presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTES JAHJAGA NË KONFERENCËN MBI TRANSFORMIMIN E KONFLIKTIT MBAJTUR NË WEST POINT

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mbajti një fjalim në konferencën mbi transformimin e konfliktit në West Point.

Presidentes Jahjaga me këtë rast iu organizua një pritje e veçantë. Ajo u prit nga Garda e Nderit dhe ceremonia u përcoll me 21 të shtëna nderi. Presidentja Jahjaga u takua me Gjeneral Lejtnant, Robert L. Caslen Jr. dhe u prit ngrohtësisht nga kadetët e akademisë West Point, me të cilët pati edhe një drekë të përbashkët. Në vijim, fjalimi i plotë i Presidentes Jahjaga: Të nderuar mysafirë,  Të dashur miq,  Zonja dhe Zotërinj,  Është nder i madh të jesh këtu në West Point, këtë institucion të madh amerikan, për të diskutuar mësimet e zëna nga lufta e Kosovës dhe angazhimet për vendosjen e paqes të cilat pasuan që nga përfundimi i luftës, të cilat na ndihmuan që të ndërtojmë  një vend demokratik dhe të qëndrueshëm. Qëndroj këtu para jush, si një person, e ardhmja e të cilit është formuar nga konfliktet e shumta të shekullit 20, i fundit nga të cilët, ai i vitit 1999, më preku edhe mua, familjen time, vendin tim, në mënyrë të drejtpërdrejtë, i cili për shumë la pasoja tragjike. Ishte një konflikt i cili nuk kishte nevojë të ndodhte. Ky konflikt nuk duhej të ndodhte kurrë. Por ndodhi, sepse një diktator e kishte fuqinë që të mbjellë mosbesim dhe të krijojë frikë. Ai e kishte gabim, dhe u mund. Ne na mbetet të rindërtojmë, zhvillojmë, të përkujtojmë dhe mos t’i përsërisim gabimet e së kaluarës. Të dyja këto periudha – lufta dhe paslufta – të historisë së vonshme të Kosovës, ishin të rënda. Tejkalimi kërkoi vendosmëri dhe dedikim nga secili – nga qytetarët e Kosovës, të cilët kishin vuajtur tejet shumë nën regjimin serb dhe të cilët fillimisht u mobilizuan rreth një rezistence qytetare të stilit të Gandit për t’u ballafaquar me aparteidin e viteve 1990, të pasuar me një mobilizim të mëvonshëm për të mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës, dhe të cilët ishin cak i dhunës jonjerëzore dhe të paskrupullt të cilin forcat serbe e ushtruan mbi ta. Bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të dhe shtetet anëtare të NATO-s, të bashkuar nën premtimin për të vepruar për parandalimin e përsëritjes së gjenocidit në Evropë, u ballafaquan me kërkesën për dislokimin e trupave dhe angazhim, si dhe me kritika në vendet e tyre respektive për involvim në një qosh shumë të largët të botës. Ishte detyrë parësore që fillimisht të fitohej lufta në Kosovë dhe t’u jepej mundësia kosovarëve që të jetojnë në liri, dhe pastaj t’i lejohej Kosovës që të maturonte politikisht në mënyrë që çfarëdo konflikti i mëtutjeshëm të jetë i panevojshëm. Më lejoni që shkurtimisht ta ripërkujtoj këtë periudhë të historisë së Kosovës. Në vitet 1998 dhe 1999, represioni serb në Kosovë kishte arritur kulmin, vrasjet ditore të civilëve ishin bërë normë dhe kampanja e pastrimit etnik e kishte zbrazur Kosovën – në më pak se dy muaj, pothuajse një milion refugjatë ishin shtyrë të largohen nga vendi, një angazhim nga ana e Serbisë që po ashtu të destabilizojë Maqedoninë dhe Shqipërinë. Brenda Kosovës, në një kryqëzatë vrasjesh, forcat serbe me operacione derë më derë mblodhën meshkujt shqiptarë të të gjitha moshave që t’i ekzekutonin masovikisht. Familjet u ndanë. Shumë gra u dhunuan më qëllim që jo vetëm t’i çnjerëzonin por edhe që ky krim i hatashëm të përdoret si mjet lufte. Ishte një pamje e tmerrshme. Pamje, të cilën bota, e cila po hynte në shekullin e 21-të me shpresë për përqafimin e vlerave demokratike nuk ishte e lejuar që ta tolerojë. Civilë të