presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në manifestimin “Ecja kundër kancerit të gjirit”

Edhe këtë vit jemi mbledhur për të ngritur vetëdijen për njërën ndër sëmundjet më të vështira me të cilat përballemi, atë të kancerit te gjirit.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,I nderuar Ministër Abrashi,I nderuar Ministër Hoti,Deputete të nderuara,Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës,I nderuar Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë,E nderuara zonja Nafije Latifi,Zonja dhe Zotërinj,Të dashura mike, të dashur familjarë, Edhe këtë vit jemi mbledhur për të ngritur vetëdijen për njërën ndër sëmundjet më të vështira me të cilat përballemi, atë të kancerit te gjirit. Manifestimi ynë tradicional “Ecja kundër kancerit të gjirit”, po mbledh çdo vit më shumë mbështetës për të ngritur vetëdijen shoqërore mbi këtë sëmundje që prek gratë dhe burrat. Sëmundja e kancerit të gjirit mund të prek këdo prej nesh, pavarësisht shtresës shoqërore apo përkatësisë etnike, edhe pse kjo sëmundje është një ndër llojet e kancerit më vdekjeprurës në gra, kjo sëmundje prek edhe burrat. Avancimet në fushën e mjekësisë po e kthejnë sëmundjen e kancerit të gjirit në një sëmundje, e cila mund të shërohet gjithmonë e më shumë, e cila mund të mundet, me vullnetin dhe përkushtimin tuaj, nëse zbulohet herët. Diagnostikimi i hershëm është mundësi për t’u shëruar nga kjo sëmundje, është mundësi për jetë andaj të gjithë ne duhet t’i kushtojmë vëmendjen e duhur. Mikja jonë e dashur, e cila na ka emocionuar shpesh here me personazhet që i ka sjell te ne, zonja Leze Qena, ndan eksperiencën e saj të vyer, të cilin unë shpresoj shumë që ju ta bëni tuajën. Zonja Leze thotë që ajo i nënshtrohet kontrolleve të rregullta mjekësore çdo vit, në ditën e ditëlindjes së saj. Në këtë ditë, bëjani edhe ju vetes tuaj të njëjtën dhuratë. Ju inkurajoj për këtë. Kontrollet e rregullta mjekësore, vet kontrollet dhe kontrollet në shërbimet e specializuara mjekësore shpëtojnë jetë. Andaj unë ju bëj thirrje ti kushtoni vëmendjen e duhur shëndetit tuaj, duke e kthyer në pjesë të jetës tuaj kujdesin e rregullt mjekësor. Vajza të dashura, nuk është asnjëherë herët të kujdeseni për shëndetin tuaj. Motra, nëna të dashura gjeni kohën për t’u kujdesur edhe për veten, siç kujdeseni për të gjithë të dashurit tuaj, me një kontroll mjekësor. Vetëm disa ditë më parë, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, vizituam Klinikën e Onkologjisë, pamë përmirësimet pozitive në shërbimet shëndetësore të cilat i ofrohen qytetarëve të vendit, si dhe diskutuam rreth nevojave ende të mbetura për të ofruar shërbime gjithmonë e më shumë cilësore në përputhje me nevojat e qytetarëve tanë, dhe avancimet më të fundit mjekësore. Dua ta përsëris, ofrimi i shërbimeve shëndetësore, nga personeli mjekësor i specializuar dhe me pajisje të avancuara për diagnostikim dhe trajtim sipas standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare, mbetet synim i institucioneve të vendit. Sëmundja e kancerit të gjirit është një shqetësim global, me të cilën përballen edhe popullatat e vendeve më të avancuara, por ritmet e saj vdekjeprurëse janë duke u ngadalësuar me zhvillimet teknologjike, me zbulimet mjekësore, në të njëjtën kohë, edhe me rritjen e vetëdijes qytetare mbi pasojat e kësaj sëmundjeje. Në vendin tonë, zëri i fuqishëm i ngritjes së vetëdijes tonë mbetet zonja Nafije Latifi me Qendrës e saj për luftimin e kancerit të gjirit. Dëshiroj të shpreh një mirënjohje të veçantë për punën e palodhshme të zonjës Nafije Latifi, e cila për vite me radhë ka avokuar për sensibilizim të gjithëmbarshëm të shoqërisë, duke qëndruar vigjilente dhe kërkuese ndaj institucioneve të vendit për shërbimet që i ofrohen qytetarëve në mbarë vendin. Zonja Latifi, vullneti dhe vendosmëria juaj për të luftuar këtë sëmundje është një inspirim për të gjithë të prekurit nga sëmundja e kancerit. Për më tepër lufta juaj për vetëdijesim është kthyer në partneritet të rëndësishëm me të gjithë shoqërinë dhe institucionet. E dashur mike, të faleminderit, do ta kesh gjithmonë mbështetjen time të pakursyer. Përmes jush u japim një ndihmë të gjitha grave në vendin tonë. Zonja të dashurat, miket e mia, Përballja me sëmundjen e kancerit nuk është e lehtë, por ju nuk duhet të dorëzoheni në asnjë moment. Kini vullnetin dhe vendosmërinë për të luftuar këtë sëmundje, duajeni jetën, ashtu siç ju duan familjarët tuaj, të cilët ju qëndrojnë afër me përkushtim stoik dhe vendosmëri të palëkundur për të përballur së bashku këtë sëmundje. Jeta është gjëja më e shtrenjtë, kushtojini vëmendje shëndetit tuaj, bëni kontrolle të rregullta mjekësore. Diagnostifikimi i hershëm është mundësi për jetë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.