presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes së Republikës së Kosovës Zonjës Atifete Jahjaga në hapjen e Bridge Film Festival

Kam nderin që sonte të marrë pjesë në hapjen e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Bridge Film Fest”, një nismë unike që synon të promovojë tolerancën ndër etnike me anë të dialogut kulturor.

Të nderuar pjesëmarrës,Të nderuara organizatore të festivalit, Kam nderin që sonte të marrë pjesë në hapjen e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Bridge Film Fest”, një nismë unike që synon të promovojë tolerancën ndër etnike me anë të dialogut kulturor.Kjo iniciativë vizionare e një grupi të vajzave të Mitrovicës, të cilat përfaqësojnë natyrën e shtetit të Kosovës, shtet shumetnik dhe shumëkulturor, përçon mesazhin e qartë që të punojmë së bashku për të ndërtuar ura të bashkëpunimit, të mirëkuptimit dhe mirëbesimit ndërmjet nesh, qytetarë të Kosovës, për të mos mbetur peng të së kaluarës së rëndë por për të synuar një të ardhme në paqe, me prosperitet dhe të dinjitetshme për të gjithë qytetarët pa dallim.Përballja me realitetin ndarës dhe përjashtues të qytetit të Mitrovicës, ka nxitur te ideatorët e festivalit forcën e dëshirës për të kontribuar në ndërtimin e realitetit ku vihen në pah vlerat e shoqërisë së Kosovës të cilën jemi duke e ndërtuar, vlera të ngjashme këto me të gjitha shoqëritë në botë të cilat në themel të tyre kanë parimin themelor të demokracisë dhe të barazisë ndërmjet qytetarëve – pavarësisht etnisë, fesë apo gjinisë.Andaj dhe madhështia e këtij festivali qëndron te promovimi i dialogut kulturor ndërmjet komuniteteve, mes veriut dhe jugut të këtij qyteti dhe të vendit në përgjithësi, si një dialog i mirëkuptimit dhe paqes. Një dialogu jo vetëm ndërmjet komuniteteve të ndryshme të Kosovës por duke e zgjeruar në një bashkëpunim edhe rajonal dhe më gjerë, duke dëshmuar se diversiteti është vlera më e madhe e shoqërisë që ndihmon në ndërtimin e mirëbesimit dhe të gjithëpërfshirjes. Urat shërbejnë për t’i bashkuar njerëzit dhe për t’u mundësuar atyre lidhjet mes vete. Shërbejnë për të ndërtuar idealin e përbashkët për një vend të zhvilluar e demokratik, ku secili qytetar do të gjejë mundësinë e tij për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të përparuar. Urat nuk ndajnë njerëz por lumenj, nuk ndajnë vizione e ideale të përbashkëta, por bashkojnë vullnete dhe dëshira për përparime të përbashkëta në një vend të përbashkët.Mostovi ne razdvajaju ljude, vizije i ideale. Mostovi spajaju zzelju i spremnost za zajedniccki napredak u zajedniccku zemlju. Oni sluzze za izgradnju zajednicckog ideala, za jednu razvijenu i demokratsku drzzavu, u kojoj cce svaki gradjanin nacci moguccnost za bolji zzivot i bolju buduccnost.      Të nderuar pjesëmarrës,Mahatma Gandhi ka thënë “ bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë”.Organizatorët e këtij festivali po na dëshmojmë pikërisht këtë. Ndryshimin që duam ta shohim mund ta arrijmë vetëm duke punuar së bashku, duke dëgjuar njëri-tjetrin, duke marrë secilin përgjegjësinë e tij dhe duke qëndruar të palëkundur dhe të pakompromis për të arritur objektivin tonë. I përgëzoj organizatorët e këtij festivali të cilat që tashmë janë shembull inspirimi për shumë vajza jo vetëm në Kosovë por edhe në të gjithë botën,  për vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre për të ndërtuar një shoqëri ku ka vend vetëm paqja, harmonia dhe mirëkuptimi në mes qytetarëve të saj.    Ju uroj suksese të gjithë filmave konkurrues dhe i dëshiroj këtij festivali një jetë të gjatë. Jam e bindur që Bridge Film Fest do t’i kontribuojë rikthimit të identitetit të qytetit të Mitrovicës si djep i artit dhe kulturës dhe si promovues i paqes dhe harmonisë në mes njerëzve.Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.