presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në konferencën e nivelit të lartë “Personat e zhdukur – Mënyra përpara”

Çdo ditë shumë familje në Kosovë ndjejnë dhimbje të thellë në kërkim të familjarëve të tyre, që kanë vite prej kur fati i tyre nuk është zbardhur ende. Çdo ditë shume familje jetojnë në agoni dhe dhimbje shpirtërore duke pritur nëse do të marrin një përgjigje për njerëzit e tyre, zhdukja e të cilëve nuk lë plagët të mbyllen.

Përshëndetje të gjithëve,E nderuara mike jonë e dashur, presidente Tarja Halonen,Ministër Kuçi,Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,I nderuar zoti Zbogar,Ambasador të akredituar në Kosovë,E nderuar ambasadore Huhtamaki,Doktor Ranta,Të nderuar të pranishëm, Çdo ditë shumë familje në Kosovë ndjejnë dhimbje të thellë në kërkim të familjarëve të tyre, që kanë vite prej kur fati i tyre nuk është zbardhur ende. Çdo ditë shume familje jetojnë në agoni dhe dhimbje shpirtërore duke pritur nëse do të marrin një përgjigje për njerëzit e tyre, zhdukja e të cilëve nuk lë plagët të mbyllen.   Luftërat lënë prapa dhimbje, pasoja të rënda për shoqëritë: dhunë, shkatërrime, familje të rrënuara, jetë të humbura. Luftërat lënë vuajtje për shoqëritë që me mund tejkalojnë pasojat duke provuar të rindërtojnë mbi dhembje të tashmen e tyre.    Është sa e vështirë aq edhe e dhimbshme që ta adresojmë çështjen e personave të pagjetur, si një trashëgimi e rëndë e luftës dhe është edhe më e padrejtë që edhe 15 vjet pas të vazhdojmë të kërkojmë vendndodhjen e qytetarëve tanë.    Beteja për të zhdukurit po shndërrohet në një prej anktheve më të rënda në shoqëri që lidhin të kaluarën tonë me të tashmën dhe që përcaktojnë të ardhmen tonë. Çdo ditë po kërkojmë përgjigje për familjet e të zhdukurve tanë, shpirtërat e lodhur të të cilëve kanë bredhur mbi 15 vjet në kërkim të përgjigjeve nga të gjithë ne për t’iu dhënë fund dhimbjeve të tyre për t’i dhënë fund dhimbjes sonë të përgjithshme.Shumëherë kemi thënë se duhet të gjejmë zgjidhje për këtë gjendje të pasigurisë dhe të paqartësisë për qytetarët tanë dhe të garantojmë kthimin e tyre. Shumë herë kemi premtuar se do të zbardhim fatin e secilit prej atyre që sot vazhdon të konsiderohet i zhdukur për të mundësuar qetësinë shpirtërore të familjes e të familjarëve dhe njëkohësisht edhe për të mos mbajtur peng shtetin tonë dhe shoqërinë tonë.Dhe tani sërish po kërkojmë përgjigje të thjeshta dhe shumë të drejtpërdrejta – le ta mbyllim njëherë e përgjithmonë këtë plagë të rëndë të luftës për të hapur mundësi të reja dhe për të gjetur paqen tonë.Qytetarët tanë duan ta dinë vendndodhjen dhe duan drejtësi. Jo hakmarrje. Pajtimi ka kuptim vetëm atëherë kur mbyllen plagët e rënda të luftës. Prandaj duhet të hapim një kapitull të ri në Ballkan, jo për të harruar atë që ka ndodhur, por për të mos e përsëritur asnjëherë atë se çfarë ka ndodhur.   Ne e dimë se ka pasur shumëherë iniciativa për të zbardhur fatin e të pagjeturve dhe ne këto inciativa, Zyra ime ka qenë pjesëmarrëse. Janë bërë përpjekje të pareshtura institucionale që të dimë fatin e qytetarëve të pagjetur por përparimi ka qenë i ngadalshëm. Të gjitha këto përpjekje ku kanë qenë të përfshira institucionet e vendit tonë, familjarët e të pagjeturve dhe faktori ndërkombëtar, fatkeqësisht kanë hasur në jo gatishmëri nga institucionet e Republikës së Serbisë për bashkëpunim të nevojshëm dhe të domosdoshëm. Shtetet janë të përgjegjshme e llogaridhënëse për aq sa respektojnë drejtësinë dhe për aq sa përmbushin konventat dhe normat ndërkombëtare. Ne duam zgjidhje dhe zgjidhjen duhet ta gjejmë bashkërisht, duke mos e fshehur të kaluarën dhe krimet.   Është e pamundur që të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë në këtë fushë pa përfshirjen e institucioneve të Republikës së Serbisë për të treguar gatishmëri që të japin përgjigje për vendndodhjen e mbi 1600 trupave të qytetarëve tanë.  Çështja e të zhdukurve është sa çështje njerëzore po aq çështje e drejtësisë dhe prandaj si e tillë duhet të trajtohet me përparësi. Ne e kemi detyrë dhe obligim, si institucione, si shoqëri, që të ofrojmë zgjidhjen.  Ju faleminderit dhe e përshëndes këtë iniciativë dhe këtë organizim sepse të shtunën e kaluar unë isha në njërën nga zonat e Kosovës  ku janë të prekura dhe ka një numër të konsideruar të qytetarëve tanë që ende shënojnë të zhdukur dhe dua ta them se dhimbja e tyre nuk pakohet në ditën e shtunë kur isha atje, nuk dallon me atë nga katër vite kur isha herën e kaluar dhe nuk dallon aspak nga këto 16 vjet pas përfundimit të luftës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.