendit dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, duke theksuar rëndësinë e rolit të KFOR-it si faktor i rëndësishëm për parandalimin e eskalimeve dhe ruajtjen e paqes. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe vendosmërinë e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm dhe aktiv i botës demokratike.

Presidentja Osmani: Dje në Kopenhagë, Kosova iu bashkua Francës, Italisë dhe partnerëve të tjerë evropianë në themelimin e Koalicionit Evropian Kundër Drogës (ECAD)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dje në Kopenhagë, Kosova iu bashkua Francës, Italisë dhe partnerëve të tjerë evropianë në themelimin e Koalicionit Evropian Kundër Drogës (ECAD). Presidentja Osmani ka shkruar: Dje në Kopenhagë, Kosova iu bashkua Francës, Italisë dhe partnerëve të tjerë evropianë në themelimin e Koalicionit Evropian Kundër Drogës (ECAD). Përmes këtij mekanizmi, do të sigurohet koordinim më i gjerë evropian në luftën kundër trafikimit dhe abuzimit me drogë. Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj dhe ashtu siç kemi bërë deri më tani, të luftojmë këto dukuri në mënyrë efektive. Do të punojmë ngushtë me partnerët tanë, në mënyrë që Evropa të mbetet e sigurt, e bashkuar dhe e vendosur përballë kësaj sfide.

Presidentja Osmani në tryezën e liderëve të EPC-së: Siguria e Evropës është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në tryezën me liderë evropian në temën e sigurisë, në Samitin e Liderëve të EPC-së në Kopenhagë. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Samitin e Liderëve të EPC-së në Kopenhagë, në tryezën me liderë evropianë të fokusuar në temën e sigurisë, theksova se siguria e Evropës është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, Evropa duhet të përqendrojë vëmendjen e saj në këtë rajon, duke investuar në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë, si hap kyç për një siguri të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Presidentja Osmani takoi Kryeministren e Islandës, Kristrún Frostadóttir

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Kryeministren e Islandës, Kristrún Frostadóttir, në Kopenhagë. Presidentja Osmani ka shkruar: Në takimin me Kryeministren e Islandës, Kristrún Frostadóttir, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur që Islanda i ka dhënë Kosovës në forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare, në veçanti për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Biseduam gjithashtu për projekte me interes të ndërsjellë dhe për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.

Presidentja Osmani takoi në Kopenhagë, Kryeministrin e Holandës, Dick Schoof

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar në Kopenhagë, me Kryeministrin e Holandës, Dick Schoof. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Kopenhagë, me Kryeministrin e Holandës, Dick Schoof, diskutuam për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Holandës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit tonë ekonomik. Gjithashtu, kërkova mbështetjen e Holandës për finalizimin e procesit të heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë.

Presidentja Osmani takoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, në Samitin e EPC në Danimarkë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, në Samitin e EPC në Danimarkë. Presidentja Osmani ka shkruar: Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, në Samitin e EPC në Danimarkë. Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë tonë për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Theksova po ashtu rolin vendimtar të NATO-s në garantimin e stabilitetit rajonal, si dhe përkushtimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme në përballjen me sfidat e përbashkëta.

Presidentja Osmani: Mirënjohëse Kryeministres daneze Mette Frederiksen për mikpritjen e ngrohtë në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur nga Kryeministrja daneze Mette Frederiksen në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë. “Mirënjohëse Kryeministres daneze Mette Frederiksen për mikpritjen e ngrohtë në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë, i cili edhe këtë herë fokusohet në sfidat e sigurisë dhe në thellimin e bashkëpunimit për t’i tejkaluar ato”, ka shkruar Presidentja Osmani.

This site is registered on wpml.org as a development site.