Presidentja Osmani: Mbetem e përkushtuar të punojmë së bashku me Presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar Presidentin Trump për përkrahjen e tij, si dhe për fjalët e fuqishme për partneritetin me Kosovën. Presidentja Osmani ka shkruar: Faleminderit Presidentit Trump për përkrahjen e tij, si dhe për fjalët e fuqishme për partneritetin me Kosovën. Kosova do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me SHBA-të, në çdo sfidë e çdo sukses. Mbetem e përkushtuar të punojmë së bashku me Presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë.

Presidentja Osmani priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen. Në takim, Presidentja Osmani theksoi nevojën e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, si dhe theksoi rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat po prekin më së shumti qytetarët e Republikës së Kosovës. Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta. Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës. Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe thelbësisht e orientuar drejt reformave demokratike, të cilat duhet të shpërblehen me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian. Tutje, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme. Ndërlidhur me Dialogun, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi. Ajo e falënderoi z. Sørensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve.

Presidentja Vjosa Osmani merr letër nga Presidenti Trump: E falënderon për lidershipin e guximshëm dhe e quan mike të vërtetë të Shteteve të Bashkuara

Sot, Presidentja Osmani ka marrë një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara, lidershipin e guximshëm dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë. Në letër, Presidenti amerikan shkruan se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” ka theksuar Presidenti Trump në letrën e tij. Duke e falënderuar Presidenten për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-të, Presidenti Trump gjithashtu shprehet: “Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë.” Në fund të letrës, Presidenti Trump i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump.

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës Ambasadorin e Finlandës, z. Matti Nissinen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Republikës së Finlandës në Kosovë, z. Matti Nissinen, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të ambasadorit Nissinen në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Finlandës. Ajo theksoi se angazhimi i tij i vazhdueshëm ka luajtur një rol kyç në afrimin e mëtejmë të dy vendeve dhe në krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm, të bazuar në vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Në këtë kontekst, Presidentja vlerësoi në mënyrë të veçantë vizitën bilaterale në Finlandë, të cilën e cilësoi si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe dhe një dëshmi konkrete e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve. Gjatë takimit, Presidentja ritheksoi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës për rrugën euroatlantike të Kosovës. Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në vend, përfshirë konstituimin e institucioneve të reja. Në përmbyllje të takimit, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Nissinen për bashkëpunimin e frytshëm dhe përfaqësimin me dinjitet të shtetit dhe popullit finlandez në Kosovë, duke i uruar atij suksese të mëtejshme në të gjitha angazhimet e ardhshme.

Presidentja: Sunny Hill Festival është rrëfim i një ëndrre të kthyer në realitet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë mbrëmë në Sunny Hill Festival. Presidentja Osmani ka shkruar: Sunny Hill Festival është rrëfim i një ëndrre të kthyer në realitet. Një ëndërr që nisi me dashurinë për vendin dhe u kthye në një nga ngjarjet më frymëzuese që e vendos Kosovën në qendër të hartës kulturore globale. Përmes muzikës, pasionit dhe energjisë së rinisë – Kosova po shkëlqen. Po tregon se edhe nga një vend i vogël, mund të lindin gjëra të mëdha. Faleminderit, Dua, që ëndrrën tënde e bëre edhe tonën. Faleminderit ekipit të Sunny Hill që e bëni këtë ëndërr realitet çdo vit, duke e sjellë botën në zemër të Kosovës! 🇽🇰 📸: Dua Lipa, Sunny Hill Festival, Arben Llapashtica

Presidentja Osmani në takim me Zv. Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, z. David A. Baker: Kosova është partnere e besueshme dhe kontribuuese për sigurinë rajonale dhe interesat strategjike të SHBA-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, z. David A. Baker, me të cilin diskutoi për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes. Presidentja Osmani theksoi se Kosova po ndërton një forcë moderne të sigurisë sipas standardeve të NATO-s dhe se partneriteti me SHBA-në është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në këtë kuadër, Presidentja Osmani nënvizoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është jo vetëm synim strategjik i shtetit, por një domosdoshmëri për arkitekturën e sigurisë në rajon. Ajo theksoi se Kosova është gati të kontribuojë si aleate e besueshme dhe ta përmbush objektivin për shpenzime në mbrojtje në kohë rekord, duke shtuar se mbështetja e SHBA-ve, në këtë synim për anëtarësim është jetike. Ajo potencoi se prania ushtarake amerikane në Kosovë u shërben drejtpërdrejt interesave strategjike të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes paraqet një mundësi të re për investime të përbashkëta, në dobi të të dyja vendeve. Më tej, është diskutuar edhe bashkëpunimi në fushën e industrisë ushtarake. Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë, duke theksuar se Kosova ka potencial në fushën e prodhimit ushtarak me mbështetjen e SHBA-së dhe kompanive të ndryshme amerikane që mund të jenë të interesuara në këtë drejtim. Presidentja Osmani potencoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

This site is registered on wpml.org as a development site.