DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit

Po e hap këtë takim të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit me një pasqyrë të punës dhe të aktiviteteve të ndërmarra nga institucionet dhe mekanizmat e mandatuar për luftimin e korrupsionit.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, z. Veseli, z. Mustafa, ministra,Përfaqësues të gjyqësorit dhe prokurorisë, policisë së Kosovës,Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,Ambasadorë, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë,Zonja dhe Zotërinj, Po e hap këtë takim të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit me një pasqyrë të punës dhe të aktiviteteve të ndërmarra nga institucionet dhe mekanizmat e mandatuar për luftimin e korrupsionit. Në takimet e deritashme të këtij Këshilli – që ka për qëllim bashkërendimin institucional në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar – kemi identifikuar mangësi në legjislacion dhe funksionimin administrativ. Kemi bërë përmirësimet e domosdoshme, duke amendamentuar dhe përshtatur rregullat dhe procedurat për të rritur efikasitetin institucional në luftën kundër korrupsionit. Ne duhet t’i zbatojmë ligjet ekzistuese. Në këtë Këshill jemi deklaruar se vullneti politik për të luftuar korrupsionin ekziston dhe tani është koha e fundit që ky përkushtim të shndërrohet në rezultate konkrete. Rastet e korrupsionit duhet të hetohen, të trajtohen dhe të përmbyllen me një intensitet të shtuar. Policia, prokuroria dhe gjykatat duhet ta rrisin bashkëpunimin në trajtimin e lëndëve që janë në proces. Vonesat në trajtimin e rasteve të korrupsionit po zbehin besimin e qytetarëve në institucionet tona. Qytetarët e Republikës së Kosovës janë aleati kryesor në luftën kundër korrupsionit. Sinjalizuesit e veprave penale të korrupsionit, të ashtuquajturit whistleblowers duhet të inkurajohen duke u mbrojtur institucionalisht në mënyrë që të vazhdojnë raportimin te institucionet dhe mediat. Është obligim institucional i të gjithëve që raportimet e këtyre dukurive të shëmtuara dhe shumë dëmtuese për buxhetin e shtetit të trajtohen me urgjencë nga organet e hetimit dhe ndjekjes. Vonesa në trajtimin e kallëzimit të veprave nga sinjalizuesit është vonim i drejtësisë dhe njëherit dekurajim i angazhimit qytetar në këtë luftë. Sot, nuk ka patriotizëm dhe nderim më të madh shtetit tonë dhe të së ardhmes së tij sesa raportim dhe vërtetim të veprave penale të korrupsionit.  Të nderuar pjesëmarrës, Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar rezultate pozitive gjatë kohës së fundit në rritjen e llogaridhënies së zyrtarëve publikë. Rezultatet do të jenë edhe më të mëdha me forcimin dhe qartësimin e koordinimit të kësaj agjencie me institucionet e tjera, duke u definuar disa çështje – si procesimi i disa veprave penale që lidhen me ndjekjen dhe konkretizimi i tyre. Policia e Kosovës ka ngritur kapacitetet dhe efikasitetin në hetimin e rasteve të krimeve ekonomike dhe të korrupsionit. Tani zyrtarët policorë kanë nevojë të trajnohen në hetimin e veprave penale komplekse të korrupsionit. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka ndërmarrë hapa me të cilat kanë fuqizuar rolin e Prokurorive në ndjekjen e veprave korruptive. Kapacitetet e brendshme të Prokurorisë duhet të shtohen dhe të ruhet standardi i integritetit të lartë të prokurorëve të rinj. Është inkurajuese që Prokuroria e shtetit kohëve të fundit ka ngritur disa aktakuza të cilat cak kanë korrupsionin e nivelit të lartë, që kanë dëmtuar rëndë buxhetin e Republikës së Kosovës. Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka bërë prioritet të punës shqyrtimin e rasteve të korrupsionit. Duhet të vazhdohet me planifikimin më të mirë të shpërndarjes së rasteve në Gjykata, në mënyrë që të zvogëlohet numri i lëndëve ekzistuese. Duhet të shqyrtojmë edhe metoda alternative për zvogëlimin e rasteve të grumbulluara siç është angazhimi me punë jashtë orarit të gjyqtarëve dhe angazhimi i gjyqtarëve të pensionuar. Në këtë fushë na duhet ndihma e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave për të përkrahur këto metoda që do të ndihmonin në adresimin e lëndëve që me vite janë grumbulluar në sirtarët e gjyqësorit. Të nderuar pjesëmarrës, Krahas punës së vazhdueshme për të luftuar korrupsionin, ne duhet të nisim ndërtimin e politikave konkrete. Është e domosdoshme të vazhdojmë reformat sistemore dhe strukturore duke iu përafruar sa më shumë standardeve të Bashkimit Evropian. Duhet të rrisim efektivitetin e ndjekjes së veprave korruptive prej paraqitjes deri në procedim final, duke i përmbyllur rastet dhe duke marrë vendime adekuate. Nuk do të lejojmë që qytetarët të cilët denoncojnë rastet e korrupsionit të dëshpërohen nga sistemi i ndjekjes dhe i gjykimit për shkak të zvarritjeve procedurale apo që guximi i tyre për të denoncuar vepra kriminale t’iu hakmerret atyre. Në Kosovën e vitit 2015 të ndodhë një praktikë e tillë është e turpshme. Prokurimi publik dhe praktikat shpesh jotransparente mbeten shqetësim serioz që mbanë peng zhvillimin e mirëfilltë të biznesit. Ligji i ri i prokurimit, që do të përfshijë edhe prokurimin elektronik, të fillojë të zbatohet vitin e ardhshëm. Ky ligj do të rris transparencën dhe llogaridhënien në këtë fushë të ndjeshme. Duhet të kemi një kontroll të menjëhershëm dhe efikas të të gjithë parametrave të tenderëve, në rastet kur dyshohet në parregullsi. Trajtimi i ankesave ndaj tenderëve duhet të jetë i menjëhershëm dhe efektiv. Në planin afatmesëm dhe afatgjatë është e domosdoshme që të intensifikohet lufta kundër korrupsionit në shëndetësi dhe arsim, dy shtyllat kryesore për përmirësimin e standardit të jetës për qytetarin e Kosovës dhe për ndërtimin e një perspektive më shpresëdhënëse. Është e pafalshme nëse lejojmë që këto dy fusha të shkatërrohen nga korrupsioni. Ta mbajmë në mend se kështu do t’ua mohojmë të drejtën për trajtim shëndetësor adekuat dhe të drejtën për arsim fëmijëve tanë. Lufta kundër korrupsionit në këto dy fusha duhet të jetë prioritet i institucioneve. Të nderuar të pranishëm, Korrupsioni i kalon kufijtë vendorë dhe bëhet transnacional. Ne duhet ta parandalojmë duke deklaruar pasurinë dhe duke kontrolluar prejardhjen e pasurisë. Duhet të shtojmë praktikën e kryerjes së pagesave përmes transaksioneve bankare si dhe të punojmë më shumë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të fushës së drejtësisë dhe sigurisë. Ne e dimë se lufta kundër korrupsionit është një rrugë e gjatë por e cila nuk ka alternativë. Sfidat në këtë fushë duhet të tejkalohen me vullnet të palëkundur dhe përkushtim të të gjithë neve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.