Presidentja Osmani u takua me Kryetarin e Parlamentit të Finlandës, Jussi Halla-aho

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Finlandës, Jussi Halla-aho, gjatë vizitës së saj në Finlandë Presidentja Osmani ka shkruar: Parlamenti i Finlandës dhe deputetët e tij kanë qenë gjithmonë ndër zërat më të fortë në mbështetje të Kosovës – në çdo hap të rrugëtimit tonë! 🇽🇰 🇫🇮 Në Helsinki, në takim me Kryetarin e Parlamentit, Jussi Halla-aho, dhe me shumë deputetë të tjerë, shpreha mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e palëkundur dhe për rolin e tyre vendimtar në avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Bashkë, diskutuam për hapa të rinj që do ta thellojnë partneritetin tonë dhe do të forcojnë bashkëpunimin në fusha strategjike.
Konferenca për media e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me Presidentin e Republikës së Finlandës, Alexander Stubb dhe ceremonia e ndarjes së medaljes Presidenciale
Pritja në Pallatin Presidencial në Helsinki nga Presidenti finlandez Alexander Stubb 🇽🇰🇫🇮
Presidentja Osmani uron Ditën e Komunitetit Turk në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Komunitetit Turk të Kosovës, ka uruar qytetarët e këtij komuniteti dhe i ka cilësuar ata urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. “Kjo ditë është një mundësi e veçantë për t’i afirmuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore që komuniteti turk i ka dhënë dhe vazhdon t’ia japë shoqërisë sonë. Vlerësojmë kontributin e pandërprerë të këtij komuniteti për ndërtimin e një Kosove demokratike, të barabartë dhe ku secili qytetar, pa dallim, ndjehet i respektuar dhe i përfaqësuar”, thuhet në urimin e Presidentes Osmani. Për nder të kësaj dite dhe me propozim të përfaqësuesve të zgjedhur të komunitetit turk, Presidentja Osmani ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave Prof. Dr. Nimetullah Hafız, për kontributin e jashtëzakonshëm në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës turke në Kosovë, si dhe edukimin e brezave të rinj dhe forcimin e harmonisë ndëretnike në vendin tonë. Presidentja Osmani, dekoratën do t’ia dorëzojë Profesor Hafizit në një ceremoni të veçantë që do të mbahet ditëve në vijim.
Presidentja Osmani në Finlandë me ftesë të Presidentit Stubb

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Finlandë, me ftesë të Presidentit finlandez, Alexander Stubb. Vizita do të nisë me një ceremoni zyrtare, të organizuar në Pallatin Presidencial në Helsinki, pas së cilës të dy presidentët do të zhvillojnë një takim tête-à-tête, pasuar nga një takim ndërmjet delegacioneve respektive të dy shteteve. Në kuadër të vizitës, Presidenti Stubb do të shtrojë drekë zyrtare për Presidenten Osmani dhe delegacionin e saj në pallatin presidencial në Helsinki. Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës, për kontributin e tyre për paqe e siguri në Kosovë, në kuadër të forcave të NATO-s – misionit të KFOR-it. Presidentja Osmani gjatë vizitës në Finlandë do të pritet gjithashtu nga Jussi Halla-aho, kryetar i Parlamentit të Finlandës si dhe nga ministrja për Punë të Jashtme të Finlandës, znj. Elina Valtonen. Në kuadër të agjendës, Presidentja Osmani do të mbajë një diskutim në Universitetin e Helsinkit me temën “Vizioni i Kosovës për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin”, ku para studentëve, profesorëve dhe diplomatëve do të shpalosë prioritetet strategjike të Republikës së Kosovës. Po ashtu, gjatë qëndrimit në Finlandë, Presidentja Osmani do të zhvillojë një takim me përfaqësues të mërgatës kosovare, për të bashkëbiseduar me ta për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për të shprehur mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar në fuqizimin e vendit.
Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të akademikut dhe ish-kryetarit të Prishtinës Salih Gashi

