presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Mesazhi i Presidentes Jahjaga me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës

Me 9 maj shënojmë 63 vjetorin e nisjes së projektit historik për krijimin e Bashkimit Evropian. Kjo ditë, që njihet si Dita e Evropës, simbolizon aspiratat e popujve të Evropës për të jetuar në paqe, demokraci dhe prosperitet, bazuar në vlerat e përbashkët të lirisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të drejtave të njeriut.

Kjo datë i gjen qytetarët e Republikës së Kosovës të bashkuar rreth këtyre vlerave dhe vizionit të integrimit në familjen evropiane. Na gjen në një moment të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit tonë, në prag të hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, që konfirmon suksesin e arritur deri më tani dhe që hapë rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Integrimi në BE varet prej nesh, prej institucioneve dhe qytetarëve, prej vullnetit dhe angazhimit tonë për të dëshmuar se jemi pjesë e Evropës dhe vlerave të saj. Nuk ka një rrugë të shkurtër për anëtarësim në BE dhe ne nuk jemi të interesuar për një të tillë. Ne jemi të interesuar t’i plotësojmë të gjitha kushtet, sepse vetëm kështu mund të krijojmë një shtet të qëndrueshëm, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe një demokraci të konsoliduar. Reformat që duhet t’i ndërmarrim janë jo vetëm për hir të integrimit evropian, por për mirëqenien tonë, për qytetarin tonë dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja. Në këtë ditë ne shprehim mirënjohjen tonë për institucionet dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian në rajon dhe perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës. Vizioni historik i një Evrope të bashkuar dhe në paqe nuk do të jetë i kompletuar përderisa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e saj.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.