DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Reagim i Zyrës Ligjore të Presidentes në shkrimin autorial të zëvendëskryeministres Mimoza Kusari – Lila

(Ky reagim i adresohet shkrimit të Mimoza Kusari – Lilës, zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, me titull “Kthesa e duhur”, botuar në gazetën “Tribuna” të datës 3 maj 2013. Reagimi është dërguar me kohë, por redaksia e gazetës nuk e ka publikuar atë).

Republika e Kosovës është shtet që e ka të rregulluar me ligj ekonominë e tregut të lirë. Parim bazë i këtij rregullimi është që “dora e padukshme” e tregut të lirë duhet të përcillet me një “dorë të dukshme” të garancisë institucionale dhe ligjore të po këtij tregu, të bindur se ekonomia e tregut të lirë shkon paralelisht me vendosjen dhe respektimin e rendit dhe ligjin. Ky gërshetim tashmë ekziston në legjislacionin tonë. Për këtë Kushtetuta e Republikës së Kosovës, duke ndjekur parimin e kontrollit dhe balancit, ka përcaktuar zinxhirin e ligjbërjes. Ky parim është I domosdoshëm për të krijuar garancinë e kushtetutshmërisë dhe respektimin e vlerave demokratike mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës. Ligji nr. 04/L-163, për Mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor për të cilin shkruan Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Kosovës, znj. Mimoza Kusari-Lila, është kthyer në Kuvendin e Kosovës, jo për shkak të përmbajtjes, por për shkak të formës së një neni të caktuar që ndikon në zbatimin e tij. Ky Ligj përveç dispozitave përmban edhe Aneksin i cili specifikon llojet e mallrave të liruara nga dogana. Në nenin 4 të Ligjit thuhet se”Në raste të veçanta Qeveria e Republikës Kosovës në konsultim me Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mund të ndryshojë Aneksin I të këtij ligji’’ (pa e pasur miratimin e Kuvendit). Më lart, Neni 3 i Ligjit përcakton se Aneksi është pjesë përbërëse e Ligjit. Pra, ndryshimi i Aneksit nënkupton ndryshimin e vet Ligjit. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka arsyetuar se është e mendimit që ky nen bie ne kundërshtim me Nenin 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, e veçanërisht me paragrafin 2 ku ceket shprehimisht se “Kuvendi i Republikës së Kosovës ushtron pushtetin legjislativ” (pra jo Qeveria me Komisionin Parlamentar siç është përcaktuar me këtë ligj – v.j.). Për shkak të formulimit të nenit 4, i cili në esencë i jep pushtet legjislativ Qeverisë, Presidentja e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të saj Kushtetuese – nenit 80 dhe nenit 84 pika 6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – e ka kthyer këtë ligj për rishqyrtim. Për të evituar keqkuptime, në arsyetimin për kthimin e ligjit është theksuar se Presidentja nuk ka vërejtje me përmbajtjen e pjesës tjetër të Ligjit dhe as me përmbajtjen e Aneksit të Ligjit, respektivisht listën e mallrave të liruar nga dogana.Në arsyetimin e kthimit të ligjit është insistuar në respektimin e ndarjes së pushteteve, pra në ruajtjen e parimit të respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë që nënkupton, para së gjithash, supremacinë absolute të ligjit mbi çdo lloj arbitrariteti jashtë Gjyqësorit ose ndonjë autoriteti diskret të ligjbërjes nëse nuk e lejon ligji shprehimisht. Zyra e Presidentes vlerëson se ruajtja e ndarjes së pushteteve dhe ligjet që përpilohen në frymën e ekonomisë së tregut të lirë janë parakushte për të joshur investimeve të drejtpërdrejta të huaja në Kosovë. Funksionimi institucional i kontrollit dhe balancit i jep rehati investitorëve të huaj të cilët janë të interesuar që investimet e tyre të jenë të mbrojtura. Zyra e Presidentes ka arsyetuar kthimin duke u bazuar në këto parime. Presidentja e Republikës është përkrahëse e këtij sistemi ekonomik dhe siç e ka dëshmuar deri më tash mbështetë lirimin e disa mallrave nga dogana për të zhvilluar ekonominë vendore por edhe për të joshur kapitalin e huaj në Kosovë. Por, para së gjithash Presidentja kujdeset për aspektin e qëndrueshmërisë dhe afatgjatësisë ekonomike, me ç‘gjë e ngarkon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ky ligj është dashur të sillet më herët kështu dëmet e shkaktuara për mungesën e këtij ligji për të cilat flitet do të ishin shumë më të vogla.  Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës nuk do të jetë pjesë e përpjekjeve, qofshin ato me apo pa dashje, për ta anashkaluar Kuvendin e  Kosovës dhe përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës, si institucionin e vetëm ligjvënës, për ta vënë këtë fuqi në duar të organizmave që nuk e kanë këtë autoritet. Përkundër vullnetit tonë të gjithëmbarshëm për të joshur investime të huaja në Kosovë dhe për ta shpejtuar zhvillimin ekonomik të vendit, këtë nuk duhet ta bëjmë në dëm të rendit tonë kushtetues dhe demokracisë tonë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.