DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, Dr. FATMIR SEJDIU, NË CEREMONINË E SHPALLJES DOKTOR NDERI I UNIVERSITETIT TË TIRANËS

Më lejoni që t?ju shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për nderin e madh që më bëni duke më akorduar çmimin ?Doktor Nderi? i Universitetit të Tiranës, i cili me vlerën e tij shton përgjegjësinë time prej studiuesi dhe personi publik, si President i Kosovës.

Çmimin ‘Doktor Nderi’ të Universitetit Tuaj e vlerësoj si një nxitje dhe mbështetje të fuqishme për popullin e Kosovës, institucionin që përfaqësoj dhe institucionet tjera demokratike të Kosovës, në rrugën tonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Ky moment dhe ky çmim i lartë  domosdo na e kthen kujtesën tek Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, të cilin ju e nderuat para dy vitesh, duke çmuar lart veprën e tij të madhe prej studiuesi dhe udhëheqësi të luftës së fuqishme të shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Me këtë rast dua të theksoj në veçanti faktin se Universiteti i Tiranës, si qendër e rëndësishme e arsimimit të lartë gjatë gjithë periudhës së aktivitetit të tij, pra që nga themelimi, ka qenë një vatër e rëndësishme e studimeve dhe e hulumtimeve shkencore. Universiteti Juaj ka bërë përpjekje maksimale dhe të sukseshme për të kontribuar në afirmimin kulminant të shkencës dhe të dijes shqiptare në fusha të shumta. Në veçanti, dallohet kontributi i këtij institucioni në fushën e studimeve mbi gjenezën e popullit shqiptar dhe gjithë zhvillimet e tjera që lidhen me botën iliro-shqiptare, duke argumentuar më së miri prezencën tonë prej lashtësie, zhvillimin e institucioneve shtetërore autoktone në periudha të ndryshme të historisë, por edhe në studimet në fusha të tjera, duke u bërë sot vatër e rëndësishme në studimet bashkëkohëse multidisiplinare. Nuk mund të harrohet asnjëherë roli i veçantë i këtij universiteti në nxitjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit të ngushtë me Universitetin e Prishtinës, sidomos në periudhën e viteve të 70’ta, atëherë kur në të dy universitetet janë bërë këmbime studiuesish dhe mësimdhënësish në lëmenj të ndryshëm, duke kapërcyer në mënyrën më të mirë të mundshme barrierat e kohës që e pengonin komunikimin ndërshqiptar dhe ndëruniversitar.Zonja dhe zotërinj,Dëshiroj të theksoj se në gjithë studimet e mia të gjertanishme dhe në punën time prej mësimdhënësi universitar, jam përpjekë që të jem në mision të ndriçimit të shumë fakteve të rëndësishme që lidhen me emancipimin shtetëror dhe juridik të Kosovës, si dhe argumentimin e nevojës së bërjes së saj shtet i pavarur dhe sovran, duke vlerësuar realitetet e reja të ndërtuara në Evropën Juglindore.Në këtë kohë të zhvillimeve tona, mund të theksoj faktin se është arritur një progres jashtëzakonisht i madh në ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve demokratike të dala nga vota e lirë e qytetarëve si dhe në rigjenerimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, përkundër vështirësive të mëdha me të cilat përballemi.Jemi të bindur se viti 2006 do të jetë vit i përmbylljes së procesit për pavarësimin e plotë të Kosovës, duke hapur mundësinë e integrimeve të saj euro-atlantike në një periudhë jo të largët pas pavarësimit. Me këtë rast dëshiroj të shpreh falënderimin e madh për mbështetjen që Shqipëria po i jep Kosovës me të gjithë mekanizmat e vet shtetërorë. Po kështu, shfrytëzoj rastin që të shpreh mirënjohjen tonë për investimet e mëdha që kanë bërë në Kosovë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Unionit Evropian, por edhe vende të tjera të botës demokratike. Shpresoj se, si gjithmonë, edhe në këtë periudhë kaq të rëndësishme të zhvillimeve tona, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Prishtinës, por edhe universitetet e tjera, do të gjejnë mundësinë më të mirë të bashkëpunimit për të ofruar gjithë potencialin e tyre në shërbim të zhvillimit më të shpejtë ekonomik të Kosovës, përmes projekteve dhe iniciativave të shumta që mund të dalin nga gjiu i tyre.  Komunikimi i ndërsjellë në të gjitha fushat e jetës, natyrshëm do të kapërcejë pengesat që mund të dalin dhe do të jetë kontribut i veçantë në proceset e integrimeve brenda shqiptare. Zonja dhe zotërinj,Më lejoni edhe një herë t’ju falënderoj gjithë ju për këtë nder që më keni bërë, duke premtuar se do të vazhdoj me këmbëngulje përpjekjet e mia bashkë me institucionet e tjera për realizimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës – pavarësimin e plotë dhe ndërtimin e saj shtet modern e demokratik që do të ketë kujdes të veçantë, krahas zhvillimit dhe ruajtjes së dinjitetit nacional, pokështu edhe për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore edhe të të gjithë qytetarëve tjerë të saj. Zoti President, Zoti Rektor,Duke qenë i bindur se kjo vatër e lartë e arsimit dhe e shkencës do të vazhdojë rrugën e kolosëve të mëdhenj që ka pasur në gjiun e vet, Ju dëshiroj suksese të mëtejshme në punën e shenjtë dhe të pazëvendësueshme që bëni.  Ju falemnderit!

This site is registered on wpml.org as a development site.