Tiranë, 27 qershor 2006
Kam nderin e veçantë që t?i drejtohem këtij insitucioni të lartë të demokracisë së Shqipërisë. Nderi, por edhe kënaqësia bëhen edhe më të mëdha kur te kihet parasyshë koha që u desh të kalonte para se Kosova dhe Shqipëria të mund te komunikonin lirshëm dhe normalisht.
E nderuara Kryetare,Të nderuar deputetë,Në qershorin e vitit, 1878, para 128 vjetësh, prijësit shqiptarë të të katër vilajeteve u mblodhën në Prizren, në qytetin e bukur të Kosovës, për të krijuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, që përmblodhi aspiratat pavarësiste të shqiptarëve që kishin lënguar nën sundimin qindravjeçar otoman. Viti 1912, viti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ka mbetur në historinë kombëtare me shijen e ëmbël dhe të hidhur përnjëherësh: u kurorëzua shtetësia shqiptare e gjysmës së kombit: gjysma tjetër mbeti jashtë. Thelbi i asaj gjysme tjetër është Kosova e sotme, shteti që po e bëjmë sot, gati njëqind vjet më vonë.Me lejoni që këtu dhe sot të shprehë edhe një herë mirënjohjen dhe falenderimin më të thellë, timin dhe të popullit të Kosovës për gjithë ate që Shqipëria ka bërë dhe po bënë në përkrahje të Kosovës dhe përpjekjeve të saj për liri e pavarësi.Krahas rezistencës së fuqishme të dekadave të tëra më parë, me ngulm të veçantë Kosova nisi rrugën e demokracisë e të pavarësisë në fund të viteve tetëdhjetë, kur, nën drejtimin e Dr. Ibrahim Rugovës, njeriut të urtë e intelektualit shembullor, u formua Lidhja Demokratike e Kosovës, i pari formacion jokomunist autokton në hapësirat shqiptare të Ballkanit pas Luftës së Dytë Botërore. Më 2 korrik 1990 Kuvendi i Kosovës shpalli Deklaratën Kushtetuese, që ne në Kosovë i themi Deklarata e Pavarësisë. Në shtator të vitit 1991 u mbaj Referendumi për pavarësisë e Republikës së Kosovës. Më 24 maj 1992 u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në Kosovë. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetari i parë i zgjedhur demokratikisht i Kosovës. Më 1998 u mbajtën zgjedhjet e dyta në Kosovë.Rruga e Kosovës për liri, demokraci e pavarësi, sikur edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sollën në qershorin e vitit 1999 lirinë tonë të gjakur për shekuj, për të cilën derdhën dije, djersë e gjak, breza të tërë shqiptarësh. Liria e Kosovës bëhët edhe më e çmueshme sepse është rezultat i përkrahjes vendimtare dhe ndihmës bujare të miqëve tanë, SHBA dhe UE në rend të parë, dhe shumë të tjerëve që krijuam në kohën e demokracisë sonë të brendshme në Kosovë.Katër palë zgjedhjet qendrore dhe vendore që janë mbajtur në Kosovën e lirë kanë dëshmuar vlerat demokratike dhe kulturën shtetërore që kemi ndërtuar në këto 16-17 vjet në Kosovë. Tashti mbetet ta kurorëzojmë pavarësinë e Kosovës, që besojmë se do të bëhet sivjet, në mbarim të procesit ndërkombëtar të cilit i prin Presidenti Marti Ahtisaari, në emër të Kombeve të Bashkuara. Me pavarësimin e Kosovës, projekt që mishëron ëndërren shekullore të popullit të Kosovës dhe idealizmin e pragmatizmin politik të Ibrahim Rugovës, presidentit historik të Kosovës, por edhe me përparimet demokratike që ka bërë Shqipëria, bëhet e mundshme që Kosova dhe Shqipëria të konvergjojnë me sukses drejt familjes euro-atlantike.Ëndërrat e parealizuara do të bëhën realitet në proceset integruese evro-atlantike, që është përcaktim i fuqishem i të dyja vendeve tona. Integrimi dhe bashkimi me Unionin Evropian dhe NATO-n, me vlerat e përbashkëta dhe veçantitë që kemi ne, Kosova dhe Shqipëria, popujt tanë, shqiptarët dhe pakicat është imperativ tani.Kosova do të ketë kujdes të veçantë ndaj komuniteteve pakicë, duke i trajtuar të gjitheë ata dhe pa dallim në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare. Synim yni parësor është ndërtimi i një Kosove të pavarur e sovrane e cila nderon dhe ruan veçantitë kulturore dhe etnike të secilit. Kosova dhe Shqipëria kanë shanset e mira të rinjohjeve shqiptare, por edhe të shqiptarëve me popujt që i rrethojnë, duke mësuar njëra prej tjetrës nga ato që janë bërë mirë apo keq përgjatë historisë, sidomos në punë të mbajtjes së shtetit dhe të ndërtimit të demokracisë. Rroftë Kosova!Rroftë Shqipëria!Ju falemnderit