presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në ceremoninë përmbyllëse të projektit fuqizimi përmes lidershipit – KUSA

Me kënaqësi pranova ftesën për t’ju bashkuar në përmbylljen e një projekti të rëndësishëm të organizuar nga KUSA, që në fokus të tij ka fuqizimin e gjeneratave të reja të liderëve të shoqërisë sonë duke promovuar vlerën themelore të demokracisë, atë të respektimit të të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së KosovësDeputetë të nderuar,I nderuar Ambasador Delawie,I nderuar ministër Bajrami,Znj Agani, Znj HimaJu anëtarë të KUSA-s,Të nderuar pjesëmarrës, Me kënaqësi pranova ftesën për t’ju bashkuar në përmbylljen e një projekti të rëndësishëm të organizuar nga KUSA, që në fokus të tij ka fuqizimin e gjeneratave të reja të liderëve të shoqërisë sonë duke promovuar vlerën themelore të demokracisë, atë të respektimit të të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim. Dëshiroj që krejt në fillim të falënderoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadorin Delawie dhe Departamentin e Shtetit Amerikan, të cilët prej shumë vitesh investojnë në ndërtimin e gjeneratave profesionalisht të përgatitura, kontributi i vyer i të cilëve përkthehet në garanci për ndërtimin e shoqërisë demokratike dhe të zhvilluar të Kosovës, të cilën ne të gjithë e synojmë. Investimi më i rëndësishëm në të ardhmen e një vendi është investimi në rininë e tij, në ofrimin e mundësive për edukim, për përmbushjen e synimeve, talentit dhe ëndrrave të tyre.Në hapjen e derës së zhvillimit të tyre individual, si qytetarë të së ardhmes, të cilët respektojnë njëri-tjetrin, pavarësisht gjinisë, përkatësisë etnike apo fetare dhe marrin përsipër misionin e rëndësishëm të zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë. Gjeneratat e reja të Kosovës, janë gjeneratat e paqes, të cilët po e shkruajnë historinë e mirëkuptimit, besimit të ndërsjellë, të respektit dhe të dashurisë ndaj njëri-tjetrit.Ata janë qytetarë të barabartë të botës. Përkushtimi ynë duhet të jetë i palëkundur për t’ju garantuar mundësi të ngjashme zhvillimi me moshatarët e tyre në botën e avancuar, duke mos lejuar që e ardhmja e tyre, e ardhmja e shoqërisë tonë, të kompromentohet. E kam mirëpritur këtë iniciativë tuajën, të dashur anëtarë të KUSA-s, të cilët tashmë keni pasur fatin të pasuroni përvojën tuaj me anë të programeve të shkëmbimit profesional dhe pjesëmarrjes akademike në Amerikë, për ta përcjellë eksperiencën tuaj te liderët e së nesërmes. Është ky vizion se qasja në edukim, në përvojat profesionale, të shkëmbimit të eksperiencave, të zhvillimit, është një mundësi e ofruar për të gjithë vajzat e djemtë në çdo cep të vendit, që do të garantojë të ardhmen tonë prosperuese, sepse ai është synimi të cilin ne e kemi përcaktuar si institucione por edhe si shoqëri. Rinia është pasuria më e vyer e shtetit tonë, është gjeneratori dhe promotori i zhvillimit të saj.Andaj ne duhet të mbetemi të përkushtuar për t’ju ofruar të rinjve tanë këtë realitet ku mundësitë për avancim kthehen në normë të rregullt të punës sonë dhe ku ata bëhen pjesë e pandashme e zhvillimit të shoqërisë tonë. Të dashur miq,Sot jeni duke kurorëzuar një eksperiencë të rëndësishme të jetës tuaj, duke mbrojtur një parim bazë të shoqërive demokratike, mbi të cilin ne e kemi ndërtuar edhe shtetin tonë, atë të të drejtave të barabarta midis të gjithë qytetarëve tanë. Duke folur për një temë të rëndësishme, siç është barazia gjinore, ju jeni duke vënë në pah sfidat me të cilat ne përballemi si shoqëri në garantimin e të drejtave të barabarta për vajzat ashtu si për djemtë. Në padrejtësitë të cilat ne ende vazhdojmë t’ua imponojmë vajzave, në ofrimin e zgjedhjeve më të pakta, mundësive e lirisë më të kufizuar që ato kanë për të zgjedhur rrugën e tyre. Por, pa dyshim se jeni duke trasuar edhe rrugën drejt asaj të ardhmeje ku këto sfida do të tejkalohen dhe ku qasja e vajzave në edukim dhe në çdo fushë të jetës do të jetë e barabartë dhe në këtë punë jam e pakompromis. Ju përfaqësoni të ardhmen e vendit tonë, do të jetë detyra juaj veçanërisht e vajzave dhe e djemve të rinj në këtë sallë, që të vazhdoni misionin për të ndërtuar një Kosovë të mundësive të pafunda, do të jetë misioni juaj të ndërtoni shoqërinë e të gjithë qytetarëve pa dallim. Mos rrini të heshtur para padrejtësive, punoni që t’i ndryshoni ato. Mos lejoni të mposhteni nga sfidat apo barrierat, besoni në veten tuaj, në aftësitë dhe talentin që secili prej jush ka. Me përkushtim, me punë do të arrini t’i ktheni ëndrrat tuaja në realitet, sepse në ju dhe një pjesë të juaj që i kam takuar në zyrën time e kam vërejtur një potencial të madh dhe ai potencial besoj se është tek secili i ri dhe e re e shteti tonë. Urime, fat dhe suksese!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.