presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga me rastin e Ditës Kombëtare të Gjermanisë

Ju falënderoj për ftesën që në këtë mbrëmje të bashkohemi për të festuar përvjetorin e bashkimit të Gjermanisë dhe për të reflektuar mbi ngjarjen e cila nisi një epokë të re të bashkimit të njerëzve përtej kufijve që i mbanin ata vetëm fizikisht të ndarë. Një bashkimi jo vetëm të gjakut dhe tokës, por të ideve që definuan kohën në të cilën po jetojmë.

E nderuara Ambasadore e Gjermanisë, zonja Viets,Zonja dhe Zotërinj, Ju falënderoj për ftesën që në këtë mbrëmje të bashkohemi për të  festuar përvjetorin e bashkimit të Gjermanisë dhe për të reflektuar mbi ngjarjen e cila nisi një epokë të re të bashkimit të njerëzve përtej kufijve që i mbanin ata vetëm fizikisht të ndarë. Një bashkimi jo vetëm të gjakut dhe tokës, por të ideve që definuan kohën në të cilën po jetojmë. Pas dy dekadash e gjysmë, Gjermania e bashkuar është një dëshmi e gjallë që bashkimi na bën më të fuqishëm. Një ekonomi e zhvilluar, një demokraci prosperuese, një promovuese e integrimit evropian dhe euroatlantik. Një e arritur e jashtëzakonshme që na përkujton se kur ka vullnet ka mënyrë.Të nderuar Zonja dhe Zotërinj, Gjermania është inspirim për qytetarët e Kosovës. Shumë qytetarë tanë, në periudha të ndryshme të bërjes tonë shtet, janë mirëpritur nga ky shtet mik, ndihmën e pakursyer të së cilit ne gjithmonë e kemi gëzuar. Të gjithë ne jemi falënderues për rolin udhëheqës që Gjermania ka pasur për ta ndalur luftën në Kosovë dhe për ta ndërtuar paqen, për besimin dhe përkrahjen e tyre për të ndërtuar vizionin tonë për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, në paqe me fqinjët e saj. Kosova është shumë krenare dhe mbetet e dedikuar këtij partneriteti me Gjermaninë  dhe popullin e saj, një miqësie të qëndrueshme të bazuar në vlerat tona të përbashkëta të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Dy vendet tona sot gëzojnë një partneritet të qëndrueshëm dhe një miqësi të fortë, të lidhur nga besimi i përbashkët në vlerat e lirisë, demokracisë, dhe sundimit të ligjit. Miq të dashur,Kosova po vazhdon të ndërtojë demokracinë e saj dhe të gjithë po e zbulojmë se demokracia funksionon vetëm atëherë kur i jepet kohë që të maturojë dhe të japë rezultate, sepse demokracia është gjithmonë në zhvillim e sipër. Në 100 ditët e fundit, si institucione dhe qytetarë të Kosovës jemi përballur me sfidën e një demokracie të re parlamentare, me një kushtetutë të patestuar. Me qetësinë dhe maturinë e një demokracie të vjetër i kemi kaluar disa procese të rëndësishme, duke iu dhënë mundësi institucioneve tona të mandatuara që të gjejnë zgjidhje në respektim të sundimit të rendit dhe ligjit. Dhe pavarësisht sa na ka testuar ky proces, unë jam e bindur se nga ai do të dalim më të fuqishëm dhe demokracia jonë do të jetë më e konsoliduar. Sepse nuk jemi duke vendosur vetëm për sot, por edhe për të ardhmen tonë.  Dua t’ju siguroj se rruga jonë është e pakthyeshme. Ne do të përparojmë dhe ne do të korrim sukses. Urime Ditën e Bashkimit Gjermani! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.