Përshëndetje për të gjithë!
I nderuar kryeministër Kurti,
I nderuar ministër Vitia,
Shumë e dashur znj.Nafije,
Të nderuar ambasadorë,
Zonja dhe zotërinj,
Zonja të dashura në veçanti, që na bashkoheni në secilin marsh të përvitshëm,
Është nder për mua që të qëndroj para jush sot, teksa jemi mbledhur për të marshuar edhe sivjet, duke ngritur zërin bashkërisht në luftën kundër kancerit të gjirit.
Në këtë ditë, ne të gjithë marshojmë me një qëllim të përbashkët, për ta rritur ndërgjegjësimin, por edhe për ta mbështetur secilën apo secilin që përballet me betejën kundër kancerit.
Si Presidente jam thellësisht e përkushtuar që të qëndroj pranë jush në këtë luftë të vështirë, por luftë të cilën jo vetëm që do ta përballojmë, por do ta fitojmë bashkërisht. Është një angazhim që e bëjmë secili çdo ditë – jo vetëm për ta rritur ndërgjegjësimin, por edhe për të ndërmarrë veprime konkrete, kuptimplota që ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për ato që kanë më së shumti nevojë.
Prandaj, edhe për të tretin vit radhazi, Presidenca, së bashku me organizatën “JETA/VITA”, kanë dhuruar pako onkologjike për gratë e prekura nga kanceri i gjirit, kurse Ministria e Shëndetësisë ka udhëhequr përpjekjet për veprime konkrete dhe përmirësime në Repartin e Onkologjisë.
Tani është radha që në buxhetin e ardhshëm të Republikës së Kosovës t’i miratojmë të gjitha kërkesat për barna shtesë që i ka pikërisht kjo Onkologji, në mënyrë që sa më shumë të lehtësohet kjo betejë e pacientëve.
Ky marshim është një dedikim për gratë stoike të mbijetuara, por edhe shenjë kujtimi për të gjitha ato që i kemi humbur dhe mbështetjen e atyre që ende përballen me këtë sfidë.
Hapat që po bëjmë sot dëshmojnë fuqinë e mobilizimit kundër kësaj të keqeje, por edhe shpresën, shpresën për një të ardhme ku kanceri nuk përbën më kërcënim për jetët tona.
Zbulimi i hershëm është mbijetesë, siç e themi gjithnjë, sepse është një realitet tashmë i dëshmuar edhe nga shkenca, por është edhe kujtesë në funksion të jetëgjatësisë, prandaj nuk duhet lejuar që vonesa të jetë opsion.
Sa më shpejt që të zbulohet, aq më shpejt mund të reagohet dhe të veprohet për ta rritur gjasën për mbijetesë.
Bashkërisht me Qendrën Kosovare për Luftën Kundër Kancerit të Gjirit “JETA/VITA”, jemi sërish këtu për ta riafirmuar mesazhin tashmë të njohur se zbulimi i hershëm shpëton jetë.
Këtë mesazh ia përcjellim secilës gruas në çdo cep të Kosovës. Mos prisni, kontrollohuni, merrni masa!
Asnjë grua nuk duhet të jetë e vetme në këtë përballje. Ato që e kanë kaluar këtë rrugëtim jo të lehtë janë dëshmitare të fuqisë, të kurajës, të guximit në përballje me kancerin.
Secila nga to, momentet më të zorshme në jetë i kanë kthyer në motiv për jetën dhe frymëzim për çdokënd tjetër që përballet sot me këtë sfidë.
Secila nga to është një histori, histori e të prekurve nga kanceri që tregon në të njëjtën kohë një forcë të pabesueshme, guxim të paepur dhe shpresë që refuzon të zbehet, pavarësisht vështirësive. Këto histori janë një dëshmi e aftësisë së shpirtit njerëzor jo vetëm për të duruar, por mbi të gjitha, për të kapërcyer sfidat e vështira të jetës.
Prandaj, le të marrim frymëzim nga guximi i këtyre grave për t`u siguruar që mbështetja jonë ndaj tyre të mos kufizohet as nga koha e as nga burimet.
Ju faleminderit që jeni bashk
uar sot në këtë marsh!
