Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e priti sot në një takim përpara nisjes për në Bruksel, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçi, i cili e njoftoi për implementimin e Marrëveshjes të arritur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që u arrit nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve. Kryeministri Thaçi theksoi se pret që në takimin me Kryeministrin e Serbisë, Daçiq, do të merren vesh dhe do t’i japin shtytje zbatimit të marrëveshjes, e cila është në interes të të gjithë qytetarëve dhe në interesin e të dy shteteve sovrane dhe të pavarura, në interes të paqes dhe të stabilitetit në rajon.
Kryeministri i Kosovës e shprehu qëndrimin se zgjedhjet komunale do të mbahen në të njëjtën ditë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe se implementimi i marrëveshjes për policinë, për drejtësinë dhe për të gjitha çështjet e tjera të përcaktuara qartë, do të bëhet në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjet e shtetit të Kosovës sipas procedurave të parapara.Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i dha mbështetjen e plotë institucionale Kryeministrit të Kosovës për gjithë procesin e dialogut, duke theksuar se marrëveshja e arritur dhe zbatimi i saj është në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim, është në interes të zbatimit të rendit dhe të ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe është kontribut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane dhe të pavarura që, duke zhvilluar raporte të mira fqinjësore, ndikojnë në relaksimin e marrëdhënieve dhe ndihmojnë në rrugën e integrimeve evropiane.Presidentja Jahjaga theksoi se është zgjidhje e mirë që me marrëveshje është paraparë që zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës të mbahen brenda këtij viti, që është në përputhje me mandatin aktual dhe se shpallja e datës së zgjedhjeve do të bëhet brenda afatit ligjor duke pasur parasysh vullnetin e partive e subjekteve politike dhe përgatitjeve të nevojshme të KQZ-së dhe të OSBE-së. Me këto zgjedhje qytetarët me votën e tyre zgjedhin përfaqësuesit legalë dhe legjitimë, strukturat e pushtetit komunal, duke shpërndarë njëkohësisht të gjitha strukturat ilegale dhe paralele të Serbisë në këtë pjesë të territorit të Kosovës, tha Presidentja Jahjaga.