presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë

Jemi mbledhur së bashku sonte për të shënuar 60-vjetorin e pavarësisë dhe të deklarimit të neutralitetit të përhershëm të Republikës së Austrisë dhe njëkohësisht po vlerësojmë përkushtimin e saj për paqen, sigurinë dhe demokracinë si vlera të çmuara të shoqërive kudo në botë. Mbi të gjitha, në këtë përvjetor të neutralitetit të përhershëm të këtij vendi, çmojmë dedikimin e tij në ndihmë të ndërtimit të mirëkuptimit ndërmjet njerëzve dhe popujve.

Në kufi me Ballkanin Perëndimor dhe e afërt me këtë pjesë të Evropës, Austria e ka kuptuar më së miri jo vetëm historinë e dhimbshme të rajonit, por edhe përpjekjen për t’u bërë pjesë e pandashme e kombeve të lira në një familje evropiane. Austria ka qëndruar afër nesh për të na ndihmuar në rrugëtimin jo aq të lehtë të ndërtimit të paqes. Ju keni qenë pjesë e pandashme e historisë më të re të Kosovës, të përfshirë në dhënien fund të dhunës dhe luftës, në ndërtimin e një Kosove më ndryshe, më gjithëpërfshirëse, më demokratike, më të përparuar – një shtet i ndërtuar mbi parimin e drejtësisë. Ju keni qenë shembull jo vetëm i mikpritjes, në kohë paqeje, gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës, të përpjekjeve për ta bërë Kosovën të mëvetësishme, demokratike dhe përgjegjëse për fuqizimin dhe avancimin e të drejtave për të gjithë qytetarët e saj. Austria është pjesë e pandashme e bashkësisë ndërkombëtare, që ndan suksesin e Kosovës së re së bashku me popullin dhe institucionet e saj. Një Kosove të përkushtuar për të qenë pjesë e arkitekturës globale të sigurisë, besnike e vlerave të përgjithshme për paqe dhe zhvillim dhe kontribuuese në nismat për ndihmë atyre që sot bredhin rrugëve të botës, të shpërngulur me dhunë nga vendet e tyre. Ndërkohë sot kur po e testojmë demokracinë tonë, kur po e sfidojmë kushtetutën tonë e njëkohësisht po piqemi politikisht – ju na qëndroni sërish pranë, si miq dhe përkrahës, të bindur se problemet në tranzicionin tonë mund të tejkalohen me dialog dhe mirëkuptim, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke punuar fort në ndërtimin e një shteti të së drejtës, që shmang rrugën si zgjidhje por që ofron zgjidhjen brenda vetë institucionit.  I nderuar ambasador Brieger,Kur tashmë duhet të jeni bërë gati për të lënë Kosovën, pas vitesh të shërbimit këtu, dua t’ju falënderoj. T’ju them se sa të nderuar kemi qenë me ju, një mikun tonë të vërtetë, që ka ndihmuar në ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy kombeve tona. Puna dhe përkushtimi juaj në fuqizimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona, ju ka bërë mikun më të mirë të qytetarëve të Kosovës. Ju do të ikni nga Kosova së shpejti, pak ditë pas vizitës zyrtare të mikut tim dhe të Kosovës, Presidentit Fischer të Austrisë, por besoj se do të mbani në kujtesë dhe në zemër këtë vend. Le ta ngremë një dolli për Ambasadorin Brieger dhe le të besojmë se kjo nuk është një lamtumirë për të meqë Kosova do ta mbajë në mend si mikun e saj kudo që  të jetë. Me fat dhe urime!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.