DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALIMI I PRESIDENTIT TË KOSOVËS FATMIR SEJDIU NË KËSHILLIN E SIGURIMIT, NJU JORK, 13 KORRIK 2006

Kosova: E kaluara dhe e ardhmja

Shkëlqesia Juaj, President i Këshillit
Shkëlqesia juaj, Anëtarë të Këshillit

Jam mirënjohës që kam mundësinë t?ju prezentoj juve pikëpamjet e Kosovës mbi procesin e statusit final të saj.

Para se të flas për thelbin e qëndrimit të Kosovës më hollësisht, dua të them diçka për vetë procesin e statusit final. Nuk ka asnjë proces tjetër më të rëndësishëm për popullin tonë. Ne jemi të përkushtuar drejt një procesi të hapur, transparent dhe mbi të gjitha paqësor. Ne po punojmë ngushtë me përfaqësuesin special të Kombeve të Bashkuara dhe ekipin e tij. Ne kemi bërë përpjekje të mëdha për të hartuar dokumente të hollësishme lidhur me çështjet teknike në fjalë, për të cilat janë pajtuar të gjithë anëtarët e delegacionit nga Kosova. Ne kemi qenë fleksibilë në negociatat që janë zhvilluar deri tani, në çështjet ‘teknike’ të decentralizimit me rëndësi të madhe siç janë: trashëgimia kulturore dhe ekonomia. Dhe ne do të mbetemi të përkushtuar në procesin dhe diskutimet konstruktive të mëtutjeshme.Ne jemi të vendosur të gjejmë zgjidhjet më të mira për secilën çështje që ka të bëjë me statusin.

Por, unë duhet të theksoj para jush se në Kosovë dhe në rajon presim që procesi të përfundojë para fundit të këtij viti. Kosova ka kaluar nëpër shtatë vite të paqartësisë rreth statusit që nga ngjarjet e tmerrshme të v. 1999. Kjo paqartësi ka penguar zhvillimin ekonomik dhe ka ushqyer tensionet politike. Nuk do t’i shërbente askujt në Kosovë apo edhe më gjerë në rajonin e Evropës Jug-Lindore nëse kjo paqartësi do të vazhdonte më tepër se që ka nevojë. Ky proces duhet të definojë statusin e Kosovës tani njëherë e mirë. Dëshira e shumicës dërmuese të popullit të Kosovës për një Kosovë të pavarur është e njohur mirë. Ky është vullneti i shumicës se popullit të Kosovës qe një kohë të gjatë; që para represionit dhe gjenocidit të viteve të Millosheviqit. Në këtë javë na përkujtohen krimet e atij regjimi, tani që filloi gjykimi në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavi në Hagë i gjashtë ministrave dhe gjeneralëve të Millosheviqit duke përfshirë ish-Presidentin e Serbisë, për krime që përfshijnë deportimin e dhunshëm të mbi 800,000 shqiptarëve të Kosovës – gjysmës së popullsisë dhe të masakrës së mbi 100 burrave dhe djemve gjatë një nate në një fshat në Kosovës Jugore, në Krushë të Vogël.

Këto ishin vetëm disa nga krimet e tyre dhe këto krime ndodhën vetëm shtatë vjet më parë.Nuk është e lehtë për askend të përballet me krime të tilla gjatë jetës së vet, e lere më për pak vite. Fotografitë e të zhdukurve nga lufta ende qëndrojnë varur në rrethojën e ndërtesave qeveritare në Prishtinë. Familjet tona mbajnë zi për çdo ditë, mirëpo përkundër gjithë kësaj dhimbjeje, ne e dimë se kjo është e kaluara, ndërsa ne duhet të shikojme kah e ardhmja. Nuk mund ta harrojmë të kaluarën, por jemi të përcaktuar që të shkojmë kah e ardhmja. Përkundër kësaj historie dëshira mbizotëruese e popullit të Kosovës është të ndërtohet një shoqëri multietnike me të drejta të barabarta për të gjitha komunitetet. Kjo ambicje formëson qëndrimet tona në procesin për përcaktim të statusit final dhe në punën e qeverisë së Kosovës. Dëshira për të krijuar institucione, për të hartuar ligje dhe për të vendosur norma që ndërtojnë, mbrojnë dhe mbajnë një shoqëri multientike është në qendër të punës së Qeverisë për të bërë përparime në ato që quhen Standarde për Kosovën: në punën e saj për të përmirësuar sundimin e ligjit, mbrojtjen e pakicave, përfaqësimin e pakicave në institcionet e Kosovës, qeverisje efektive vendore dhe një ekonomi funksionale.

