Kam nderin që në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës të pranoj këtë dhuratë dhe t’ju falënderoj që “Gurin e Paqes” e sollët në Prishtinë, në shenjë miqësie të sinqertë midis popujve të të dyja vendeve tona.
Të nderuar të pranishëm,Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së KosovësTë nderuar ambasadorë, Kam nderin që në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës të pranoj këtë dhuratë dhe t’ju falënderoj që “Gurin e Paqes” e sollët në Prishtinë, në shenjë miqësie të sinqertë midis popujve të të dyja vendeve tona. Ky Gur nga rrugët e Hiroshimës, që sot po vendoset këtu, simbolizon dëshirën për paqe të qytetarëve të vendit tim. Ky gur e bart simbolin që lufta të mos ndodh asnjëherë, por gjithmonë në mes njerëzve të mbretërojë paqja. Prishtina sot iu bashkua qyteteve të tjera të botës, që e kanë këtë simbol të paqes. Nuk ka simbolikë më të qëlluar sesa kjo për të filluar “Javën e tolerancës dhe të pajtimit”. Paqja gjithmonë shoqërohet me tolerancë, mirëkuptim e solidaritet mes njerëzve. Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, për një jetë dinjitoze, të lirë dhe të barabartë për të gjithë njerëzit pa dallim. Qytetarët e Kosovës e dinë shumë mirë se sa e shtrenjtë dhe e vlefshme është liria, sa domethënëse është paqja dhe sa i dhimbshëm por edhe sa i nevojshëm është pajtimi, sepse edhe sot, 14 vjet pas çlirimit, e kemi të pambyllur plagën për të ditur fatin e të pagjeturve, krahas viktimave dhe pasojave shumë të rënda që shkaktoi lufta. Kosova është shtet shumetnik, shumëfetar dhe shumëkulturor. Toleranca, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa midis të gjithë qytetarëve pa dallim është vlerë me të cilën mburremi dhe mbi bazën e së cilës kemi ndërtuar shtetin tonë. Këto janë vlerat që ne i sjellim si shteti më i ri i Evropës, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë. Në këtë ditë, shprehim respekt dhe i përkujtojmë viktimat e të gjitha konflikteve kudo nëpër botë. Ata na përkujtojnë se sa e brishtë mund të jetë paqja dhe sa lehtë mund të vihet në rrezik jeta e njeriut. Konfliktet nuk rrezikojnë vetëm jetë njerëzish, por shkatërrojnë tërë shoqërinë, shkatërrojnë themelet e një shteti duke privuar jo vetëm të tashmen, por dhe të ardhmen e gjeneratave të tëra. Me vendosjen e Gurit të Paqes në vendin e vet, në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, ne me këtë gjest simbolikisht bashkohemi dhe jemi një me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, me popujt paqedashës, përtej dallimeve racore, fetare, gjuhësore apo kulturore.