Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori sot pjesë në ceremoninë e hapjes së fondacionit për shkollimin e vajzave “Çifti Buçinca”. Në këtë ceremoni Presidentja Jahjaga për kontributin e dhënë në fushën e arsimit dhe në emancipimin e gruas, zonjën Naxhie dhe zotëri Fahri Buçinca i nderoj me Medaljen presidenciale të meritave.
Në këtë ceremoni Presidentja Jahjaga tha: Të nderuar të pranishëm, E nderuara Zonja Naxhie dhe Zotëri Fahri,Përpjekjet e shoqërisë kosovare për të arritur barazi gjinore në dekadën e fundit kanë shënuar suksese të pamohueshme. Gruaja kosovare, e cila ka njohur vuajtjet e luftës dhe situatat dramatike të jetës me mungesa të mëdha, ka qenë pjesë qenësore e të gjitha proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova, që nga periudha e rezistencës e deri te lufta çlirimtare, përfshirë këtu edhe periudhën tranzitore, rimëkëmbjen morale të pasluftës dhe ruajtjen e familjes dhe të vlerave të saj, por mbi të gjitha të qenit pjesë esenciale e ndërtimit të shtetit demokratik, i cili i ofron mundësi të barabarta secilit qytetar. Me praninë dhe me angazhimin e gruas në këto zhvillime që kërkuan shumë sakrificë, Kosova është bërë një vend më i mirë dhe vend që frymon më lirshëm.Gruaja në Kosovë është bërë simbol i paqes dhe pajtimit, forcë shtytëse e ndryshimeve dhe e zhvillimit në shoqërinë tonë dhe ndërmarrëse e suksesshme në fusha të ndryshme. Në këtë fuqizim kontribuan shumë vizionarë, si brenda ashtu edhe jashtë institucioneve, duke rritur praninë e gruas në jetën publike dhe para së gjithash, duke krijuar kushtet që ajo në shoqërinë tonë të ketë mundësitë e barabarta. Në këtë kontekst, sonte dua të njoh angazhimin dhe punën e palodhshme të bashkëshortëve Naxhie dhe Fahri Buçinca, që ndihmuan me qindra vajza të vazhdojnë dhe mbarojnë shkollimin, duke dhënë kontribut të çmueshëm në emancipimin e gruas — faktor themelor për përparimin e gjithë shoqërisë. Si shtet i ndërtuar në parimin qytetar, institucionet e Republikës së Kosovës i kanë kushtuar rëndësi përmirësimit të pozitës së gruas dhe sidomos përfaqësimit të saj në sferën e vendimmarrjes.Shoqëria e Kosovës nuk mund të ecë përpara dhe nuk mund të jetë një shoqëri e lirë e demokratike nëse barazia gjinore nuk arrihet në secilin dimension të jetës.Të nderuar të pranishëm,Si shoqëri duhet ta dimë se përkushtimi ynë për ta bërë gruan të barabartë dhe pjesë të vendimmarrarjes, arrihet përmes krijimit të politikave të balancuara që garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e çdo qytetari. Pesha dhe përgjegjësia për të triumfuar ndaj praktikave diskriminuese të një kohe të shkuar, bie mbi çdonjërin prej nesh pa dallim, si në familje po ashtu në jetën publike. Duhet të krijojmë një ambient të përshtatshëm duke luftuar të gjitha botëkuptimet diskriminuese dhe duhet të fuqizojmë gruan duke e bërë plotësisht të barabartë në shoqëri. Fondacioni “Cifti Bucinca” për shkollimin e vajzave është një kontribut konkret në arsimimin dhe në aftësimin e femrës për të arritur këtë qëllim të gjithmbarshëm.Unë jam e bindur se një vend mund të përparoj vetëm nëse gruaja është e arsimuar, e edukuar, e punësuar dhe ekonomikisht e pavarur. Juve Çifti Buçinca, dua t’iu përgëzoj për sukseset që keni arritur, për vullnetin dhe përkushtimin e treguar, për gatishmërinë për të themeluar Fondacionin për shkollimin e vajzave, duke vazhduar kështu simbolikisht traditën e atdhetarit Hasan Prishtina. Zonja Naxhie, Zoti Fahri, për kontributin tuaj dhënë në fushën e arsimit dhe në emancipimin e gruas, ju nderoj me Medaljen presidenciale të meritave.Ju dëshiroj jetë të gjatë, shëndet dhe suksese, dhe gëzime me familjen dhe me miqtë Tuaj.