Në vetë procesin për statusin final, çdo qëndrim që ia kemi paraqitur përfaqësuesit special Ahtisari bazohet në dëshirën tonë për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe demokratike për të gjithë qytetarët e saj. Kjo është alfa dhe omega, fillimi dhe mbarimi i qëndrimit tonë. Mirëpo, çka do të thotë kjo në hollësi?Në një shoqëri multientike, qeveria duhet t’i përfaqësojë drejtë të gjitha komunitetet. Në Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës janë rezervuar ulëse për komunitetet joshqiptare të Kosovës. Pakicat e tjera, me përjashtim të serbëve kanë zënë vendet e tyre në Kuvend dhe në Qeveri. E themi me keqardhje të thellë se përfaqësuesit serbë ende nuk i kanë zënë vendet e veta dhe refuzojnë të marrin pjesë në detyrën tonë të përbashkët të qeverisjes. E di nga bisedat që kam me këta përfaqësues se kjo shpeshherë nuk është zgjedhja e tyre, por rezultat i presioneve nga Beogradi, i cili dëshiron ta delegjitimojë Qeverinë e Kosovës. Sikurse Përfaqësuesi Special i OKB-së në raportin e tij të fundit para Këshillit të Sigurimit, i bëj thirrje Beogradit t’i japë fund këtij bojkoti dhe tu mundësojë serbëve të Kosovës të zënë vendet që u takojnë në Qeverinë tonë. Ata janë të mirëseardhur aty dhe do të jenë të mirëseardhur gjithherë. Dhe ndonëse mungesa e tyre aktualisht pengon punën tonë për të ndërtuar institucione të përbashkëta ajo nuk e ndal këtë punë. Kemi përgatitur plane gjithëpërfshirëse dhe të hollësishme për komuna të reja dhe qeverisje lokale në Kosovë, në mënyrë që Qeveria të jetë në rrafshin ku vendorët të mund të marrin vendime për vehten.

Siç ka vendosur tashmë Grupi i Kontaktit, nuk mund të krijohen entitete të ndara entike në Kosovë. Kjo nuk do të funksiononte në një vend ku shqiptarët dhe serbët janë të shpërndarë dhe të përzier nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Kosova duhet të mbetet një territor unitar, me një qeveri për të gjithë, ndonëse me vendimmarrje të bartur në rrafshin lokal për shumë çështje, duke përfshirë shërbimet vendore, kujdesin shëndetësor, arsimin e kështu me radhë.I kemi diskutuar këto plane në hollësi me UNOSEK-un dhe Serbinë dhe këto biseda po vazhdojnë. Në bisedat e mëtejshme me UNOSEK-un është identifikuar tashmë një hapsirë e madhe e përbashkët (pajtimi) dhe kemi rënë në ujdi për shumë nga kompetencat që do t’i kenë komunat. Ka ende çështje të rëndësishme për të diskutuar. Mirëpo, jam i bindur se për këto çështje, me fleksibilitet nga të gjitha palët, mund të biem në ujdi. Poashtu, është arritur përparim i madh në bisedat për mënyrën se si mund ta mbrojmë më së miri trashëgiminë kulturore të komuniteteve të Kosovës duke përfshirë kishat, manastiret dhe vendet e tjera me rëndësi religjioze dhe kulturore. Nga ana e Kosovës, përkushtimi ynë është i qartë si kristali: ne do ta mbrojmë dhe ruajmë gjithë trashëgiminë kulturore të Kosovës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë trashëgimisë së komuniteteve joshqiptare, d.m.th. minoritare, të Kosovës. Kjo është trashëgimi e përbashkët e gjithë popullit të Kosovës, dhe prandaj është detyra jonë ndaj gjithë qytetarëve tanë ta mbrojmë dhe ruajmë këtë trashëgimi.

