presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS FATMIR SEJDIU NË TAKIMIN E VJENËS, 24 KORRIK 2006

E kemi theksuar dhe e themi prapë se për popullin tonë nuk ka proces më të rëndësishëm se procesi që ka për qëllim përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Përkushtimi ynë i përhershëm ka qenë dhe mbetet që ky proces të jetë i hapur, transparent dhe paqësor. Siç e dini, ne jemi duke punuar ngushtë me Ju dhe ekipin Tuaj për ta realizuar këtë qëllim. Gjatë gjithë raundeve të bisedimeve të deritashme në Vjenë kemi ofruar dokumente të hollësishme për pozicionin e Kosovës rreth një varg çështjesh teknike: reformimin e pushtetit lokal apo decentralizimin, trashëgiminë kulturore e religjioze, çështjet ekonomike, etj.

Ekipet që kanë përfaqësuar Kosovën në raundet e deritashme të bisedimeve kanë qenë të mandatuara plotësisht nga Ekipi i Unitetit (Delegacioni i Kosovës për status) që të hulumtojnë dhe gjejnë zgjidhjet më të mira për këto çështje dhe, si të tilla, kanë shprehur plotësisht qëndrimet e Ekipit të Unitetit.   E theksojmë fuqishëm se ne jemi të vendosur të gjejmë zgjidhjet më të mira për secilën çështje që lidhet me pakon përcjellëse të pavarësimit të vendit tonë. Por, unë dua të theksoj para jush se ne në Kosovë dhe në rajon presim që procesi të përfundojë para fundit të këtij viti me pavarësimin e vendit tonë.  Kosova, pas luftës, ka kaluar nëpër shtatë vite të paqartësisë së statusit. Kjo paqartësi ka penguar zhvillimin ekonomik dhe ka ushqyer tensionet politike. Zvarritja e mëtejme e rrumbullaksimit të statusit të Kosovës nuk është në interes të askujt në Kosovë, të askujt në rajon, dhe besojmë fuqimisht se kjo paqartësi dhe zvarritje është poashtu në dëm të paqes dhe të stabilitetit të përgjithshëm në Evropën Juglindore. Prandaj, procesi që tashmë njihet si proces i Vjenës duhet t’i kontribuojë përcaktimit të statusit të Kosovës shpejt dhe përfundimisht.  Është vullnet i pathyeshëm i shumicës dërmuese të popullit të Kosovës që Kosova të bëhet shtet i pavarur dhe sovran. Ky është vullneti i shumicës së popullit të Kosovës qe një kohë të gjatë; madje shumë kohë para represionit dhe gjenocidit të viteve të Millosheviqit. Krahas përkujtimit të vazhdueshëm, këto ditë na janë përkujtuar sërish krimet e regjimit serb gjatë viteve 90, me fillimin e gjykimit në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë të gjashtë ministrave dhe gjeneralëve të Millosheviqit, duke përfshirë ish-Presidentin e Serbisë, për krime që përfshijnë deportimin e dhunshëm të mbi 800,000 shqiptarëve të Kosovës – të gati gjysmës së popullsisë së vendit tonë — dhe të masakrës së mbi 100 burrave dhe djemve gjatë një nate në një fshat në Kosovës Jugore, në Krushë të Vogël. Këto janë vetëm disa nga krimet e tmerrshme të kryera me paramendim ndaj një populli të tërë me dekada nga regjimet serbe. Një jetë e tërë njeriu nuk mjafton të shërohen plagët që një popull i tërë ka marrë nga krime të tilla, lëre më pak vite. Fotografitë e të zhdukurve nga lufta ende qëndrojnë varur në rrethojën e ndërtesave qeveritare në Prishtinë. Familjet tona mbajnë zi për çdo ditë, mirëpo përkundër gjithë kësaj dhimbjeje, ne e dimë se kjo është e kaluara, ndërsa ne duhet të shikojme kah e ardhmja. Nuk mund ta harrojmë të kaluarën, por jemi të përcaktuar që të shkojmë kah e ardhmja.  