Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Malit të Zi, Bernard Çobaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Malit të Zi në Republikën e Kosovës, z. Bernard Çobaj. Duke i uruar mirëseardhje dhe suksese në detyrën e re, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat janë ndërtuar mbi parime të respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Presidentja vlerësoi mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën në periudha të rëndësishme, duke nënvizuar rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me Malin e Zi në frymën e fqinjësisë së mirë, stabilitetit rajonal dhe integrimit euroatlantik. Ajo shprehu bindjen se gjatë mandatit të ambasadorit Çobaj do të hapen mundësi të reja bashkëpunimi, duke forcuar më tej lidhjet ndërmjet dy shteteve.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Japonisë, Kiminori Iwama

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Japonisë në Kosovë, z. Kiminori Iwama. Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon dhe sfidat e sigurisë, ku Presidentja Osmani falënderoi Japoninë për mbështetjen e saj në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Presidentja Osmani vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë përmes agjencisë JICA, në shumë sfera. Në këtë kontekst, Presidentja e informoi ambasadorin Iwama për vizitën bilaterale në Japoni, të planifikuar gjatë muajit qershor, si dhe pjesëmarrjen në EXPO 2025 në Osaka, në kuadër të kësaj vizite. Ajo theksoi se kjo vizitë do të përkojë me Ditën e Çlirimit të Kosovës më 12 qershor, duke ofruar një mundësi të veçantë për ta promovuar Kosovën dhe për t`i forcuar lidhjet në mes dy shteteve. Më tej, Presidentja nënvizoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, arsimit dhe shkëmbimeve kulturore, duke përmendur ndikimin pozitiv të bursave dhe programeve japoneze për të rinjtë e Kosovës.
Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e masakrës në Sllovi të Lipjanit

Më 15 dhe 16 prill të vitit 1999, në Sllovi të Lipjanit, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen një nga krimet më të tmerrshme të luftës në Kosovë. 45 shqiptarë u vranë dhe u masakruan mizorisht, ndërsa shumë të tjerë u plagosën, vetëm pse ishin shqiptarë. I kujtojmë me respekt jetët e pafajshme që u shuan në ato ditë. Kujtesa për ta është thirrje për drejtësi. Lavdi e përjetshme martirëve të Sllovisë!
Intervista e Presidentes Osmani në Rubikon me Adriatik Kelmendin – 14 prill 2025
Intervista e Presidentes Vjosa Osmani për RTV21 – 14 prill 2025
Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e masakrës në Lagjen e Kovaçëve në Mitrovicë

Më 14 prill 1999, forcat paramilitare serbe masakruan mizorisht 31 banorë të lagjes së Kovaçëve në Mitrovicë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. U masakruan në shtëpitë dhe rrugët e tyre, në lagjen e tyre, aty ku duhej të ndiheshin të sigurt. Këta burra, gra e fëmijë do të kujtohen përherë. Kujtesa për ta është detyrim moral dhe përkushtim ndaj së vërtetës dhe drejtësisë. Krimet e tilla nuk harrohen, ndërkaq drejtësia për ta mbetet synim i vazhdueshëm i yni.
Presidentja: 14 prilli është një ditë që nuk është vetëm kujtim, por edhe kërkim drejtësie, ngritje e zërit për mijëra gra, burra e fëmijë, që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se 14 prilli është një ditë që nuk është vetëm kujtim, por edhe kërkim drejtësie, ngritje e zërit për mijëra gra, burra e fëmijë, që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: 14 prilli është një ditë që nuk është vetëm kujtim, por edhe kërkim drejtësie, ngritje e zërit për mijëra gra, burra e fëmijë, që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Qëndresa dhe guximi i tyre janë inspirim për secilin prej nesh. Vasfija, Shyretja e shumë gra të tjera, e tani Ramadan Nishori e shumë burra, asnjëherë nuk u dorëzuan përballë dhimbjes. Zgjodhën të bëhen zë për veten dhe për të gjithë ata që ende nuk mund të flasin. U bënë zëri i së vërtetës dhe i drejtësisë. Do të jemi me të gjithë të mbijetuarit sot e çdo ditë, në këtë rrugëtim. Plagët janë ende të hapura, por lufta jonë për drejtësi nuk do të ndalet kurrë.
Deklarimi i Presidentes Vjosa Osmani bashkë me Vasfije Krasniqin dhe Shyrete Tahirin në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës
Presidentja Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë Prindon Sadriu morën pjesë në edicionin e katërt të Forumit të Diplomacisë së Antalisë

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe Zonjës së Parë, Emine Erdoğan, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Zotërinë e Parë të Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, morën pjesë në edicionin e katërt të Forumit të Diplomacisë së Antalisë. Gjatë qëndrimit në Turqi, Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë morën pjesë në ceremoninë inauguruese të Forumit si dhe në darkën solemne të organizuar nga Presidenti Erdoğan. Në këto aktivitete, ata patën rastin të takohen me krerë delegacionesh dhe zonja të para të shteteve pjesëmarrëse. Në ditën e dytë të Forumit, Zotëria i Parë, me ftesë të Zonjës së Parë të Turqisë, Emine Erdoğan, mori pjesë në ngjarjen e nivelit të lartë me titull: “Ndërtimi i së ardhmes në një botë të fragmentuar: Fuqia transformuese e edukimit”. Kjo ngjarje kishte për qëllim nxitjen e dialogut për metodat efektive në ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar, gjithëpërfshirëse dhe paqësore, që përgatit gjeneratat e reja për të ardhmen. Përveç diskutimeve me Zonjën e Parë Erdoğan, Zotëria i Parë zhvilloi biseda të frytshme me zonjat e para të vendeve mike, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të tjera të larta pjesëmarrëse në këtë aktivitet. Gjithashtu, Zotëria i Parë mori pjesë në një aktivitet kulturor të organizuar nga Zonja e Parë Emine Erdoğan, ku u prezantuan punime artizanale të krijuesve vendorë. Në këtë aktivitet, ai pati mundësinë të shkëmbejë biseda me Ministren për Çështje Familjare, Mahinur Göktaş, Ministrin e Arsimit të Republikës së Turqisë Yusuf Tekin, ish-presidentë dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Turqia dhe vende të tjera pjesëmarrëse në Forum.
Presidentja: Një falënderim i veçantë për Presidentin Erdogan, Zonjën e Parë Emine Erdogan dhe të gjitha institucionet turke për mikpritjen dhe mbështetjen e shtetit tonë përgjatë Forumit Diplomatik të Antalyas

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar Presidentin Erdogan, Zonjën e Parë Emine Erdogan dhe të gjitha institucionet turke për mikpritjen dhe mbështetjen e shtetit tonë përgjatë Forumit Diplomatik të Antalyas. Presidentja Osmani ka shkruar: Një falënderim i veçantë për Presidentin Erdogan, Zonjën e Parë Emine Erdogan dhe të gjitha institucionet turke për mikpritjen dhe mbështetjen e shtetit tonë përgjatë Forumit Diplomatik të Antalyas, e cila është një platformë e rëndësishme për t`i thelluar raportet tona me aleatët tanë dhe për të krijuar partneritete të reja. Njohja nga Sudani dhe diskutimet konkrete me përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe takime me shumë partnerë të tjerë, dëshmojnë përkushtimin tonë për ndërtimin e miqësive të reja dhe forcimin e aleancave ekzistuese. Kosova çdo ditë e më shumë po e fuqizon pozitën e saj në arenën ndërkombëtare falë punës së pandalshme dhe mbështetjes së miqve që gjithnjë na qëndruan pranë.