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Salih Gashit, ish-kryetar i Prishtinës, një personalitet i spikatur në jetën publike dhe institucionale të shtetit tonë. Profesor Gashi i përkiste brezit, i cili me përkushtim, dije dhe integritet ndërtoi ura në mes dijes dhe shoqërisë. Ai ishte kontribuues i përkushtuar në Universitetin e Prishtinës, figurë e respektuar në qarqet akademike dhe zë i urtë në jetën institucionale e publike të Kosovës. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në arsim, shkencë dhe shoqëri do të mbetet përherë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe frymëzim për brezat që vijnë. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, komunitetit akademik dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë me të. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për akademik Salih Gashin!
Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e masakrave të Grashticës, Nakaradës, Dragaqinës dhe Sopijës

21 prilli i vitit 1999, një ditë, katër vendndodhje, një krim nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë. Në të njëjtën ditë, në pjesë të ndryshme të Kosovës, forcat kriminale serbe vranë me gjakftohtësi dhjetëra civilë të pafajshëm, duke lënë pas vetëm dhimbje, kujtime dhe thirrjen për drejtësi, e cila nuk ka pushuar asnjëherë. Në Grashticë të Prishtinës, nga një kolonë e gjatë e të zhvendosurve nga fshatrat e Gollakut që po përpiqeshin të shpëtonin, u vranë mizorisht 60 burra. Trupat e tyre u hodhën në lumë, një përpjekje makabre për t’i zhdukur gjurmët e krimit. Në Nakaradë të Fushë Kosovës, 16 burra dhe djem të familjes Mirena u ndanë nga të afërmit e tyre dhe më pas u vranë brutalisht. Në Dragaqinë të Suharekë, 11 civilë shqiptarë u torturuan mizorisht e më pas u hodhën në pus, i cili u mbush me mbetje ndërtimore. Krimi u mbulua fizikisht, por kurrë nuk u harrua. Ndërkaq në Sopijë të Suharekës, u vranë 7 anëtarë të familjes Ilazi dhe një i familjes Sopa, viktima të një dhune që synonte zhdukjen e tërë brezave. Këto nuk janë vetëm ngjarje të së kaluarës. Janë plagë të gjalla në kujtesën e Kosovës. Plagë që kërkojnë drejtësi. Plagë që na obligojnë të mos harrojmë kurrë. I përhershëm qoftë kujtimi për martirët!
Urimi i Presidentes Osmani për Pashkët

Të gjithë besimtarëve katolikë dhe ortodoksë, ju uroj nga zemra Pashkë të bekuara, paqe në zemër dhe gëzim në familje! Kjo festë, e cila këtë vit na bashkon në një datë të vetme, na kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë. Qofshin Pashkët një moment reflektimi, afrimi dhe dashurie për të gjithë ne. Gëzuar për shumë mot Pashkët!
Presidentja Vjosa Osmani kujton përvjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj

Sot kujtojmë me nderim heroin e kombit, Sali Çekaj, i cili ra dëshmor në betejën e lavdishme të Koshares. Sali Çekaj ishte një nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shquar për trimëri, besnikëri, bujari dhe dashuri të pakushtëzuar për atdheun. Bashkë me Agim Ramadanin dhe bashkëluftëtarët tjerë, u shqua si strateg i vendosur dhe udhëheqës i guximshëm në frontin e luftës. Heroi Sali Çekaj u përkujtua sot me një akademi përkujtimore të mbajtur nën patronatin e Presidentes Vjosa Osmani. Me dëshmorët që ranë heroikisht dhe luftëtarët trima që shkruan historinë me gjak, do të jemi përjetësisht krenarë. Lavdi përjetë veprës së Heroit Sali Çekaj!
Nga ceremonia e dekorimit të Vasfije Krasniqit, Shyrete Tahirit e Ramadan Nishorit me titullin “Nderi i Republikës”

Nga ceremonia e dekorimit të Vasfije Krasniqit, Shyrete Tahirit e Ramadan Nishorit me titullin “Nderi i Republikës”.