pafajshëm po vriteshin. Qëllimi përfundimtar kishte shumë pak rëndësi. Përdorimi i forcës për ta përfunduar këtë vuajtje të pamasë u bë i pashmangshëm. Nën udhëheqjen e SHBA-së, NATO veproi me një vendim për të bombarduar caqet ushtarake dhe policore të Serbisë. Pas 78 ditë bombardimesh, intervenimi humanitar për ta përfunduar këtë episod të luftërave në Ballkan u përmbyll me sukses. Forcat serbe u tërhoqën nga Kosova, dhe Kosova u shndërrua në një protektorat të Kombeve të Bashkuara.Vende nga mbarë globi dërguan forcat e tyre tokësore për të mbajtur paqen e fituar rëndë në Kosovë dhe t’i krijojnë kushtet e nevojshme për ta drejtuar Kosovën drejtë ndërtimit të normalitetit dhe demokracisë.Refugjatët u rikthyen në shtëpitë e tyre vetëm për t’i gjetur ato në rrënoja.Kishte shumë lot dhe shumë hidhërim. Si pasojë e kaosit për shkak të një vakuumi sigurie, kishte edhe hakmarrje ndaj pakicës serbe, të cilat i detyruan ata të ikin, dhe prona e të cilëve u shkatërrua. Rindërtimi i dëmit material dhe dërrmimit shpirtëror të shkaktuar nga lufta kërkoi shumë kohë dhe durim. Në mes të shumë prioriteteve të ndryshme si dhe vullnetit të madh për ta arritur pavarësinë, ne duhej po ashtu t’i vendosnim themelet e shëndosha të institucioneve demokratike  dhe të një ekonomie të tregut të lirë. Ne, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, duhej ta kthenim Kosovën nga lufta në paqe, nga autoritarizmi në demokraci, nga ekonomia e kontrolluar nga shteti në kapitalizëm. E tërë kjo duhej të bëhej në një ambiguitet politik, në të cilin Kosova nuk ishte shtet, siç e kërkonte shumica shqiptare, e as krahinë, siç thoshte Serbia. Prandaj shtrohet pyetja, si e bëmë? Dhe çfarë mësuam gjatë këtij procesi? Përgjigja e parë është të ndërtohet demokracia – nëpërmes shoqërive të hapura të cilët i ndajnë informatat. Ku ka informatë, ka edhe dijeni. Ku ka debat, ka edhe zgjidhje. Kur nuk ka ndarje të forcës, mbizotërim të ligjit, përgjegjësi, ka keqpërdorim, korrupsion, nënshtrim dhe indinjatë. Ku nuk ka demokraci, ka diktaturë. Dhe kur ka diktaturë, ka edhe konflikt -posaçërisht në këtë periudhë tonën të ndërlidhur të globalizmit. E kemi parë jo vetëm në Kosovë, por po ashtu edhe në Egjipt dhe Siri – diktatorët sundojnë mbi një stabilitet fals i cili do t’i lëshojë rrugë dëshirës dhe të drejtës së pamohueshme të popullit për liri. Por kur arrin, demokracia është një zbulesë e vërtetë. Ajo është po ashtu komplekse. Duhet të mbahen zgjedhje, të krijohen politika, të jepen të drejta, të shqyrtohen ankesat dhe të ndërtohen institucione. Shpesh, njerëzit për herë të parë mund të flasin haptazi dhe lirë. Për shumë, është çliruese, për të tjerët është zhgënjyese, kur e kuptojnë se demokracia nuk ua bën jetën më të mirë në një çast. Duhet ta mbajmë në mend se demokracia funksionon vetëm atëherë kur i jepet kohë që të maturojë dhe të jap rezultate, demokracia është gjithmonë në zhvillim e sipër. Institucionet qeveritare duhet t’i trajtojnë përherë qytetarët e saj në mënyrë të drejtë, me dinjitet, duke i dhënë shërbim nevojave të tyre. Shoqëritë duhet ta zhvillojnë besimin që jo vetëm ta marrin lirinë, por dhe të veprojnë me mençuri dhe bamirësi. Atëherë demokracia do të funksionojë. Ju të gjithë e dini këtë dhe unë dhe populli i Kosovës mund ta konfirmojmë nga përvoja jonë gjatë rrugëtimit tonë viteve tona të para si shoqëri e lirë dhe demokratike, duke mësuar, duke u adaptuar dhe duke arritur. Procesi i demokratizimit në Kosovë kaloi nëpër sfida enorme. Periudha emergjente, periudha e rindërtimit dhe ringjalljes së përgjithshme rrodhën paralel me veprimtarinë për demokratizimin e vendit. Jam krenare që arritëm ta ndërtojmë