Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e dekorimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

E nderuar Vasfije, E nderuar Shyhrete, I nderuar Ramadan, Të nderuar familjarë, Të nderuar përfaqësues të vendeve mike, Të nderuar përfaqësues të KRCT-së dhe të organizatave të tjera me të cilat bashkëpunojmë çdo ditë, Të nderuar të pranishëm, Ka momente kur fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen, siç ka edhe njerëz që me guximin e tyre të lënë pa fjalë. Sot jemi këtu për t’u përulur me respektin më të thellë përballë tre individëve, që janë më shumë sesa thjesht individë. Sepse me dhimbjen e tyre kanë ndriçuar rrugën drejt së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës. Znj. Vasfije Krasniqi, znj. Shyhrete Tahiri dhe z. Ramadan Nishori, sot e përgjithmonë do të mbeten emra të gdhendur në ndërgjegjen kolektive të popullit tonë. Në histori janë të rrallë zërat, të cilët ndonëse të lodhur nga padrejtësia, flasin me fuqi që tund themelet e heshtjes. Vasfije, Shyhrete dhe Ramadan ju jeni pikërisht këta zëra. Ju jeni zëri i së vërtetës që po pret drejtësi me dekada. Ju jeni zëri që keni zgjedhur dinjitetin, jeni zëri i të mbijetuarve që refuzoni heshtjen. Prandaj, sot me zemrën plot ju ndaj titullin mëse të merituar, Titullin “Nderi i Republikës”. Për ju, që me aktin tuaj keni ngritur jo vetëm zërin tuaj, por zërin e mijëra të mbijetuarve që ende jetojnë me plagën e dhimbjes së krimeve të llahtarshme të kryera ndaj tyre. Ky nuk është thjesht një dekorim. Një premtim i gjallë, se nuk do të lejojmë që historia t’i harrojë ata që u shkelën nga mizoria, dhe se Republika jonë asnjëherë nuk do të jetë e plotë pa drejtësi për ju dhe mijëra të mbijetuar të tjerë, të cilët përjetuan aktin më barbar nga regjimi i Millosheviqit. Ramadan, dëshmia jote është një akt i jashtëzakonshëm i kurajos dhe i burrërisë. Ti je burri i parë që flet për këtë krim dhe je një përfaqësues i të gjithë atyre burrave, që për vite me radhë e kanë mbajtur dhimbjen brenda. Por me ty, kemi thyer edhe një tjetër mur të heshtjes dhe stigmatizimit. Asnjë njeri që është viktimë e një krimi nuk është fajtor. Siç e ke thënë edhe vetë: “Turpi përgjithmonë do të bie mbi ata, që kryen këtë krim e asnjëherë mbi të mbijetuarit, që u shndërruan në krenarinë e vendit tonë me luftën e tyre të pareshtur për drejtësi”. Vasfije, zëri yt është bërë frymëzim për të gjithë ne si brez dhe për brezat që do të vijnë pas nesh. Ke folur kur ishte më së vështiri të flitej. Ke qëndruar kur ishte më së lehti të fshihej. Je bërë simbol i rezistencës, i forcës dhe i shpresës për të gjithë ata që ndihen të thyer. Ke qenë zëri që ka depërtuar nga Kongresi Amerikan në Këshillin e Sigurimit, e nga Parlamenti Evropian në çdo cep të botës. Shyhrete, rrëfimi yt jo vetëm si një grua, por edhe si një nënë, që përjetoi dhimbjen dyfish, sepse dhimbja nuk ishte vetëm e jotja, por edhe e fëmijëve që përjetuan atë që përjetove ti, duke qenë dëshmitare të dhunimit, ke prekur zemrat e të gjithëve që kanë dëgjuar, jo vetëm në Kosovë, por përtej. Ti nuk je vetëm dëshmi e dhimbjes, por dëshmi e forcës së pamatshme e dashurisë dhe kujdesit ndaj të tjerëve edhe atëherë kur vetë mund të jesh ndier e rrënuar. Je shembull i fuqisë që njeriu ka për të ngritur jo vetëm veten, por një shoqëri dhe një shtet të tërë. Dhe, pikërisht këtë e ke bërë ti, e shembulli yt nuk është ndalur vetëm me ty, por vazhdon edhe me vajzat e tua edhe me fëmijët e tu. Të nderuar të pranishëm, Të mbijetuarit e dhunimit seksual gjatë luftës nuk janë thjesht viktima, janë dëshmitarë. Janë dëshmi e gjallë dhe shtylla jonë më e fortë e luftës për drejtësi. Janë zëri i së vërtetës, që na e kujton përditë, se pa drejtësi asnjëherë nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Prandaj, çdo përpjekje e Republikës sonë do të orientohet për të kërkuar drejtësi, jo vetëm si vullnet moral, por si detyrim ndaj jetës, ndaj dinjitetit njerëzor dhe ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh. Si një detyrim që të sigurohemi që askush mos të përjetojë më, atë që ka përjetuar populli ynë. Nuk mund të ndërtojmë paqe të qëndrueshme pa drejtësi për gratë dhe burrat, që kanë përjetuar dhunën më çnjerëzore e në mesin e të cilëve ka pasur edhe fëmijë. Por me këtë përpjekje, ju keni ndryshuar Kosovën. Prandaj, ne të gjithë jemi me ju në këtë rrugëtim. Sot, Kosova përkulet para jush dhe nuk do të ndalemi derisa drejtësia të vijë, e derisa çdo njeri që ka pësuar të dëgjohet, të nderohet dhe mos të ndihet kurrë vetëm. Prandaj, në bazë të kompetencave të mia kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, kam vendosur që Vasfijen, Shyhreten dhe Ramadanin t’i dekoroj me Urdhrin “Nderi i Republikës”, i cili jepet me këtë motivacion: Për guximin e jashtëzakonshëm për ta thyer heshtjen shumëvjeçare rreth krimeve më çnjerëzore të kryera gjatë luftës, për dinjitetin me të cilin keni përballuar dhimbjen dhe stigmën, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm në ndërgjegjësimin shoqëror dhe ndërkombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. E nderuar Vasfije, E nderuar Shyhrete, I nderuar Ramadan, Të nderuar familjarë të këtyre tre heronjve të gjallë të popullit tonë, Ka shumë të mbijetuar që sot na përcjellin nëpërmjet ekraneve. Shpresoj që nesër t’i kemi ulur ku jeni sot këtu, për ta marrë edhe ata titullin e merituar dhe ta dëgjojmë edhe zërin e tyre. Sepse, regjimi gjenocidal i Millosheviqit duke përdorur aktin më barbar të dhunimit seksual, mendonte se mund t’ju çnderojë. Por, ju u shndërruat në nderin e shtetit tonë, në nderin e kombit tonë. Sot, e vulosim këtë me dekret presidencial, por ju jeni vulosur si Nderi i Republikës sonë në analet e historisë së kombit. Urime!

