presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe MCC-së

I nderuar Kryeminstër, z.Kurti
I nderuar Kongresmen Keating
E nderuara shefe ekzekutive e MCC-së, zonja Albright
E nderuara ministre Rizvanolli
Zonja dhe zotërinj

Faleminderit për mikpritjen në këtë ndërtesë të mrekullueshme që bart kaq shumë histori. Ndërtesë kjo, e cila është sinonim i shpresës, punës së palodhur dhe ambicies.

Jam vërtet e kënaqur që jam këtu me ju në Kongresin e SHBA-ve, në të njëjtin institucion që pati rol kryesor dhe i cili dha kontribut thelbësor për lirinë e pavarësinë tonë dhe i cili vazhdon të na mbështesë sot e kësaj dite.
Republika e Kosovës, një shtet sovran, një demokraci e zhvilliar  dhe një ekonomi në rritje, është krenare dhe e nderuar që i ka në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Do të na dëgjoni teksa përsërisim vazhdimisht se SHBA-të janë aleati ynë më i fortë dhe se dy vendet dhe popujt tanë gëzojnë një lidhje unike, si dhe një partneritet që vërtetë që i ka rezistuar kohës.

Kjo ceremoni konfirmon edhe një herë se çfarë ngërthen në vete kjo marrëdhënie: ngërthen në vete qëndrimin pranë  njëri-tjetrin dhe të qenit aty për njëri-tjetrin në kohë të mira dhe në kohë të vështira.

Sot, SHBA-të, nëpërmjet MCC-së, e rikonfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Republikën tonë të re dhe gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar të avancojmë më tej ekonomikisht dhe të zhvillohemi në mënyrë të qëndrueshme. Të qëndrosh pranë nesh sot dhe të na mbështesësh në përpjekjet tona për të përqafuar një tranzicion të suksesshëm, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të energjisë, do të thotë që të vazhdosh të punosh në mënyrë strategjike e të ndërtosh mbi ato që tashmë i kemi arritur bashkërisht përgjatë viteve.

Përballja me sfidat e tranzicionit energjetik, hartimin e politikave të duhura, përgatitja e fuqisë punëtore për nevojat e së ardhmes, por më e rëndësishmja, ruajtja dhe garantimi i sigurisë energjetike, mbeten disa nga sfidat që po na shqetësojnë kaq shumë.

Në kontekstin e zhvillimeve të sigurisë në Evropë dhe rrjedhimisht në mbarë botën, ndërhyrjet e zgjuara dhe me kohë në sektorin e energjisë në këtë periudhë mund të kthehen në trashëgiminë më të rëndësishme të brezit tonë.

Tash është koha që t`i bëjmë gjërat më mirë, të miratojmë politika të mençura dhe t`i adresojmë situatat sfiduese, duke i shndërruar ato në mundësi,  të cilat e ndryshojnë kahun e veprimit drejt një të ardhme të gjelbër, të sigurt dhe më e pastër.

Kosova është e gatshme ta përqafoj këtë të ardhme dhe nga zemra ju falënderoj që jeni pjesë e këtij rrugëtimi jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Sot jemi dëshmitarë se çfarë mund të arrihet me angazhim, qëndrueshmëri dhe përkushtim. Institucionet tona bashkërisht me ekipin e MCC-së e kanë hartuar Programin Kompakt, i cili do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve urgjente në sektorin e energjisë.

Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik i bërë në vendin tonë prej dekadash tashmë, do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave tona në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës.

Praktikisht, kjo Marrëveshje do të na sjellë më pranë ndërtimit të sistemit energjetik që plotëson nevojat e së ardhmes: ajo ngërthen inovacionin, garanton përballueshmëri dhe promovon gjithëpërfshirje.

Jam e lumtur të shoh se gratë janë vënë në qendër të veprimit, duke përcjellë mesazhin thelbësor për rolin e tyre jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin e suksesshëm, jo vetëm të sektorit të energjisë.

Për të gjitha këto dhe për gjithçka që pason në ditët dhe vitet në vijim, dua të falënderoj çdo person në të dy ekipet tona që ka qenë pjesë e takimeve, shkëmbimeve dhe negociatave dhe që ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë për ta bërë këtë bashkëpunim rrëfim të suksesshëm.

Faleminderit, kongresmenit Keating dhe të tjerëve për mikpritjen si dhe për mesazhin e qartë se ky program është i rëndësishëm për Kongresin e SHBA-ve po aq sa edhe për institucionet e Kosovës.

Dua ta falënderoj, gjithashtu kongresmenët Meeks dhe McCaul, për gjithë kontributin e tyre që kjo të bëhet realitet.

Një falënderim i madh për shefen ekzekutive të MCC-së, znj.Albright dhe gjithë ekipin e MCC-së, të gjithë në D.C dhe të gjithë në Kosovë, për mbështetjen dhe përkrahjen e kësaj marrëveshjeje, e cila përveç adresimit të disa prej sfidave urgjente me të cilat përballemi, është po ashtu vazhdimësi e punës së shumë personaliteteve të shquara dhe disa prej miqve më të dashur të Kosovës.

Një ndër to që e vlerësojmë lart është pikërisht nëna juaj e shtrenjtë, e dashur Alice, ish-sekretarja e ndjerë e Shtetit, Madeleine Albright. Jam thellësisht e bindur se ajo do të ishte shumë krenare për këtë arritje të përbashkët sot!

Dua gjithashtu ta falënderoj thellësisht Presidentin Biden, Sekretarin Blinken dhe shumë zyrtarë nga Qeveria e SHBA-ve, për mbështetjen e këtij projekti dhe si të tillë, për ndihmën e ofruar Kosovës për ta përshpejtuar rrugën e saj të tranzicionit energjetik drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe të përballueshme.

Puna e deritashme ka qenë e jashtëzakonshme, ndaj ne  presim dhe kemi entuziazëm të madh për punën e mëtutjeshme.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partneritetin tonë të hekurt!

Faleminderit!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.