Në veçanti do të ruhen të drejtat e kishës ortodokse serbe, të përfaqësuesve dhe pjesëtarëve të saj, ndërsa manastiret dhe kishat do të mbrohen në përputhje me normat relevante ndërkombëtare, duke përfshirë Deklaratën Universale dhe shumë instrumenta të tjerë të OKB-së dhe Këshillit të Evropës. Diskutimet në pjesën më të madhe sillen rreth aranzhmaneve praktike, siç është identifikimi i zonave mbrojtëse përreth vendeve religjioze, për t’i siguruar këto të drejta, edhe këtu jam i sigurtë se marrëveshja është e mundshme, nëse ka vullnet të mirë nga të gjitha palët.Me UNOSEK-un kemi nisur bisedat e ndërlikuara për çështjen e ndarjes së borxhit të jashtëm dhe aseteve të ish-Jugosllavisë. UNOSEK-ut ia kemi paraqitur qëndrimet tona themelore. P.sh. për sa i përket borxhit, jemi të gatshëm, më disa kufizime, të pranojmë një pjesë të borxhit të alokuar mbi bazë të parimit të ‘përfituesit të fundit’. Për sa i përket pronës shtetërore dhe shoqërore në Kosovë, kjo pronë i takon Kosovës ndërsa në të njejtën kohë është bërë dhe vazhdon të bëhet një punë e madhe për të ndarë asetet e ndërmarrjeve të ashtu-quajtura shoqërore dhe kompanive të tjera shtetërore përmes një procesi të privatizimit të mbikëqyrur ndërkombtarisht.

Dua të theksoj ndërkaq së Kosova ka paguar tashmë çmim të lartë për paqartësinë e statusit të saj që nga v. 1999. Ka papunësi të lartë në Kosovë dhe ngecje ekonomike të konsiderueshme – të ardhurat janë ndër më të ultat në Evropë. Kjo gjendje është padyshim rrjedhojë e statusit të paërcaktuar të Kosovës që ka penguar investimet nga jashtë dhe brenda vendit. Shkëlqesi, Jam shumë i bindur se këto çështje të vështira mund të zgjidhen. Mirëpo, duhet të ketë angazhim nga të gjitha palët për ta bërë këtë. Më vjen keq që Qeveria në Beograd ka mbajtur një linjë shumë të vështirë dhe jo fleksibile në këto biseda deri tani. Këto biseda nuk do të kenë sukses në qoftëse Serbia mbetet e fiksuar në të kaluarën, i injoron realitetet evidente të së tashmes dhe në këtë mënyrë humb shansin për të ardhmen.Serbia duhet të njohë dy realitete të pakontestueshe të Kosovës së sotme: se që nga tmerri dhe mjerimi i v. 1999, Kosova ëhtë qeverisur ndaraz nga Serbia. Ora e historisë nuk mund të kthehet mbrapa. Realiteti i dytë – po aq i pakontestueshëm – është dëshira e qartë dhe mbizotëruese e shumicës dërmuese të popullit të Kosovës që Kosova më në fund të njihet si shtet i pavarur dhe sovran. Kjo dëshirë nuk mund të injorohet apo të zbëhet me biseda.

