presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU, NË CEREMONINË E NËNSHKRIMIT TË PROJEKT-KUSHTETUTËS NGA ANËTARËT E KOMISIONIT KUSHTETUES

“I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Jakup Krasniqi,
I nderuari Kryeministër i Kosovës, z. Hashim Thaqi,
E nderuara Shefe e Misionit të SHBA-së në Kosovë, Znj. Kaidanow,
I nderuari Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, z. Faith,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ministra të Qeverisë së Kosovës,
Të nderuar anëtarë të Komisionit Kushtetues,
Zonja dhe zotërinj:

“Sot po bëjmë një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së themeleve të funksionimit të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, sovran dhe i qëndrueshëm. Nënshkrimi i draftit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga anëtarët e Komisionit Kushtetues është kurorëzim i punës shumëmuajshe të këtij Komisioni, së bashku me Sekretariatin e tij, të cilët meritojnë një falënderim të veçantë për përkushtimin e tyre, me qëllim të hartimit të një kushtetute moderne, e cila do të mbështesë objektivat tona për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe prosperuese. Gjithashtu, shprehim mirënjohjen dhe konsideratën tonë për bashkëpunimin reciprok dhe të frytshëm që kemi pasur me përfaqësuesit e Zyrës Civile Ndërkombëtare, të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe me ekspertët e organizatave të tjera, të cilët kanë ofruar ekspertizën dhe përkrahjen e tyre të parezervë në të gjitha fazat e procesit të hartimit të kësaj projekt-kushtetute.
Si President i Republikës së Kosovës, në përputhje me dispozitat e Propozimit Gjithëpërfshirës të të Dërguarit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për statusin e Kosovës, Presidentit Marti Ahtisaari, kam emëruar Komisionin Kushtetues, me qëllim të hartimit të një Kushtetute, e cila do t?i përfshinte parimet më moderne dhe progresive të kushtetutave të vendeve demokratike anekënd botës, dhe që njëherësh paraqet zgjidhje të veçanta për rrethanat dhe specifikat e Kosovës si shtet shumetnik me garanci serioze për të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë. Ky qëllim është arritur në tërësi me tekstin e Kushtetutës që sot kemi para nesh.
Projekt-kushtetuta e Republikës së Kosovës dëshmon edhe një herë përkushtimin e institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës për të zbatuar në tërësi Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, dhe në veçanti dispozitat që kanë të bëjnë më liritë dhe të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë. Këto të drejta e liri themelore janë të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës. Me prezencën tonë sot këtu, në mënyrë solemne ne po respektojmë zotimin tonë dhe fjalën e dhënë para popullit dhe para botës se Republika e Kosovës do ta dëshmojë veten duke zgjeruar kufijtë e lirive njerëzore dhe do jetë një shoqëri ku secili do të krenohet si qytetar i barabartë i shtetit të vet dhe i botës.
Ky hap gjithashtu jep garanci për përparimin e një shoqërie të zhvilluar dhe paraqet bazën kryesore për forcimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, si dhe për ndërtimin e korpusit legjislativ që i duhet vendit tonë në hapat e mëtejmë drejt proceseve integruese në strukturat euroatlantike. Po ashtu, ky tekst, i cili përcakton se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, konfirmon gatishmërinë tonë që t?i mbrojmë ato me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutën që po e miratojmë dhe me ligj, dhe së bashku me miqtë tanë me të cilët jemi në partneritet të plotë për paqe dhe siguri.
Institucionet dhe populli i Kosovës janë zotuar se Kosova do të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social. Ky zotim do të realizohet më lehtë pas hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, e cila ndër të tjera garanton se ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Prosperimi ekonomik i Kosovës, i cili mund të arrihet vetëm nëse e drejta e pronës së secilit është e garantuar dhe e mbrojtur, do t?i hapë rrugë investimeve të shumta përmes të cilave Kosova, më në fund, do të ketë mundësi t?i shfrytëzojë pasuritë e saj të mëdha minerale dhe njerëzore.
Prandaj, Republika e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Kjo barazi do të arrihet edhe nëpërmjet një sistemi gjyqësor të paanshëm, apolitik dhe të pavarur, ku secili qytetar i Republikës së Kosovës do të mund të kërkojë realizimin e të drejtave të tij dhe të përdorë mjetet juridike të parapara me ligj.
Derisa po hapim një kaptinë të re të zhvillimeve, jemi të nderuar që sot po nënshkruajmë një tekst që do të paraqesë aktin më të lartë juridik të shtetit tonë dhe i cili në parimet e veta ngërthen aspiratat e popullit tonë për liri dhe paqe. Ashtu siç është proklamuar edhe në Preambulën e Projekt-Kushtetutës, jam i bindur se Republika e Kosovës do të jetë anëtare e denjë e familjes së shteteve paqedashëse në botë dhe shumë shpejt do të përfshihet në proceset integruese euroatlantike si një shtet demokratik i qytetarëve të barabartë.

This site is registered on wpml.org as a development site.