Përkundër kësaj historie, dëshira mbizotëruese e popullit të Kosovës është të ndërtohet një shoqëri multietnike me të drejta të barabarta për të gjitha komunitetet. Kjo ambicje formëson qëndrimet tona në procesin për përcaktim të statusit final dhe në punën e institucioneve të pushtetit në Kosovë. Dëshira për të zhvilluar institucionet tona demokratike, për të hartuar ligje dhe për të vendosur norma që ndërtojnë, mbrojnë dhe mbajnë një shoqëri multientike është në qendër të punës së institucioneve të Kosovës për të bërë përparime në ato që quhen Standarde për Kosovën. Institucionet dhe populli i Kosovës janë fuqimisht të përcaktuar që në Kosovë të instalohet shteti i së drejtës me një korpus ligjor të avancuar për mbrojtjen e pakicave dhe përfaqësimin e tyre në institucionet e Kosovës. Pokështu, qeverisja efektive, një ekonomi e qëndrueshme tregu dhe funksionale janë qëllime dhe prioritete të Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës sot dhe nesër.  I nderuari President Ahtisari, Të gjitha qëndrimet e paraqitura deri tash mbështeten në këmbënguljen tonë për të ndërtuar një Kosovë të pavarur, sovrane dhe demokratike për të gjithë qytetarët e saj. Kjo këmbëngulje buron nga vullneti i përgjithshëm politik i popullit të Kosovës, nga e drejta e tij e natyrshme për vetëvendosje. Ky vullnet është verifikuar sa e sa herë përmes instrumenteve demokratike siç është Referendumi i vitit 1991, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të viteve 1992 dhe 1998, Lufta Çlirimtare për liri dhe pavarësi, por edhe e gjithë praktika demokratike e ndërtimit të institucioneve të Kosovës të dala nga vota e lirë e qytetarëve pas luftës dhe të vlerësuara në shkallën më të lartë nga faktori ndërkombëtar.  Prandaj, pavarësia është alfa dhe omega, fillimi dhembarimi i qëndrimit tonë.  Në një shoqëri multientike, qeveria duhet t’i përfaqësojë drejt e ndershmërisht të gjitha komunitetet. Në Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës janë rezervuar ulëse për komunitetet joshqiptare të Kosovës. Pakicat e tjera, me përjashtim të serbëve kanë zënë vendet e tyre në Kuvend dhe në Qeveri. E themi me keqardhje të thellë se një pjesë e përfaqësuesve serbë ende nuk i kanë zënë vendet e veta dhe refuzojnë të marrin pjesë në detyrën tonë të përbashkët të qeverisjes. E di nga bisedat që kam me këta përfaqësues se kjo shpeshëherë nuk është zgjedhja e tyre, por rezultat i presioneve nga Beogradi, i cili dëshiron ta delegjitimojë Qeverinë e Kosovës. Siç bëri Përfaqësuesi Special i OKB-së në raportin e tij të fundit para Këshillit të Sigurimit, i bëj thirrje Beogradit t’i japë fund këtij bojkoti dhe tu mundësojë serbëve të Kosovës të zënë vendet që u takojnë në Qeverinë tonë. Ata janë të mirëseardhur aty dhe do të jenë të mirëseardhur gjithherë. Dhe ndonëse mungesa e tyre aktualisht pengon punën tonë për të ndërtuar  nstitucione të përbashkëta, ajo nuk e ndal këtë punë.Kemi përgatitur plane gjithëpërfshirëse dhe të hollësishme për komuna të reja dhe qeverisje lokale në Kosovë. Siç ka vendosur tashmë Grupi i Kontaktit, nuk mund të krijohen entitete të ndara etnike në Kosovë. Ne jemi të përkushtuar që të zhvillojmë një proces përmbajtësor të reformimit të pushtetit lokal, por në të njëjtën kohë jemi të vendosur që të ruajmë karakterin unitar të Kosovës dhe integritein territorial të saj; e gjithë kjo në pajtim të plotë dhe në frymën e parimeve udhëheqëse të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit. Kosova, sikur edhe tani, do të ketë një qeveri për të gjithë qytetarët e saj, ndërkohë që vendimmarrja për shumë çështje që kanë të bëjnë me komunat do të bartet në nivelin lokal përmes kësaj reforme të kujdesshme që po bëjmë.  