presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Jahjaga: Veprimtaria e dëshmorëve do të jetë udhërrëfyes për të gjithë ne

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të shënimit të pesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi dhe delegacionin e institucioneve shtetërore dhe të partive politike, ka bërë sot homazhe në varrezat e dëshmorëve në disa lokalitete të Kosovës.

Homazhet kanë filluar te varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe varrezat e dëshmorëve në Prekaz dhe kanë vazhduar te varrezat e dëshmorëve në Klinë, Pejë, Gllogjan, Landovicë, Reçak, si dhe te shtatorja e Heroit të Kosovës Zahir Pajaziti dhe te varri i ish-Presidentit Rugova.“Kemi ardhur sot të gjithë këtu së bashku që në festimin e pesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës të vendosim një buqetë me lule dhe një kurorë në vendin ku prehen dëshmorët, luftëtaret e lirisë dhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari”, u shpreh Presidentja Jahjaga në një deklaratë pas homazheve në Prekaz.“Liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës themelet i ka pikërisht në punën dhe veprimtarinë e këtyre kolosëve që nuk kursyen asgjë duke bërë edhe sakrificën më sublime për shtetin e Kosovës, që të jetë një shtet i lirë, një shtet sovran, një shtet që ka të ardhmen e sigurt drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përjetshme me SHBA-të. Lavdi të përjetshme për të gjithë dëshmorët. Veprimtaria e tyre do të jetë udhërrëfyes për të gjithë ne dhe gjeneratat e ardhshme”, tha Presidentja Jahjaga.Ndërsa, duke folur në Gllogjan, Presidentja Jahjaga ka theksuar: “Erdhëm sot këtu, të gjithë së bashku, që të shprehim nderimin tonë si institucione të Republikës së Kosovës për të gjithë këta burra dhe gra që u flijuan për atdhe dhe për lirinë e Republikës së Kosovës, që në këtë ditë të pesëvjetorit të kremtimit të pavarësisë t’ju themi që ideali dhe e gjithë ajo për çka këta u sakrifikuan u bë realitet. Kosova sot është shtet i lirë, i pavarur dhe sovran dhe që ka miq të fuqishëm që janë SHBA-të dhe vendet e BE-së”.“Ne si liderë dhe udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës përkulemi para veprës të të gjithë këtyre dëshmorëve dhe marrim forcën dhe guximin që t’i kalojmë të gjitha ato vështirësi dhe pengesa për t’i përmbushur të gjitha ato nevoja dhe kërkesa të popullit tonë. Nderim dhe respekt i veçantë”, tha Presidentja Jahjaga.Ndërsa, duke folur pas homazheve para varrit të ish-Presidentit Rugova, Presidentja Jahjaga tha: “Jemi këtu sot që në pesëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, të nderojmë Presidentin e parë, Presidentin historik të Republikë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova”.“Dr. Ibrahim Rugova me platformën e tij politike për liri, pavarësi dhe demokraci mobilizoi si asnjëherë më parë në historinë e shtetit tonë popullin, duke e orientuar atë drejt vlerave të mirëfillta të vendeve të Bashkimit Evropian, duke e orientuar popullin tonë që të jetë një vend i lirë, një vend sovran dhe një shtet i pavarur dhe duke vendosur miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha Presidentja Atifete Jahjaga.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.