presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALIMI I PRESIDENTES SË KOSOVËS NË HAPJEN E KONFERENCËS NDËRFETARE NË PEJË

Kam nderin që t’ju uroj mirëseardhje në Kosovë, përfaqësues të feve të ndryshme në Kosovë dhe në botë, dijetarë dhe njerëz të vullnetit të mirë, të cilët jeni mbledhur së bashku që të ushqeni dhe promovoni multikulturalizmin, dialogun ekumenik, një kulturë të bashkëjetesës dhe pajtimit.

Të nderuar lider të komunitetit fetar, Ipeshkv Gjergji, Myfti Tërnava, Peshkop Teodosije, zoti Krasniqi dhe zoti Demiri,

Të nderuar përfaqësues dhe lider të komuniteteve fetare në rajon dhe më gjerë,

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Kosovës,

Të nderuar Ambasador dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,

Të nderuar mysafirë,

Të nderuar pjesëmarrës të konferencës,

Zonja dhe Zotërinj,

Kam nderin që t’ju uroj mirëseardhje në Kosovë, përfaqësues të feve të ndryshme në Kosovë dhe në botë, dijetarë dhe njerëz të vullnetit të mirë, të cilët jeni mbledhur së bashku që të ushqeni dhe promovoni multikulturalizmin, dialogun ekumenik, një kulturë të bashkëjetesës dhe pajtimit.

Kjo konferencë ndërfetare e cila po mbahet në Pejë, si pjesë e Javës Kosovare të Tolerancës, është angazhim i yni i përbashkët që me shembuj të potencojmë faktin se një dialog kuptimplotë e përforcon paqen, respektin e dyanshëm dhe mirëkuptimin në mes të komuniteteve të ndryshme  dhe është realisht i mundshëm. Ne nuk duhet të shikojmë shumë larg që t’i shohim këta shembuj. Siç do ta dëshmojnë shumë pjesëmarrës besimtarë, Kosova posedon një traditë unike të tolerancës ndërfetare.

Kjo traditë shprehet në vlerat arkitektonike, në trashëgiminë tonë kulturore, në objektet e kultit dhe është një testament dëshmues i jetesës sonë të përbashkët përgjatë shekujve.

Si shoqëri, ne kemi një traditë të ruajtjes së trashëgimisë sonë unike të cilën e konsiderojmë një pasuri tonën të përbashkët.

Kjo traditë është poashtu thellë e rrënjosur në historinë tonë gojore, në historitë e manastireve ortodokse të mbrojtura nga klanet Shqiptare nga okupimi otoman. Të festimeve dhe riteve fetare në të cilat gjithsecili – të krishterë dhe myslimanë, ishin të ftuar që të festojë bashkërisht. Dhe në shkëmbimin e vizitave fqinjësore në festat reciproke , për të treguar respekt për besimet fetare të tjetrit.

Në jetën tonë të përditshme, ne ishim gjithmonë pranë njëri tjetrit, dhe besimi ishte çështje përkatësie, çështje sa private po aq edhe shoqërore, e cila i ka mbajtur komunitetet së bashku.

Jo shumë kohë më parë, në historinë e re të Kosovës, ne ishim të përfshirë në luftë dhe konflikt. Lufta ka lënë shumë vrragë të thella dhe shumë çështje të pazgjidhura, duke përfshirë edhe nevojën për t’i rindërtuar lidhjet të cilat e mbajnë së bashku tërë strukturën e shoqërisë sonë dhe të adresojmë mosbesimin i cili është mbjellë në mes nesh.

Si udhëheqës të Kosovës, ne i jemi qasur kësaj detyre të rindërtimit të lidhjeve tona me pikëpamjen se bashkëjetesa jonë është më e gjatë së sa periudha e mosmarrëveshjeve mes nesh, se paqja dhe stabiliteti nuk mund të ndërtohen me kërcënime dhe presione, se prosperiteti ekonomik dhe vlerat dhe idealet e demokracisë nuk mund të jetësohen pa ndërprerje të armiqësive.

Dhe kjo nuk do të mund të ndodhë pa pajtim historik në mes të shteteve dhe në mbarë regjionin- duke mos e harruar historinë dhe sakrificën e shumë gjeneratave për ruajtjen e lirisë – por me premtimin se lufta kurrë nuk duhet ta zëvendësojë dialogun dhe se e kaluara e hidhur, përplot viktima dhe vuajtje, nuk duhet të përsëritet kurrë.
 
Me vrull të madh jemi duke u munduar që ta ndërrojmë drejtimin e historisë sonë të vonshme, ta lëmë urrejtjen pas nesh, së bashku me humbjet dhe vuajtjet që kanë prekur jetët tona. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, sepse shumë plagë janë akoma të hapura dhe kujtimi i vuajtjeve është ende i freskët. Poashtu, drejtësia nuk është vënë plotësisht në vend akoma.

Por dialogu dhe ndërtimi i besimit të ndërsjellë mbetet mundësia e vetme për ta detyruar secilin nga ne që t’i marrë përsipër përgjegjësitë të cilat i kemi ndaj njëri tjetrit dhe të sillemi në mënyrë të përgjegjshme ndaj fqinjëve tanë.

Është po kjo bindje e thellë e cila nuk na lejon që t’ia kalojmë barrën e armiqësive të vjetra gjeneratave të reja dhe është po kjo bindje e cila na detyron që t’i rindërtojmë lidhjet në mes të komuniteteve të ndryshme.
 
Në këtë përpjekje tonën, udhëheqësit fetare këtu në Kosovë, mund të kontribuojnë shumë.

Të dashur pjesëmarrës të konferencës,
Të nderuar mysafirë,

Diversiteti fetar, kulturor dhe kombëtar i Kosovës, është vlera jonë më e madhe. Mbrojtja e drejtave të të gjithë qytetarëve është gdhendur në kushtetutën tonë. Toleranca dhe bashkëjetesa paqësore janë përforcuar si bindje dhe besim në vendin tonë.

Sot, ne jemi duke ndërtuar një popull të përkushtuar ndaj paqes dhe mirëkuptimit, kultivimit të bashkëjetesës së kulturave dhe besimeve. Ne jemi të përkushtuar që ti vëmë themelet e një të ardhmeje të qëndrueshme për të gjithë qytetarët tanë. Ne dëshirojmë që të lëmë pas nesh një vend prosperues, pa gjurmë të urrejtjes dhe mbetje të mospajtimeve të kaluara për gjeneratat e ardhshme. Ne jemi të vendosur që t’i japim të ardhmes sonë të përbashkët një pamje të ndryshme – atë të përparimit dhe respektit të ndërsjellë.

Ne jemi duke ndërtuar një shoqëri të karakterizuar me paqë dhe tolerancë – tolerancë në mes njerëzve të Kosovës si dhe tolerancë në mes të qytetarëve të komuniteteve dhe feve të ndryshme, tolerancë e cila do ta rifitojë besimin e lëkundur mes njëri tjetrit. Ne jemi të vendosur dhe të zotuar për paqe dhe liri.

Ne jemi duke ndërtuar një shoqëri multikulturore, një shtet të fortë dhe prosperues, për secilin qytetar të vendit tonë,  një popull  i cili fetë i konsideron si pasurinë më të madhe dhe ku liria fetare është vlera jonë kryesore.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.