Ka vetëm një rrugë drejt stabilitetit që e dëshirojmë të gjithë me afsh: një vendim të qartë dhe të vendosur për ta bërë Kosovën më në fund shtet të pavarur. Shteti i ardhshëm i Kosovës Shteti i ardhshëm i Kosovës do të ofrojë gamën më të gjerë të mundshme të mbrojtjes, si kushtetuese ashtu edhe praktike, për të siguruar sundim të ligjit dhe mbrojtje të të drejtave të të gjitha komuniteteve: serbe, turke, rome, ashkali, boshnjake. Kosova do të jetë një shtet në paqe me fqinjët e parë dhe me rajonin në përgjithësi. Ne nuk kemi pretendime apo lakmi për territore të të tjerëve, por as nuk do të tolerojmë pretendimet ndaj territorit tonë. Ne pranojmë plotësisht kushtet që ka vënë Grupi i Kontaktit për procesin për statusin përfundimtar, se mu ashtu sikurse nuk mund të ketë ndarje të Kosovës, nuk mund të ketë ndryshim në kufijtë dhe territorin ekzistues. Në të vërtetë, sapo të bëhemi shtet i pavarur, duam që të mbërrijmë marrëveshje të shpejta për t’i hapur kufijtë tanë – dhe tregëtinë tonë – me fqinjët tanë. Ne duam të bashkëpunojmë plotësisht dhe hapur në të gjitha fushat me fqinjët tanë dhe me rajonin, dukë përfshirë edhe përmes mekanizmave ekzistues të Paktit të Stabilitetit dhe procesit të bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Bashkëpunimi i plotë rajonal bëhet i mundshëm vetëm kur të jetë zgjidhur çështja e Kosovës, pjesa e vetme e mbetur e enigmës së Ballkanit. Pa marrë parasysh divergjencat që kemi sot, është e qartë se populli i Evropës Juglindore – le ta përdorim këtë emër ër të ardhmen e jo ‘Ballkani’ që ka gjithë ato konotacione negative nga e kaluara – ka një aspiratë të përbashkët për të ardhmen. I pyetni të rinjët e Beogradit, të Shkupit, të Prishtinës apo të Podgoricës dhe ju do të dëgjoni të njejtën përgjigje: Evropë. Popujt tanë duan të udhëtojnë lirshëm, të punojnë me zotësitë e tyre më të mira, dhe të gëzojnë liritë dhe mundësitë që i gëzojnë ata që tashmë janë pjesë e Unionit Evropian. Ne mëtojmë të jemi pjesë e vlerave demokratike dhe normave ligjore që mishëron Unioni Evropian, dhe jemi të përkushtuar që të bëjmë punë praktike për t’i inkorporuar ato në ligjet dhe institucionet tona. Ne e dimë se ky është një udhëtim i gjatë dhe i vështirë që kërkon punë të madhe, por ne jemi të përkushtuar të shkojmë kësaj rruge: sepse nuk ka tjetër. Këtë ambicje e kanë të gjithë fqinjët tanë. U them të gjithë fqinjëve: le të jemi bashkë në këtë udhëtim dhe t’i bashkëojmë aftësitë dhe resurset tona në mënyrë që tu ndihmojmë vendeve tona, të shkojmë bashkë përpara në këtë rrugë. Në ndërkohë, ne kemi dëshirën e përbashkët të bashkëpunojmë me NATO-n dhe në fund të bëhemi anëtare e NATO-s në mënyrë që siguria jonë të garantohet brenda këtij institucioni. Kjo është shansa për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit tonë përgjithësisht. Kjo shansë mund të realizohet në qoftëse procesi për përcaktim të stausit final rezulton me shtetin e pavarur të Kosovës. Ky vendim, që është në dorën tuaj në Këshillin e Sigurimit, është mënyra e vetme për ta mbyllur derën e të kaluarës dhe është kushti i domosdoshëm për të hapur derën e një të ardhmeje të re, paqësore dhe prosperuese për Evropën Juglindore. PërfundimNë emër të popullit të Kosovës, dua t’ju shprehë mirënjohjen time ju në Këshillin e Sigurimit, Kombeve të Bashkuara, për punën tuaj në ndihmë vendit tim. Ne jemi posaçërisht mirënjohës për punën që ka bërë Përfaqësuesi Special Soren Jessen Petersen, i cili, për keqardhjen tonë, është larguar nga Kosova para pak kohe. Me UNMIK-un ai u ka dhënë kontribut të madh institucioneve dhe politikës sonë. Ne kemi mësuar shumë prej tij, dhe ne do të vazhdojmë të kemi nevojën për ndihmën e OKB-se dhe institucioneve tjera ndërkombëtare në kohën që po zhvillohemi. Ne kemi ende punë në Qeverinë e Kosovës për t’i ndërtuar institucionet tona në mënyrë që ato të ofrojnë siguri, të sigurojnë lëvizje të lirë dhe shanse ekonomike për të gjithë qytetarët tanë, prej të gjitha komuniteteve. Kjo punë, që mishërohet në procesin e standardeve, do të mbetet prioriteti më i lartë i mundshëm.Në Kosovë historia jonë është e dhimbshme, e përgjakshme dhe e kohëve të fundit. Ne nuk mund ta harrojmë këtë histori, por nuk do të mposhtemi prej saj. Vizionin tonë për një shoqëri të pavarur dhe multientike, në paqe me vehten dhe me fqinjët e saj, e kanë të përbashkët Qeveria dhe populli ynë. Ju lutem të na ndihmoni ta realizojmë këtë. Ju faleminderit.

This site is registered on wpml.org as a development site.