presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në ceremoninë e festimit të ditëlindjes së Mbretëreshës Elizabeth

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në manifestimin e shënimit të ditëlindjes së Shkëlqesisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth, organizuar në Prishtinë.Në një fjalim mbajtur me këtë rast, Presidentja Jahjaga tha:

I nderuar Ambasador O’Connell,Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,Zonja dhe zotërinj, E kam nderin që këtë festë të trefishtë sonte e shënojmë së bashku në Republikën e Kosovës, si dëshminë më të prekshme të kohës moderne të përpjekjes tonë të përbashkët për të jetësuar vlerat fondamentale të ngërthyera 800 vjet më parë në Kartën e Madhe. Siç e thatë edhe ju Ambasador, lidhja e veçantë dhe e pathyeshme mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe ka lindur në kohë lufte dhe një drame të tmerrshme njerëzore, në momentin më të vështirë të historisë tonë, kur të frymëzuar pikërisht nga ideali i lirisë për të gjithë dhe parimi i të drejtave të njeriut, shteti juaj së bashku me aleatët e botës së lirë, doli në mbrojtje të pa kompromis të këtyre vlerave. E thatë me të drejtë se miqësia dhe partneriteti ynë po forcohet në paqe derisa po punojmë bashkërisht që në Kosovë ta realizojmë vizionin e qytetarëve të saj për një vend të të barabartëve, në paqe me fqinj, me prosperitet të brendshëm, kontribuuese e barabartë për t’u përballur me sfidat globale. Barazia para ligjit është boshti i këtyre përpjekjeve, sepse nënkupton sundimin e rendit dhe ligjit, ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe gjithëpërfshirjen – të cilat domosdo reflektojnë mbi suksesin e proceseve tona integruese, e mbi të gjitha në legjitimitetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve të Kosovës në shtetin e tyre. Vlera e Magna Kartës, që është edhe vlera themelore e Kushtetutës tonë, është progresive dhe qëllim vazhdimisht për t’u synuar. Duke qenë një shtet i ri shumë herë brenda këtyre viteve të pavarësisë kemi qenë të sfiduar. Nganjëherë e kemi parë Kushtetutën tonë si sugjerim dhe ligjet që i kemi aprovuar si standard të cilin duhet plotësuar por jo domosdo duhet zbatuar. Shteti i së drejtës është i vështirë të ndërtohet, sidomos në një shoqëri për të cilën shteti – e në veçanti sistemi i drejtësisë – shpesh ka qenë sinonim i shtypjes. Por, derisa po i afrohemi përmbylljes së dekadës tonë të parë si shtet e kemi të qartë se nuk ka asgjë më me prioritet se ta bëjmë parimin e barazisë para ligjit dhe dorën e ligjit, pa njohur hierarki dhe fuqi politike, si aspiratën tonë qendrore. Vetëm në këtë mënyrë do t’i sigurojmë qëndrueshmëri dhe prosperitet Republikës tonë. I nderuari Ambasador, Të  nderuar mysafirë , Kosova me të vërtetë  ka shumë  heronj. Disa nga ata ju i përmendët në fjalimin tuaj. Ju siguroj se ata janë të shumtë dhe se po e gjejnë zërin e tyre, dhe më e rëndësishmja, ata besojnë  në  jetësimin e vizionit të  një Kosove demokratike.Ata janë  heronj të  përditshmërisë  të  cilët pa pushim punojnë  që  ta realizojnë      ëndrrën e tyre dhe të  ndërtojnë  një  trashëgimi e cila do të  zgjatë  shumë . Ata janë  forca dhe inspirimi i këtij vendi. Ne ju jemi falënderues për mbështetjen dhe për faktin se kemi aq shumë  miq pranë  nesh përderisa jemi duke e trasuar rrugën tonë  përpara. Dhe tani Zonja dhe Zotërinj, Ju lutem të ngritni gotat për Lartë madhërinë e Saj Mbretëreshën Elizabetën e Dytë,  një  sovrane e jashtëzakonshme dhe për miqësinë  e ngushtë  dhe partneritetin në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.  Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.