Presidentja Osmani priti në takim familjarë të viktimave të Masakrës së Poklekut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përvjetorin e 26-të të Masakrës së Poklekut, priti në takim familjarët e viktimave, me të cilët bashkëbisedoi për rëndësinë e kujtesës për të gjitha viktimat dhe domosdoshmërinë e kërkimit të drejtësisë. Në takim, Presidentja Osmani theksoi se Masakra e Poklekut, ku u vranë 54 qytetarë nga regjimi gjenocidal i Serbisë, mbetet plagë e hapur për shoqërinë tonë dhe kujtesë e përhershme që kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional për t’i sjellur autorët para drejtësisë. Presidentja Osmani nënvizoi se drejtësia për viktimat është obligim i vazhdueshëm dhe se kërkesa për drejtësi është ngritur në çdo forum ndërkombëtar. Presidentja, po ashtu, ritheksoi përkushtimin e saj për të mos lejuar që këto krime të harrohen dhe për të vazhduar luftën për drejtësi, në nderim të kujtimit të viktimave dhe për të ardhmen e Kosovës.

Presidentja: Me krenarinë më të madhe, i ndava Titullin “Nderi i Republikës”, Vasfije Krasniqit, Shyrete Tahirit dhe Ramadan Nishorit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ua ka ndarë Titullin “Nderi i Republikës”, Vasfije Krasniqit, Shyrete Tahirit dhe Ramadan Nishorit. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot, me krenarinë më të madhe, i ndava Titullin “Nderi i Republikës”, Vasfije Krasniqit, Shyrete Tahirit dhe Ramadan Nishorit. Duke përdorur aktin më mizor gjatë luftës, dhunimin seksual, regjimi i Millosheviqit mendoi se do të çnderonte mijëra viktima të luftës, por me guximin e tyre, të mbijetuarit u shndërruan në nderin e shtetit, nderin e kombit, NDERIN E REPUBLIKËS!