I kemi diskutuar këto plane në hollësi me UNOSEK-un dhe Serbinë dhe këto biseda po vazhdojnë. Mbesim me shpresë se do të japin rezultatet e tyre.  Ka një përparim në bisedat për mënyrën se si mund ta mbrojmë më së miri trashëgiminë kulturore të komuniteteve të Kosovës duke përfshirë kishat, manastiret dhe vendet e tjera me rëndësi religjioze dhe kulturore. Nga ana e Kosovës, përkushtimi ynë është i qartë si kristali: ne do ta mbrojmë dhe ruajmë gjithë trashëgiminë kulturore të Kosovës, duke i kushtuar pokështu vëmendje të veçantë trashëgimisë së komuniteteve joshqiptare, d.m.th. minoritare, të Kosovës. Kjo është trashëgimi e përbashkët e gjithë popullit të Kosovës, dhe prandaj është detyra jonë ndaj gjithë qytetarëve tanë ta mbrojmë dhe ruajmë këtë trashëgimi. Në veçanti do të ruhen të drejtat e kishës ortodokse serbe, të përfaqësuesve dhe pjesëtarëve të saj, ndërsa manastiret dhe kishat do të mbrohen në përputhje me normat relevante ndërkombëtare, duke përfshirë Deklaratën Universale dhe shumë instrumenta të tjerë të OKB-së dhe Këshillit të Evropës.  Sa u përket çështjeve ekonomike, Kosova ka prezentuar një qëndrim të qartë, i cili konsiston në gatishmërinë tonë për të marrë të gjitha obligimet e arsyeshme që dalin për të në një proces normal suksesioni, si dhe për mbrojtje të plotë të të drejtave pronësore të të gjithë qytetarëve tanë.  Zonja dhe zotërinj, Janë dy realitete të pakontestueshme të Kosovës së sotme që duhet të njihen. Së pari, që nga tmerri dhe vuajtjet e mëdha që ka përjetuar populli i Kosovës sidomos që nga viti 1989 dhe përfundimisht më 1999, Kosova është qeverisur ndaras nga Serbia. Ora e historisë nuk mund të kthehet mbrapa. Realiteti i dytë – po aq i pakontestueshëm – është dëshira e qartë dhe mbizotëruese e shumicës dërmuese të popullit të Kosovës që Kosova më në fund të njihet si shtet i pavarur dhe sovran. Ky vullnet nuk mund të injorohet apo të zhbëhet me biseda. Ka vetëm një rrugë drejt stabilitetit që e synojmë të gjithë: një vendim të qartë dhe të vendosur për ta bërë Kosovën më në fund shtet të pavarur.  Dua t’ju siguroj edhe njëherë se shteti i Kosovës do të ofrojë gamën më të gjerë të mundshme të mbrojtjes, si kushtetuese ashtu edhe praktike, për të siguruar sundim të ligjit dhe mbrojtje të të drejtave të të gjitha komuniteteve pakicë: serbëve, turqve, romëve, ashkalive, boshnjakëve. Kosova do të jetë një shtet në paqe me veten dhe me fqinjët e parë dhe me rajonin në përgjithësi.  Ne nuk kemi pretendime apo lakmi për territore të të tjerëve, por as nuk do të tolerojmë pretendimet ndaj territorit tonë. Ne pranojmë plotësisht kushtet që ka vënë Grupi i Kontaktit për procesin për statusin përfundimtar, se mu ashtu sikurse nuk mund të ketë ndarje të Kosovës, nuk mund të ketë ndryshim në kufijtë dhe territorin ekzistues. Në të vërtetë, sapo të njihemi shtet i pavarur, duam që të mbërrijmë marrëveshje të shpejta për t’i hapur kufijtë tanë – dhe tregtinë tonë – me fqinjët tanë, duke përfshirë në këtë kuadër edhe me Serbinë. Ne duam të bashkëpunojmë plotësisht dhe hapur në të gjitha fushat me fqinjët tanë dhe me rajonin, dukë përfshirë edhe përmes mekanizmave ekzistues të Paktit të Stabilitetit dhe procesit të bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Bashkëpunimi i plotë rajonal bëhet i mundshëm vetëm kur të jetë zgjidhur çështja e Kosovës, çështja e vetme ende e pazgjidhur në Evropën Juglindore.  