presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi Zyrën Administrative të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Mitrovicën e Veriut

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot Zyrën Administrative të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Mitrovicën e Veriut. Ajo u prit nga shefja e kësaj zyre, Adrijana Hodzic dhe drejtues të tjerë të saj.

Presidentja Jahjaga dhe shefja e Zyrës Administrative, Adrijana Hodzic, biseduan për punën dhe angazhimin e Zyrës dhe çështjet që ndërlidhen me këtë zyrë. Presidentja Jahjaga e përgëzoi zonjën Hodzic në përvjetorin e hapjes së Zyrës dhe e vlerësoi punën e zyrës dhe rolin e saj në shërbim të qytetarëve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Ajo i dha mbështetje të plotë punonjësve të Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut në kryerjen me përgjegjësi të detyrave në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Shefja e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës, zonja Adrijana Hodzic, duke e falënderuar Presidenten Jahjaga për vizitën, tha se për zyrën dhe punonjësit e saj është me rëndësi të madhe mbështetja institucionale dhe përkrahja konkrete e saj. Ajo e njoftoi Presidenten për gjithë punën dhe angazhimin e gjithë zyrës dhe shërbimet që ajo po u ofron qytetarëve në Mitrovicën e Veriut. Në vazhdim, Presidentja Jahjaga mori pjesë në ceremoninë e organizuar në njëvjetorin e themelimit të Zyrës Administrative të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Mitrovicën e Veriut. Në ceremoni morën pjesë zëvendëskryeministrat Slobodan Petroviq e Mimoza Kusari-Lila, ministrja Vlora Çitaku, e zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të tjera, ambasadorja e SHBA në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu, ambasadorja e Turqisë, Songul Ozan, ambasadorë e përfaqësues të tjerë të akredituar në vendin tonë, si dhe mysafirë të tjerë. Në një fjalim të mbajtur në këtë ceremoni, Presidentja Jahjaga tha:  Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Republikës së Kosovës,Ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,Përfaqësues të KFOR-it,  EULEX-it dhe UNMIK-ut,Përfaqësues të Policisë së Kosovës, të gjykatave,Kryetarë të Komunave të Kosovës,Përfaqësues të bashkësive fetare,Të nderuar të pranishëm,E nderuara Zonja Hodzic dhe i gjithë personeli i Zyrës Administrative të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, E vlerësojmë si sukses punën njëvjeçare të Zyrës Administrative të Republikës së Kosovës që u hap me vendim të Qeverisë në Mitrovicën e Veriut. E përgëzojmë znj. Hodzic dhe gjithë stafin e saj për përkushtimin dhe punën shumë domethënëse në shërbim të qytetarëve në zbatim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Zyra Administrative në Mitrovicën e Veriut e shpreh përkushtimin tonë që secilit qytetar t’i ofrojmë të gjitha shërbimet, që ia lehtësojnë jetën dhe punën. Kjo zyrë me punën e saj ka ngritur besimin dhe respektimin  e qytetarëve në institucionet e shtetit tonë, sepse në mënyrë të shpejtë dhe të saktë i ka kryer të gjitha shërbimet në bazë të kërkesave të qytetarëve duke pasur një efikasitet të lakmueshëm në punët administrative. Vi gospodjo Hodzic i sluzbenici ove kancelarije podigli ste ugled nasih institucija u sluzbi gradjana – radeci marljivo, posteno i neumorno, resavajuci svaki zahtev, izavsi u susret svim gradjanima bez obzira na njihovu nacionalnu i versku pripadnost. Të nderuar të pranishëm,Marrëveshja e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në dobi të gjithë qytetarëve pa dallim, është kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe ndihmon në vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit në çdo pjesë të vendit. Ovim sporazumom nema gubitnika, svi smo dobitnici – jedino na ovaj nacin mozemo izgraditi svetliju buducnost. Marrëveshja është gjithëpërfshirëse dhe në zbatimin e saj palët do t’i përmbushin plotësisht  obligimet e tyre. Mbajtja e zgjedhjeve lokale brenda këtij viti në të gjitha komunat e Kosovës, duke përfshirë edhe komunat e Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, do të shënonte mbylljen e një kapitulli të së kaluarës dhe hapjen e një perspektive të re evropiane të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Kjo mundëson ndërtimin e politikave të qarta zhvillimore dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Kjo mundëson zgjedhjen e organeve legale dhe legjitime që i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe që mundëson integrimin e plotë të komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës. Në këtë e kemi ndihmën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Republika e Kosovës është e sigurt në rrugën e integrimeve euroatlantike, duke e pasur perspektivën e qartë të gjitha vendet e rajonit, duke bashkëpunuar dhe duke ndërtuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë e krijojnë perspektivën e përbashkët të integrimit në Bashkimin Evropian. Rruga Evropiane nuk ka alternativë për vendet dhe popujt e rajonit. Ky është zhvillim, standard dhe garanci e ndërtimit të shoqërive demokratike. Republika Kosovo je drzava svih njenih gradjana, slobodni i ravnopravni:  Albanaca, Srba, Bosnjaka, Turaka, Roma, Ashkalija, Egipcana, Gorana, Crnogoraca, Hrvata – i svih drugih – koji vekovima zajedno zivimo na ovim prostorima saradjujuci i prozimajuci se medjusobom. Kosovo je nasa zajednicka domovina i svi smo odgovorni za njenu buducnost. Hvala vam,Faleminderit dhe urime këtë përvjetor.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.