Fjalimi i Presidentes Osmani në tubimin përkujtimor të 26-vjetorit të Masakrës së Makocit

Të dashur familjarë të martirëve të lirisë, Të dashur familjarë të dëshmorëve të kombit tonë, I nderuar kryetar i Prishtinës, Të nderuar deputetë, Përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, Të mbijetuar dëshmitarë e qytetarë të dashur, Sot të gjithë bashkë qëndrojmë në këtë vend të shenjtë, për të përkujtuar një plagë të thellë në historinë tonë të dhimbshme e të lavdishme. Jemi këtu për të nderuar kujtimin e atyre që u masakruan mizorisht në Makoc, në ditët e errëta të prillit 1999, gjatë njërës prej periudhave më të egra të fushatës gjenocidale që makineria vrastare e Serbisë e ndërmori kundër popullit tonë. Në këtë vend që mban ende dhimbjen e prillit të vitit ‘99, 115 jetë u morën padrejtësisht ashtu siç u morën edhe me mijëra të tjera anekënd Kosovës, ëndrra të cilat u shuan përpara se të realizoheshin. Të rënët këtu në Makoc ishin qindra prej të vrarëve në rajonin e Gollakut brenda vetëm katër ditësh. Prandaj, ky vend është testament, është amaneti që na e lanë ata që u vranë nga dora serbe pa asnjë mëshirë, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse e donin lirinë, vetëm pse kërkonin të jetonin të lirë në tokën e tyre. Ky vend është edhe një dëshmi e një krimi që ende nuk u ndëshkua, por që nuk do të mbetet asnjëherë pa zë, sepse Kosova nuk do të heshtë asnjëherë për të vërtetën e saj. Sot, në këtë vend të shenjtë ku prehen trupat e martirëve e dëshmorëve, ne nuk kemi ardhur vetëm për ta përkujtuar krimin e tmerrshëm, por kemi ardhur edhe për të nderuar qëndresën e popullit tonë. Kemi ardhur për ta kujtuar dhimbjen e madhe të familjarëve. Kemi ardhur për t’u përulur para sakrificës së të rënëve, e mbi të gjitha për të vazhduar me thirrjen tonë të fuqishme për drejtësi. Në Makoc dhe në fshatrat tjera përreth brenda vetëm disa ditësh nuk u kursye askush, nuk u kursye as Fortesa 7 vjeçe, nuk u kursye as Hamidja 98 vjeçe. Kjo është barbaria e krimit, barbari që synonte asgjësimin e qenies sonë në çdo formë të saj. Por ajo që regjimi gjenocidal serb nuk arriti ta zhdukë kurrë, është shpirti i pathyeshëm i popullit tonë liridashës. Makoci, ashtu si edhe gjithë Kosova, është dëshmi e një sakrifice të jashtëzakonshme, e një sakrifice që nuk ka ndodhur rastësisht, por si rezultat i vendosmërisë së popullit tonë, një vendosmërie që ka zgjatur me shekuj të tërë, vendosmëri për mos t’u nënshtruar kurrë, për të jetuar të lirë në tokën e të parëve tanë. Rruga jonë ende vazhdon, por themelet i kemi të forta, sepse janë themele të ngritura mbi gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë ndër breza të tërë. Sot, Kosova është e lirë, e pavarur dhe me institucione shtetërore. Sot, Kosova është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Sot, Kosova është aleate e denjë e shteteve demokratike. Dhe kjo është arritja më e madhe e një populli që dikur e kërkonte lirinë me çdo çmim, e sot e mbron atë me çdo çmim dhe me dinjitet. Edhe në këtë përvjetor të dhimbjes dhe krenarisë, të gjitha institucionet shtetërore përgjegjëse duhet të rikujtojnë se përkujdesjen për vlerat e sakrificës për liri dhe trashëgimisë së tyre i kemi obligim, i kemi detyrim të përhershëm sepse mbi to kemi themelin e shtetit tonë. Sepse pa kujdes për kujtesën dhe pa respekt të thellë për të rënët, ne asnjëherë nuk do të kemi të ardhme të ndritur. Makoci do të mbetet përgjithmonë kujtim, por edhe amanet, e mbi të gjitha zotim për të ardhmen. Zotim se nuk do t`i harrojmë asnjëherë dëshmorët e martirët. Zotim se nuk do t’i harrojmë asnjëherë të zhdukurit me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë. Zotim se nuk do ta lëmë kurrë përpjekjen për vendosjen e drejtësisë. Zotim se do t`i edukojmë brezat e rinj me të vërtetën e historisë sonë të lavdishme dhe se do ta ruajmë lirinë si thesarin më të çmuar që e kemi. Lavdi përjetë të gjithë martirëve të Masakrës së Makocit! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Drejtësi për viktimat, paqe e përhershme për shpirtin e tyre e përjetësi për sakrificën e tyre të shenjtë! Ju faleminderit!

