Më 12 qershor, vetëm disa muaj më parë, kur po shënonim ditën e çlirimit të Kosovës, Prishtina u kthye në kryeqendrën e promovimit të të drejtave të njeriut, të drejtave të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, me instalacionin artistike “Mendoj për Ty”, të artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna Di Lellio.
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar deputete,Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatik në Kosovë,Të nderuar aktivistë të të drejtave të njeriut, artistë të dashur,E dashur AnnaTë nderuar pjesëmarrës,Zonja dhe Zotërinj,Më 12 qershor, vetëm disa muaj më parë, kur po shënonim ditën e çlirimit të Kosovës, Prishtina u kthye në kryeqendrën e promovimit të të drejtave të njeriut, të drejtave të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, me instalacionin artistike “Mendoj për Ty”, të artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna Di Lellio.Fusha e blertë e stadiumit të Prishtinës atë ditë u mbulua nga mbi pesë mijë funde e fustane, të cilat teksa qëndronin të varura, flisnin fuqishëm për aktet çnjerëzore të kryera mbi gratë e vendit tonë, bënin thirrje për njohjen dhe dënimin e këtij krimi lufte, mbi mbështetjen që të gjithë, institucione dhe qytetarë duhet t’iu ofrojmë të mbijetuarave, duke u dalë zot, dhe duke mos lejuar më që ky krim, kjo padrejtësi e madhe, të peshojë mbi supet e tyre. Për shumë vite me radhë e kemi pasur të vështirë të përballemi me këtë pasojë të rëndë që lufta na la pas, që preku dinjitetin e vajzave, motrave, nënave tona, duke i kthyer trupat e tyre në fushë betejë, për të ngjallur ndjenjën e frikës, të shtypjes, për të nxitur shpërnguljen, për të zhveshur një shoqëri të tërë nga vlerat e saj njerëzore. Duke zgjedhur heshtjen si përballje individuale, shoqërore, institucionale, u bëmë pjesë e padrejtësisë së ushtruar mbi to. Por, sot ne nuk heshtim më, sot ne jemi zëri i të mbijetuarave. Qëndrojmë të përkushtuar, të palëkundur, të pakompromis, për të garantuar të drejtat e tyre për jetë në paqe me dinjitet, për t’ju ofruar atyre mbrojtjen institucionale dhe shoqërore, duke ndërmarrë hapa të vazhdueshëm për rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e tyre të plotë. Vepra artistike që na solli Alketa dhe Anna, me mbështetjen e pakursyer të Zyrës time dhe të anëtarëve dhe partnerëve të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, rrugëtoi në cepa të ndryshëm të Kosovës, gjeti solidaritetin e qytetarëve të thjeshtë, e organizatave joqeveritare të grave dhe të burrave, e atyre ndërkombëtare, e zyrtarëve lokalë e atyre qendrorë, e deputetëve, familjeve të dëshmorëve që sakrifikuan çdo gjë për këtë vend, të vetë grave të mbijetuara të këtij krimi, duke tejkaluar edhe kufijtë e vendit. U shndërruam në Një dhe në të Pandarë, në mbështetjen tonë për të mbijetuarat dhe në dënimin e këtij krimi lufte, duke kërkuar njëzëri drejtësinë e shumëmerituar për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Pamja e fustaneve që valviteshin në stadiumin e futbollit do të mbesë gjatë në kujtesën tonë, si një vepër që na përcolli të vërteten e rëndë të një krimi mizor të kryer mbi qytetarët e vendit tonë. Do ta kujtojmë edhe si një shprehje të solidaritetit të pashoq i cili tejkaloi kufijtë e vendit në mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Shpreh falënderimin tim më të sinqertë për të gjithë aktivistët e të drejtave të njeriut nga çdo fushë e jetës, përfaqësues të organizatave të grave, që kthyen në mision të jetës së tyre mbrojtjen e të drejtave të këtyre grave dhe burrave, të gjithë ata të cilët nuk u ndalën asnjëherë në kërkimin e drejtësisë, që sfiduan stigmën, heshtjen edhe atëherë kur të tjerët nuk e bënë. Ju falënderoj për mbështetjen dhe punën e palodhshme që i kushtuat realizimit të kësaj vepre artistike dhe që vazhdoni të mbeteni vigjilentë për rolin që ne si institucione dhe shoqëri po luajmë në përmbushjen e synimit tonë të përbashkët për të garantuar të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Miq të dashur,Pas këtij dokumentari, i cili nëpërmjet rrugëtimit të bërë për realizimin e Instalacionit ‘Mendoj për ty’, do të na përcjellë emocione të shumta të pasojave dhe plagëve ende të hapura nga ky krim lufte që peshon mbi të gjithë shoqërinë, emocione të solidaritetit qytetar që njeh dhimbjen dhe krimin, shpresoj të merrni me vete edhe forcën e të mbijetuarave edhe shpresën e tyre, por mbi të gjitha të drejtën e tyre për një jetë në paqe. Pa paqen e tyre, ne nuk mund të gjejmë paqe. Të dashura mike, të dashura heroina tona, Ju falënderoj për forcën tuaj për t’u bërë pjesë e kësaj vepre artistike, për dedikimin dhe përkushtimin që i dhuruat dhe kurajën që na dhatë të gjithë ne. Falënderoj të gjithë partnerët që mbështeten realizimin e kësaj veprës artistike dhe këtij dokumentari, duke shprehur përkushtimin për të mos u ndalur deri në realizimin e të drejtave të plota për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.