pluralizmin dhe inkurajimin e pjesëmarrjes së të gjitha komuniteteve të Kosovës. Si pjesë e procesit të ndërtimit të themeleve të shtetit tonë demokratik, ne kërkuam t’i gjejmë praktikat më të mira ndërkombëtare dhe t’i implementojmë ato sipas nevojave të Kosovës. Dhe duke iu drejtuar qytetarëve të botës, ne zbuluam se ajo çfarë qytetarët tonë kërkojnë nuk është shumë e ndryshme nga ajo çfarë kërkojnë edhe qytetarët tjerë të botës: të kërkojnë përgjegjësi nga udhëheqësit dhe të kërkojnë qeverisje më të mirë. Dhe që qeveria t’i shërbejë popullit e jo populli qeverisë. Dhe ne po mundohemi skajshmërisht që t’i plotësojmë kërkesat e tyre. Me po të njëjtën vendosmëri jemi duke u munduar që ta riparojmë besimin e lëkundur dhe t’i sheshojmë dallimet akoma ekzistuese si trashëgimi e luftës, posaçërisht në mes të shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Dhe kemi arritur sukses, pasi që institucionet e dominuara nga shqiptarët kanë dhënë garanci ligjore për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb si dhe për mënyrën e tyre të jetesës dhe traditave fetare në Kosovë. Si rezultat, komuniteti serb, në pjesën më të madhe të Kosovës është plotësisht i integruar në jetën institucionale dhe zhvillimin e përditshëm të biznesit nëpër komunat në të cilat jetojnë. Qeveritë e vendeve nikoqire, si Kosova, janë edhe partnerë edhe beneficues të asistencës. Por komuniteti ndërkombëtar duhet ta njohë faktin se zhvillimi është një balancë në mes të periudhës afatshkurtër dhe afatgjate. Po ashtu duhet ta mësojë se kur është koha që të përfundohet një angazhim si dhe kur të inkuadrohet, sepse kur asistenca ndërkombëtare vijon për një periudhë shumë të gjatë ose përhapet shumë, në intervenim qëllimmirë, mund të jap rezultate të kundërta. Ndonjëherë, ky rol i dyanshëm i të qenit edhe partner edhe beneficues mund të hutojë pritshmërinë rreth faktit se çfarë duhet të arrijnë qeveritë dhe si të japin rezultate. Nëse në mënyrë shumë të ngadaltë i transferoni përgjegjësitë zhvillimore tek institucionet lokale, ato mund të bëhen të varura. Nëse i transferoni shumë shpejtë, vendi mund të destabilizohet. Njohja e këtij dualiteti është element i rëndësishëm për maksimalizimin e strategjive zhvillimore sepse vendi mbetet i varur nga  të tjerët në shqyrtimin e prioriteteve dhe mund të mos e zhvillojë asnjëherë aftësinë për ta bërë atë me forca vetanake. Ne duhet ta njohim faktin se në kohë, qeveritë, e po ashtu edhe shoqëria civile dhe sektori privat, duhet të marrin mbi vete përgjegjësinë për zhvillimin e vendeve të tyre. Zhvillimi vetanak i Kosovës ishte i lavdërueshëm, por kjo varshmëri ekonomike dhe politike ndonjëherë e ka ngadalësuar procesin e shtet ndërtimit të Kosovës dhe konsolidimin e klasës politike të Kosovës. Sidoqoftë, zhvillimi i Kosovës është një storie e përbashkët e suksesit, përkundër faktit se angazhimi dhe roli i forcave lokale do të duhej të ishte më i fuqishëm dhe më direkt në të gjitha periudhat e konsolidimit të Kosovës. Kjo brishtësi ka ndikuar në zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovë në fushën e politikës, ekonomisë dhe sigurisë, pasi që zhvillimi dhe siguria janë të lidhura ngushtë. Siguria e përcakton zhvillimin e një vendi. Kosova ka një korrelacion të fortë në mes të mekanizmave vendorë dhe të jashtëm të sigurisë. Forca paqeruajtëse e NATO-s, e vendosur në Kosovë që nga përfundimi i luftës, shpesh ka luajtur rolin e jo vetëm mbrojtësit të kufijve të Kosovës me vendet fqinje, por edhe të ndihmuesit të komuniteteve të Kosovës për lehtësimin e jetës së tyre dhe rikrijimin e lidhjeve në mes tyre. Dhe kjo më sjellë tek përgjigja e tretë, tek siguria dhe