Dëshiroj t’ju përgëzoj në këtë 15-vjetor të punës dhe angazhimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
E nderuara Ambasadore Jacobsson,I nderuar Ambasador Cliff,I nderuar baca Adem,E nderuar zonja Rushiti,Të nderuar familjarë të viktimave të torturës, Dëshiroj t’ju përgëzoj në këtë 15-vjetor të punës dhe angazhimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Pesëmbëdhjetë vite më parë, derisa flakët e luftës ishin ende të pashuara, kjo qendër u përkushtua në angazhimin, krahas qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, për të ndërtuar një Kosovë në paqe, për të ruajtur pikë së pari dinjitetin njerëzor dhe pastaj solidaritetin ndaj njëri-tjetrit. Dhe kjo është dëshmia më e mirë e punës dhe angazhimit të kësaj Qendre për 15 vite me radhë. Për këto 15 vite me radhë, kjo qendër ka qenë edhe si një zë i fuqishëm i shoqërisë civile për t’i mbrojtur të drejtat e viktimave të dhunës dhe torturës, për të shtrirë dorën e ndihmës, të përkrahjes dhe të mbështetjes ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave të cilët kanë qenë viktima të drejtpërdrejta, por edhe indirekte të dhunës dhe torturës gjatë luftës, e veçanërisht ndaj atyre zëri i të cilëve është heshtur, shpeshherë padrejtësisht. Për këto 15 vite me radhë, kjo Qendër ka qenë një partner i fuqishëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj, duke rrugëtuar së bashku për të gjetur mekanizmat ligjorë, shëndetësorë, psikosocialë dhe gjithë kjo punë dhe gjithë ky angazhim vetëm për hir të rehabilitimit dhe riintegrimit të të gjithë qytetarëve tanë që kanë qenë viktima të dhunës dhe të torturës gjatë luftës. Për këtë, dëshiroj të falënderoj drejtoreshën dhe stafin e kësaj Qendre, për punën dhe angazhimin e tyre. Për shumë familje kosovare, kanë qenë shpresa e mëtutjeshme e jetës , por edhe sikurse një shpresë për një shtytje të mëtutjeshme, për një shansë të dytë të tyre. Gjithsesi, kur i shënojmë këta përvjetorë, sikur është këtë përvjetor jubilar, 15-vjetorin e ekzistimit të kësaj Qendre, të punës dhe angazhimit të saj, ne krenohemi me të arriturat dhe sukseset. Por, gjithsesi se edhe shohim mbrapa se çfarë është bërë, si edhe shohim çfarë ka mbetur punë për t’u bërë ende. 15 vite pas përfundimit të luftës, plagët e saja ende janë të freskëta në mesin e familjeve tona, në mesin e qytetarëve tanë, plagë të cilat ende rëndojnë shumë shpirtin e gjithsecilit qytetar. Plagë të cilat mbajnë peng të ardhmen e qytetarëve tanë. Por, ne kemi treguar dhe kemi dëshmuar edhe si qytetarë edhe si institucione se jemi të gatshëm të përballemi me gjithë këto dhe të gjejmë zgjidhje ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë, familjet tona dhe të përballemi edhe me këto pasojat më të rënda të luftës. Kjo është dëshmuar edhe me aktivitetin e fundit, me krijimin e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, nën udhëheqjen time, në mars të këtij viti, të një kategorie të qytetarëve tanë zëri i të cilëve ka qenë i heshtur deri më tash. Një kategorie e cila ka qenë e stigmatizuar deri më tash. Por, ne jemi treguar të përkushtuar si institucione dhe si qytetarë që të marrim masat e nevojshme, përmes koordinimit ndërinstitucional të institucioneve të Republikës së Kosovës, së pari duke miratuar statusin e tyre ligjor, pastaj të japim edhe përkrahjen shëndetësore, psikosociale dhe ekonomike. Vetëm për t’u garantuar atyre rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin në shoqërinë që gjithmonë i kanë përkitur, por deri më tash zëri i tyre ka qenë i heshtur. Në këtë radhë, dëshiroj që të falënderoj Qendrën, e cila ka treguar një kujdes të jashtëzakonshëm që pas përfundimit të luftës ndaj këtyre kategorive të viktimave të dhunës seksuale të luftës. Ju më keni dëgjuar disa herë duke thënë se në këtë mes nuk ka ATO dhe NE, jeni NE dhe jemi NJË. Ne duhet t’i japim fund njëherë e përgjithmonë stigmatizimit të tyre të mëtutjeshëm në shoqërinë tonë. Për këto gra, lufta ende nuk ka përfunduar dhe së pari ky ndryshim duhet të fillojë në mesin e familjeve të tyre, në mesin e shoqërisë sonë dhe kjo duhet të ndryshojë. Sepse, turpi nuk është mbi to. Turpi është mbi ata që e kanë kryer këtë vepër makabre dhe jemi ne ata që duhet ta ndryshojmë këtë. Sepse, ato janë heroinat tona.