presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT SEJDIU NË CEREMONINË E ZBULIMI TË SHTATORES SË PROFESOR FEHMI AGANIT

Është nder i veçantë për të gjithë ne që sot, pas shtatë vite të vrasjes mizore të Prof. Fehmi Agani, shpalosim së bashku shtatoren përkushtuar figurës së tij madhore, për ta mbajtur kështu kujtimin e përhershëm edhe në mjedisin universitar, ku ai kaloi shumicën e shekullit të tij të punës.

Prof. Fehmi Agani bën pjesë në radhën e burrave të mëdhenj e të rrallë të Kosovës që me të gjithë përkushtimin e tij jetësor deri në flijim bëri luftë të madhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke qenë shembull unikat i një personaliteti që në vete gërshetoi aq fuqishëm dijen dhe intelektin e tij, vizionin dhe guximin e pashoq për ta sfiduar me dekada të tëra atë trysni dhe terror të madh që i bëhej Kosovës dhe shqiptarëve. Prof. Fehmi Agani diti më së miri që përmes aftësive të tija të jashtëzakonshme, si profesor universiteti dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, të hyjë në thellësitë e dijes universale për të kontribuar kështu jo vetëm në rritën dhe edukimin e brezave të shumtë të studentëve në Universitet, por në të njëjtën kohë krahas këtij arsimimi universitar t’ua mishërojë atyre fuqishëm idenë për emancipimin nacional dhe të luftës për liri të shqiptarëve. Si rrallëkush ai dijti që të gërshetojë në mënyrën më të mirë gjithë potencialin e horizonteve të dijes së tij për të vepruar në shumë rrafshe paralele. Dhe, kështu Prof. Fehmi Aganin e gjejmë si njërin nga inicuesit dhe mbështetësit e fuqishëm të lëvizjes politike për avancimin e statusit juridik, kushtetues e politik të Kosovës në vitet e 60’ta, kur ajo përballej me oguret e zeza që vinin nga Serbia, me qëllim të përmbysjes dhe zhbërjes së saj.Prof. Fehmi Aganin e gjejmë nga mbështetësit më të fuqishëm të lëvizjes politike gjatë viteve të mëvonshme dhe posaçërisht si mbështetës të paepur të kërkesave të studentëve dhe të popullit të Kosovës për Republikën e Kosovës në fillim të viteve të 80’ta. Si i përndjekur politik në vazhdimësi në këto vite të vështira të Kosovës, Prof. Fehmi Agani nuk u nda asnjëherë nga ideali i tij për t’u bërë kështu një nga ideatorët më të rëndësishëm të lëvizjes politike dhe të rezistencës së përgjithshme kundër Serbisë nga fundi i viteve të 80’ta dhe gjatë gjithë dekadës në vijim deri në vrasjen e tij mizore nga forcat serbe në pranverën e përgjakshme të vitit ’99. Prof. Fehmi Agani ishte nga mbështetësit dhe ideatorët më të fuqishëm të këtij koncepti politik që udhëhiqej nga Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Prof. Fehmi Agani arriti që me shkathtësitë e tij prej dijetari të thellë dhe diplomati jashtëzakonisht të shkathtë të kontribuojë në mbajtjen e kohezionit të përgjithshëm politik midis shqiptarëve në luftën për liri dhe pavarësi, duke pasur kontakte të vazhdueshme me të gjithë faktorët e rëndësishëm brendashqiptarë të atyre viteve dhe pokështu në të njëjtën kohë ishte artikulues brilant i çështjes së Kosovës në të gjitha qarqet diplomatike ndërkombëtare.Shkathësia e tij mahnitëse dhe sharmi tij në komunikim, shprehej me guxim dhe këmbëngulësi, shprehej edhe atje prej nga nuk e priste kthimin e mëpastajmë në familje. Si nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës për gjithë periudhën prej formimit të saj, Prof. Fehmi Agani krahas rolit të fuqishëm që kishte brenda saj, po me kaq fuqi kontribuoi në ndërtimin e kulturës politike dhe institucionale të Kosovës e cila para së gjithash do të reflektojë me një unitet veprues të të gjithë faktorëve të rezistencës edhe paqësore, por edhe ushtarake në Kosovë, dhe pokështu edhe në instalimin e institucioneve në rrethanat më të vështira të kohës gjatë viteve të 90’ta.Vrasja mizore e Prof. Fehmi Aganit në pranverën e vitit 1999 ishte vetëm një akt i tërbimit dhe i pafuqisë së Serbisë dhe gjithë establishmentit të saj policor e ushtarak për t’u përballur me proceset e mëdha të lirisë nëpër të cilat kalonte Kosova. Me vrasjen e burrave të mëdhenj goditej palca e rezistencës dhe e luftës për liri të shqiptarëve. Zonja dhe zotërinj, ka qenë privilegj i madh i gjithë neve që e kemi pasur profesor, udhëheqës dhe kemi punuar me këtë burrë të madh të Kosovës, i cili u dekorua nga Presidenti Rugova me Urdhërin më të lartë – Hero i Kosovës. Dhe kjo shtatore le të na e përjetësojë Profesor Aganin në mjedisin akademik!I falemi përjetë kujtmit të tij,Lavdi Profesor Agani!Dr. Fatmir SejdiuPresident i Kosovës

This site is registered on wpml.org as a development site.