përfshirja. Shoqëritë  në mbarë botën janë duke ndryshuar gjersa mënyra të reja të mendimit, mënyra të reja të shprehjes evoluojnë. Njerëz, të cilët historikisht janë lënë anash nga konventat shoqërore dhe paragjykimet personale – në lidhje me gjininë, racën, rininë, orientimin seksual dhe invaliditetin – po lëvizin përpara për ta zënë vendin e tyre në tavolinë. Ne duhet t’ju bëjmë vend, sepse ne vetëm se pasurohemi me përfshirjen e tyre, përfshirje e cila sjell siguri. Siguria është themel i procesit të shtet ndërtimit. Siguria nënkupton zhvillim ekonomik dhe investime. Dhe po ashtu siguria garanton formimin e një shoqërie të fortë dhe të respektuar. Për shumë vite, në vendin tim, uniforma ka simbolizuar dhunë dhe brutalitet. Por, në dekadën e fundit Kosova është shndërruar në një vend në të cilin qytetarët e perceptojnë forcën policore si të veten, një forcë e cila kujdeset për sigurinë e tyre dhe mbizotërimin e ligjit pa marrë parasysh komunitetin etnik të cilit i shërbejnë. Unë isha pjesë e kësaj force dhe besoj fuqimisht në faktin se siguria e një individi dhe siguria e një komuniteti nënkuptojnë sigurinë e mbarë vendit. Unë besoj thellë se forcat e sigurisë duhet të ndërtojnë marrëdhënie me komunitetin dhe të ndihmojnë zhvillimin, prosperitetin dhe demokratizimin e vendit. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë e Kosovës e kanë arritur këtë, duke tejkaluar një trashëgimi të mosbesimit të krijuar nga një represion i gjatë nga forcat e sigurisë. Dhe kjo, dua ta ritheksoj edhe njëherë, ishte e mundur vetëm sepse themeli i vënë nga forcat paqeruajtëse të NATO-s, nga udhëheqësit tuaj ushtarakë, disa nga të cilët kanë kaluar nëpër këtë institucion i cili bartë aq shumë histori, na ka mësuar se sa me kujdes ju i ndërtoni këto marrëdhënie. Duke i ofruar siguri të gjerë qytetarëve të Kosovës, ata i lejuan atyre të jetojnë dhe të prosperojnë. Të rindërtojnë pa frikë, sepse prona e tyre do të shkatërrohet përsëri. Rreth pyetjes se çfarë kemi mësuar, unë them se ne duhet t’i përmirësojmë jetërat e  njerëzve duke i forcuar shoqëritë, dhe duke reduktuar konfliktet, unë them demokraci, zhvillim, siguri dhe përfshirje. Ne kemi arritur sukses së bashku në Kosovë sepse ne ndërtuam një vizion të bazuar në vlera. Ne nuk kemi bërë parashikime për të ardhmen apo kalkulime rreziqesh. Ne ishim të udhëhequr nga besimi se duhet të veprojmë së bashku që t’i shpëtojmë jetërat e qytetarëve tanë, të luftojmë për humanitetin tonë të përbashkët. Ne ndërtuam një vizion të përbashkët, në të cilin komuniteti ndërkombëtar dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë ndërhynë në mënyrë që t’i lejojnë Kosovës që të rritet dhe të maturojë. Dhe hap pas hapi, institucionet e reja u krijuan në Kosovë që Kosova të ndërmarrë mbi vete sigurinë edhe përgjegjësinë politike për vendin tonë. Dhe atë të cilën e ndërtuam së bashku, detyrimisht se do të ketë jetë të gjatë. Të dashur miq,  Jemi dëshmitarë të një bote të komplikuar, plot me konflikte dhe vuajtje njerëzore. Në këtë ambient të ri ka pak rëndësi se ku gjendemi gjeografikisht apo të çfarë madhësie janë vendet tona. Të gjithë jemi të rrezikuar nga kërcënimet e njëjta ndaj demokracisë sonë dhe qytetarëve tanë. Nuk ka shembull më të mirë se sa kërcënimi me të cilin ballafaqohemi momentalisht nga grupe dhe individë të cilët dëshirojnë t’i sfidojnë vlerat tona. Dhe para këtij kërcënimi ne duhet të qëndrojmë të bashkuar që të mbrojmë atë që është fondamentale për shoqëritë tona – lirinë dhe sigurinë të cilat do ta përcaktojnë mundësinë e prosperitetit tonë. Ky është një kompromis të cilin nuk duhet ta bëjmë kurrë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.