Presidentja Osmani në ditën e dëshmorëve të UÇK-së të komunës së Prishtinës, vendosi kurorë lulesh në nderim të dëshmorëve, në varrezat në Velani

Me përulësi dhe respekt të thellë, Presidentja Osmani kujtoi kontributin e secilit dëshmor që ra për ta parë Kosovën të lirë, të pavarur dhe demokratike. “Dëshmorët janë themeli i lirisë sonë. Kujtimi për ta nuk është vetëm nderim, por zotim se do të punojmë çdo ditë për një shtet të drejtë, të barabartë dhe dinjitoz, ashtu siç e ëndërruan ata”, theksoi Presidentja.   Presidentja Osmani tha se kjo ditë na kujton vlerat për të cilat ranë dëshmorët tanë dhe se kujtimi për ta është i përhershëm.

Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-ve, znj. Anu Pratipatti

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, znj. Anu Pratipatti. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë hapat tutje drejt konstituimit të Kuvendit të ri të Republikës së Kosovës dhe hapat e mëtejmë institucional në përputhje me Kushtetutën. Presidentja e njoftoi znj. Pratipatti për letrën e saj drejtuar deputetëve lidhur me hapat e ardhshëm për krijimin e institucioneve të reja, në funksion të garantimit të stabilitetit dhe funksionalitetit demokratik të shtetit. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri më i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës. Me këtë rast, u diskutua gjithashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, gjë që përfundimisht kontribuon edhe në forcimin e paqes e stabilitetit në rajon. Në takim u diskutua edhe për dy njohjet e reja, respektivisht njohjen nga Kenia dhe Sudani, gjë që u mirëprit si një zhvillim i rëndësishëm drejt fuqizimit të mëtejshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Presidentja Osmani dhe znj. Pratipatti riafirmuan përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Presidentja: Masakra e Poklekut, kujtesë që nuk shuhet, plagë që nuk mbyllet pa drejtësi

Masakra e Poklekut, kujtesë që nuk shuhet, plagë që nuk mbyllet pa drejtësi. Në mesin e 54 të vrarëve në Poklek, 24 ishin fëmijë nga mosha gjashtë muaj e deri në 17 vjeç. Ata u vranë mizorisht e pastaj u dogjën nga forca të regjimit gjenocidal serb, synim i të cilëve ishte shfarosja. Në mesin e viktimave, ishte edhe Liria, një foshnjë vetëm 6 muajshe, që mbante emrin e një ideali që ende nuk e kishte jetuar. Ajo nuk e gëzoi kurrë lirinë. Por emri i saj mbetet amanet për secilin prej nesh. Të tillë mbeten edhe emrat e 23 të vrarëve në Çikatovë të Vjetër. Sot nuk mjafton t`i kujtojmë. E kemi obligim të kërkojmë drejtësi. Jo vetëm për Lirinë, por për çdo fëmijë të vrarë, për çdo familje të shuar. Drejtësia nuk është hakmarrje. Është premtimi më minimal që ia kemi borxh viktimave. Është përgjegjësia jonë që ky krim të mos mbulohet nga pluhuri i harresës apo nga heshtja. Të mos ndalemi derisa drejtësia të triumfojë. Sepse pa të, pa të vërtetën e thënë dhe të njohur, pa përgjegjësi për krimet, nuk ka paqe të qëndrueshme.

Presidentja Osmani i drejtohet me letër Kuvendit: Kushtetuta më obligon që të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është përgjigjur letrës së pranuar nga z. Avni Dehari, Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së 9-të. Presidentja Osmani ka shkruar: Kushtetuta më obligon që të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve. Prandaj, në këtë frymë, sot i jam përgjigjur letrës së pranuar nga z. Avni Dehari, Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së 9-të. Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese tashmë kanë përcaktuar obligimin e të gjithë deputetëve që të jetësojnë, e jo të bllokojnë formimin e institucioneve, si dhe të gjejnë rrugën përpara për konstituimin e Kuvendit. Interesi i Republikës së Kosovës le të jetë udhërrëfyes suprem në këtë proces.

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Antonello De Riu, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik. Në këtë takim lamtumirës, Presidentja Osmani e ka falënderuar ambasadorin De Riu për kontributin e tij të çmuar gjatë mandatit në Kosovë dhe ka vlerësuar lart angazhimin e tij për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ajo i ka uruar suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme diplomatike, duke theksuar se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Italisë do të mbeten gjithmonë të qëndrueshme dhe të bazuara në vlera të përbashkëta. Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e Italisë mbetet thelbësore për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik. Ajo nënvizoi nevojën për angazhim të mëtejshëm të Italisë si një partnere strategjike, veçanërisht në forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

This site is registered on wpml.org as a development site.