Pa marrë parasysh divergjencat që kemi sot, është e qartë se populli i Evropës Juglindore – le ta përdorim këtë emër për të ardhmen e jo ‘Ballkani’, që ka gjithë ato konotacione negative nga e kaluara – ka një aspiratë të përbashkët për të ardhmen. I pyetni të rinjët e Beogradit, të Shkupit, të Prishtinës apo të Podgoricës dhe Tiranës, dhe ju, besoj, do të dëgjoni të njëjtën përgjigje: Evropë.  Popujt tanë duan të udhëtojnë lirshëm, të punojnë me zotësitë e tyre më të mira, dhe të gëzojnë liritë dhe mundësitë që i gëzojnë ata që tashmë janë pjesë e Unionit Evropian. Ne mëtojmë të jemi pjesë e vlerave demokratike dhe normave ligjore që mishëron Unioni Evropian, dhe jemi të përkushtuar që të bëjmë punë praktike për t’i inkorporuar ato në ligjet dhe institucionet tona. Ne e dimë se ky është një udhëtim i gjatë dhe i vështirë që kërkon punë të madhe, por ne jemi të përkushtuar të shkojmë kësaj rruge: sepse nuk ka tjetër. Këtë ambicje duhet ta kenë të gjithë fqinjët tanë. U them të gjithë fqinjëve, pra edhe Serbisë: le të shkojmë përpara rrugës së integrimeve euro-atlantike. Ky është shansi për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit tonë përgjithësisht. Ky shans mund të realizohet vetëm me shtetin e pavarur të Kosovës.  Z. President,Zonja dhe zotërinj, Duke çmuar lartë përkushtimin dhe punën tuaj për të vendosur paqen dhe stabilitetin e përhershëm në Kosovë, ju sigurojmë se pavarësimi i Kosovës dhe bërja e saj shtet modern e demokratik do të thotë në të njëjtën kohë paqe dhe stabilitet afatgjatë në të gjithë rajonin. Bashkëpunimi më fqinjët e parë dhe vendet e rajonit janë prioritete të institucioneve dhe popullit të Kosovës. Bashkëpunimi në shkallë rajoni nëfusha të ndryshme të interesit të përbashkët në Kosovë shihet si pjesë e një procesi të gjithanshëm të integrimit të vendit tonë në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që janë ndër objektivat kryesorë të Kosovës.  Ju bëj me dije se kushtetuta e shtetit të Kosovës, parimet e së cilës janë hartuar, do të reflektojë përvojat më pozitive dhe vlerat universale të aplikuara në demokracitë perëndimore.  Kosova edhe pas pavarësimit të plotë të saj mirëpret një prani të lehtë civile ndërkombëtare. Për më tepër institucionet tona janë duke punuar në konceptimin e kësaj pranie e cila në Kosovë shihet si një ndihmesë e rëndësishme në kuadër të përgatitjes së vendit tonë për integrim në BE. Poashtu, ne mirëpresim vazhdimin e pranisë së NATO-s në Kosovë dhe deklarojmë përkushtimin tonë të fuqishëm për një bashkëpunim të ngushtë me strukturat e tjera evropiane e botërore në sektorin e sigurisë.  I nderuari President Ahtisari,Të nderuar zonja dhe zotërinj, Populli dhe institucionet e Kosovës janë të palëkundur në vizionin për një Kosovë evropiane në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Kosovë historia jonë është e dhimbshme, e përgjakshme. Ne nuk mund ta harrojmë këtë histori, por poashtu jemi të vendosur që të mos mposhtemi prej saj. Vizioni ynë për një shtet të pavarur dhe shoqëri multientike, është vizion i përbashkët i institucioneve demokratik  të Kosovës dhe i popullit tonë.  Ju falemnderit!

This site is registered on wpml.org as a development site.