Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,
Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës është ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës, ditë në të cilën 7 vjet më parë u vunë themelet e shtetit tonë mbi premtimin se në realizimin e ëndrrës tonë për Kosovën shtet, vendin tonë do ta bëjmë vend të lirë, të pavarur, demokratik e të përparuar. Kushtetuta e Republikës së Kosovës u aprovua si domosdoshmëri e kohës që do ta mundësonte krijimin e Kosovës së pavarur, por edhe si akt i cili ngërthen tërë sakrificën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra që punuan e u flijuan që ne – të gjithë ne – të frymojmë të lirë, që të jemi zot të vetvetes. Ky akt përmbledh parimet universale të të drejtave të njeriut dhe parimet e tjera të cilat i përqafojnë shtetet e përparuara demokratike. Si e tillë Kushtetuta e Republikës së Kosovës është Kushtetuta më moderne e këtij fillimshekulli, dokument që për synim ka avancimin e demokracisë e pluralizmit dhe mbrojtjen e qytetarit të Kosovës pa dallim etnie e feje, pa dallim gjinie e orientimi.Kushtetuta jonë inspiruese dhe aspiruese promovon gjithëpërfshirjen, rendin dhe ligjin, demokratizimin dhe tolerancën ndërmjet të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe na mbetet ne, përfaqësuesve të qytetarëve të këtij shteti, që të përkujdesemi për jetësimin e këtij vizioni. Ajo vendos parimet bazë, të cilat nuk duhet t’i lëkundim, por duhet t’i mbrojmë me gjithë qenien tonë, sepse lëkundja e tyre është komprometim i vet legjitimitetit të shtetësisë tonë. Ne duhet të jemi krenarë që kemi një Kushtetutë e cila shtrin sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës, si garant i zhvillimit demokratik dhe që promovon barazinë e të gjithë qytetarëve. Të nderuar të pranishëm, Gjatë vitit të kaluar ne kemi parë se Kushtetuta jonë është e miratuar por e pa provuar. Gjithashtu, kemi dëshmuar se institucionet tona dhe partitë politike janë të gatshme dhe të vetëdijshme që funksionet dhe diskutimet duhet të zhvillohen në kuadër të këtij akti më të lartë juridik. Kushtetuta, sikur edhe institucionet e mandatuara për zbatimin e saj, janë vënë para një sprove të rëndë të qëndrueshmërisë, të dhënies së përgjigjes për realitete politike të cilat nuk i kishte përshkruar. Por, edhe në momentet e lëkundjeve të mëdha, debati brenda kuadrit kushtetues, duke u shkëputur një herë e përgjithmonë nga vullneti i momentit dhe duke u përqendruar në parimet e Kushtetutës, vendosi standard të domosdoshëm për zhvillimin demokratik të vendit. Në këtë proces, ne kemi arritur që të zhvillojmë një debat gjithëpërfshirës mbi nevojën e jetësimit të plotë të vlerave dhe normave kushtetuese. Më lejoni që në këtë ditë të theksoj domosdoshmërinë për të respektuar dhe për të zbatuar një ndër vlerat më të rëndësishme të Kushtetutës, atë të barazisë para ligjit. Ne duhet të jemi të gjithë të barabartë para ligjit, andaj nevoja për një sistem gjyqësor të pandikuar nga politika është e domosdoshme. Sistemi ynë i drejtësisë, ashtu edhe siç parashihet në Kushtetutë, duhet të jetë unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm. Kjo mbetet një aspiratë, realizimi i të cilës po kushtëzon qëndrueshmërinë tonë si shtet, besimin e qytetarëve në vendin e tyre dhe përpjekjet e shoqërisë tonë që Kosovën ta vendosë në proceset integruese. Sot, kur po e shënojmë këtë përvjetor, dua t’i inkurajoj të gjithë ata që punojnë e guxojnë në bazë të parimeve e normave të kësaj kushtetute, që të vazhdojnë punën dhe shembullin për ta ndërtuar shtetin e së drejtës. Shteti i së drejtës duhet të jetë mision i përhershëm i të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës dhe realizimi i këtij nocioni e vetmja garanci që do ta bëjë Kosovën koncept të qëndrueshëm.