DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT Dr. FATMIR SEJDIU NË CEREMONINË E LAMTUMIRËS PËR PËRFAQSUESIN SPECIAL TË SEKRETARIT TË PËRGJITSHËM z. SOREN JESEN – PETERSEN

Më lejoni që sonte të them disa fjalë për njeriun që me një energji të pashterrshme, me një qasje të pashembullt dhe me një aktivizëm të pandalë bëri të mundshmet dhe të pamundshmet për Kosovën. Z. Soren Jesen Petersen do të mbetet personalitet përbërës dhe kreativ i të gjitha përpjekjeve tona serioze në ndërtimin e paqes, të sigurisë, të zhvillimit, të mirëqenies së përgjithshme në Kosovë dhe të raporteve të mira midis të gjitha etnive, të shumicës dhe të pakicës.

z. Soren Jesen Petersen ishte gjatë gjithë kësaj periudhe të punës së tij në mision të përhershëm në plasimin e së vërtetës objektive për Kosovën, të realitetit të saj të ndërtuar, të vizionit të saj dhe të vullnetit politik për të ardhmen e vet, gjë që e bëri në mënyrën më të mirë para të gjithëve, në fqinjësi me vendet e Kosovës, në rajon, në Unionin Evropian dhe para gjithë faktorëve të tjerë ndërkombëtarë deri në nivelin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.z. Soren Jesen Petersen punën e vet në Kosovë nuk e filloi nga zeroja. Nuk pati nevojë që të rikthejë kohën për të studiuar realitetin pozitiv të krijuar në Kosovë. Ai angazhimin e tij në Kosovë e filloi me një qasje tepër serioze dhe siç thuhet ‘drejtpërdrejt në temë’ duke e nxitur veprimin e gjithë institucioneve ndërkombëtare që të lëvizin më shpejtë, por edhe duke shprehur në të njejtën kohë bashkëpunimin e tij të nevojshëm me institucionet demokratike të Kosovës në nivel partneriteti, ashtu siç e tha nga fillimi.Bashkëpunimi i tij me institucionet e Kosovës ishte i nivelit më të lartë të mundshëm. Gjithmonë dhe në çdo kohë kemi pasur mundësinë e përbashkët të zhvillojmë diskutime për të gjitha temat që kanë të bëjnë me të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.z. Soren Jesen Petersen bëri një angazhim të jashtëzakonshëm në ndihmë të konsolidimit të institucioneve të Kosovës. Vdekja e hershme e Presidentit Rugova që krijoi një zbrazëti të madhe në ditë të vështira dhe të rëndësishme për Kosovën ishte një sprovë e përbashkët. Pokështu angazhimi i tij ishte i rëndësishëm në fazën e mëtejme të konsolidimit institucional në Parlament dhe Qeveri. Shfrytëzoj rastin që z. Soren Jesen Petersen ta falënderoj për përkushtimin e tij të veçantë krahas gjithë kësaj pune edhe për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë Ekipit të Unitetit të Kosovës. Jemi të bindur se z. Soren Jesen Petersen përkundër përmbylljes së mandatit të tij në Kosovë, do të mbetet mik i përhershëm i Kosovës dhe popullit të saj. Dhe pokështu besojmë se z. Soren Jesen Petersen do të gjejë kohë dhe mundësi që të jetë mbështetës i proceseve në vazhdim, i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe integrimit të saj në strukturat e saj euro-atlantike. z. Petersen, më lejoni që duke shfrytëzuar kompetencat e mia kushtetuese për meritat e jashtzakonshme Tuajat gjatë angazhimit në Kosovë, në krye të misionit ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara t’Ju akordoj ‘Medaljen e Artë’ për Shërbim Civil në Kosovë. Ju faleminderit për të gjitha!

This site is registered on wpml.org as a development site.