Presidentja Osmani me përfaqësues të tri organizatave të OKB-së diskutoi për strehimin e qytetarëve nga Afganistani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të përbërë nga Ulrika Richardson, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për zhvillim, Erol Arduc nga UNHCR-ja dhe Anna Rostocka nga IOM me të cilët është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani në kuadër të Programit të Posaçëm të Vizave për Migrim të SHBA-ve.
BE-ja i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Presidentes Osmani për monitorimin e zgjedhjeve lokale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë përgjigje pozitive nga përfaqësuesit e BE-së lidhur me kërkesën për monitorimin e zgjedhjeve lokale. Një kërkesë të tillë, Presidentja Osmani e ka bërë në letrën e dërguar më 18 qershor 2021, në adresë të kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, si dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell. Që të dy zyrtarët e lartë të BE-së i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Presidentes Osmani. Për dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare, në të cilat Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve është përbërë nga një numër i vogël ekspertësh, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, BE-ja do të jetë prezente me mision të plotë të vëzhgimit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor. Presidenti i Parlamentit Evropian, z. Sassoli, në letrën dërguar Presidentes Osmani më 13 korrik e ka konfirmuar gatishmërinë e Parlamentit Evropian për të marrë pjesë në monitorimin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, si dhe fillimin e menjëhershëm të procedurave përgatitore për këtë proces. Ndërkaq në letrën e z. Borrell, të datës 17 gusht, bëhet e ditur se pasi që Parlamenti Evropian t`i nominojë përfaqësuesit e vet, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së do ta emëroj Shefin e Misionit, i cili bashkë me ekipin e ekspertëve do të arrijnë në Republikën e Kosovës gjatë javëve në vijim. Letrat dërguar Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani nga ana e kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell.
Presidentja: Kosova gjithnjë do të jetë në anën e humanizmit, paqes e demokracisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se më 16 korrik, pak ditë pasi bota, e sidomos ne në Kosovë shënuam Ditën Botërore të Refugjatëve, është kontaktuar nga Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, i cili përcillte një kërkesë nga Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken.
Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të gazetarit e politologut z.Ramush Tahiri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjen e gazetarit, politologut, ish- zëvendëskryeministrit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës në ekzil në vitet e 90-ta, z.Ramush Tahiri. “Me veprimtarinë e tij të pandalshme, z.Tahiri ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë më të re të vendit. Ai u nda nga ju për t`u lënë pas kujtimet për njeriun e mirë e profesionist! Ju do të jetoni me trashëgiminë e begatshme e të tij. Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me Familjen Tahiri”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani drejtuar familjes së të ndjerit.
Presidentja: Është akt patriotik që secili prej nesh të vaksinohet sa më parë të jetë e mundshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për vaksinim.
Presidentja Osmani autorizon dërgimin e trupave dhe pajisjeve të FSK-së për ndihmë Shqipërisë në shuarjen e zjarreve

Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për t`i ofruar ndihmë Republikës së Shqipërisë në shuarjen e zjarreve, Presidentja Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave dhe pajisjeve të FSK-së në operacion humanitar dhe në të njëjtën kohë e ka informuar për këtë veprim Kuvendin e Kosovës. Trupat dhe pajisjet FSK-së, do t`i vihen në dispozicion autoriteteve shqiptare me qëllim të shuarjes dhe vënies në kontroll të zjarreve.
Presidentja Osmani ia propozon Kuvendit të Kosovës për pozitën e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, znj.Vlora Spanca

Pas një procesi të hapur e transparent dhe me pjesëmarrjen në Komision të dy sekretarëve të përgjithshëm, përfaqësuesve të BQK-së, shoqërisë civile, Universitetit të Prishtinës, mbikëqyrur nga BIRN-i dhe Sindikata e Punëtorëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka nënshkruar vendimin me të cilin znj.Vlora Spanca i propozohet Kuvendit të Kosovës për pozitën e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani dekreton Ligjin për rishikimin e buxhetit

Duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekretuar shpalljen e Ligjit Nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 28.07.2021 dhe i pranuar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, më 04.08.2021.
Presidentja Osmani apelon për kujdes nga zjarret

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi që në disa rajone të Kosovës situata është rënduar nga zjarret dhe ky rrezik ende nuk ka kaluar.
Presidentja Osmani dekreton shpalljen e dy ligjeve të miratuara nga Kuvendi

Në përputhje me kompetencat kushtetuese, Presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar shpalljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete. Përmes Dekretit Nr. 113/2021, ka hyrë në fuqi Ligji Nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-132 për Automjete, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 22.07.2021 dhe i pranuar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, më 02.08.2021. Me hyrjen në fuqi të këtij Ligji, përfundimisht i vie fundi edhe procesit të homologimit të veturave të importuara në Republikën e Kosovës. Presidentja Osmani ka dekretuar poashtu edhe shpalljen e Ligjit Nr. 08/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 22.07.2021 dhe i pranuar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, më 02.08.2021.