DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT FATMIR SEJDIU NË PRITJEN E ORGANIZUAR PËR 12 QERSHORIN, DITËN E LIRISË

Të nderuar përfaqësues të jetës institucionale të Kosovës,
Të nderuar pjesëmarrës nga jeta shoqërore,
Të nderuar përfaqësues të zyrave diplomatike,
Të nderuar përfaqësues të UNMIK-ut, KFOR-it e organizmash të tjerë ndërkombëtarë në Kosovë

Jemi mbledhur sonte për të festuar Ditën e Lirisë. Sot u mbushën tetë vjet nga dita kur më 12 qershor 1999 Kosova doli e lirë, pas një lufte të gjatë për liri e pavarësi të vendit tonë, e cila kulmet e veta i arriti në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Lirinë e kemi tash e tetë vjet, pavarësinë de fakto poashtu, siç do të thoshte lideri ynë historik, Presidenti Ibrahim Rugova.Tashti, sivjet, pavarësinë do ta kemi edhe de jure.Lirinë që e kemi sot e kemi fituar me përpjekje dekadash, që kanë shkuar shumë rrugësh: me sistem arsimimi e kulture, me luftë politike e luftë me armë. I gjithë populli ynë ka ndërtuar lirinë për çdo ditë e javë, për çdo muaj e vit të periudhës moderne të historisë sonë.Mirëpo, më shumë se të tjerët, për lirinë që e kemi sot, dhanë luftëtarët e lirisë e të pavarësisë, që punuan me ideal për ta parë ditën e sotme. Një pjesë e këtyre burrave e grave nuk pati jetë për ta parë misionin e përmbushur.U falemi përjetë këtyre luftëtarëve! U falemi përjetë atyre që ranë në altarin e lirisë, duke bërë flijimin më sublim! U falemi nga zemra sot, në Ditën e Lirisë sonë, edhe miqve tanë, që, si pjesë e aleancës më të madhe politike dhe ushtarake në histori, NATO-s, na dolën në ndihmë për të hequr makinerinë e robërisë ushtarake e pushtetore të Serbisë në pranverën e vitit 1999, na shpëtuan nga politikat gjenocidale që rrezikonin vetë ekzistencën e popullit tonë. Pjesëtarët e KFOR-it janë të dashur për këdo në Kosovë, sepse ata simbolizojnë uniformën e paqes e të lirisë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie etnike.Zonja dhe zotërinj të nderuar,Në këtë qershor historik për Kosovën, kur Presidenti George W. Bush, kryetari i shtetit që ka prirë në aksionin e NATO-s për Kosovën, dha fjalën se e kanë prerë mendjen për pavarësinë e paevitueshme të vendit tonë, ne kosovarët, shqiptarë shumicë dhe të gjitha pakicat, mbesim të përkushtuar ta kultivojmë lirinë që u shërben të gjithëve. Fryma e lirisë ndër ne krijon rrethanat për zhvillim social e ekonomik, për prosperitet të të gjithëve, për integrim në familjen e madhe të kombeve të lira.Në Ditën tonë të Lirisë, riafirmojmë përkushtimin tonë që, si shtet i pavarur e demokratik, Kosova të hyjë në proceset integruese në strukturat euro-atlantike, me të cilat na lidh respekti për vlerat fundamentale të lirisë e të dinjitetit njerëzor. Prandaj: Gëzuar Dita e Lirisë! Le ta pijmë nga një gotë për këtë ditë të shenjtë! 

This site is registered on wpml.org as a development site.