Prishtinë, 12 qershor 2007 – Të dashur qytetarë të Kosovës,
Sot mbushen tetë vjet nga dita kur më 12 qershor 1999 Kosova doli e lirë, pas një lufte të gjatë për liri e pavarësi të vendit tonë. Lirinë e kemi tash e tetë vjet, pavarësinë de fakto poashtu, siç do të thoshte lideri ynë historik, Presidenti Ibrahim Rugova. Tashti, sivjet, do ta kemi edhe de jure.Lirinë e kemi marrë me përpjekje dekadash, që kanë shkuar shumë rrugësh: me arsim, me kulturë, me luftë politike e luftë me armë. I gjithë populli ynë ka ndërtuar lirinë që e kemi sot.Mirëpo, më shumë se të tjerët, për lirinë që e kemi sot, dhanë luftëtarët e lirisë e të pavarësisë, që punuan me ideal për ta parë ditën e sotme. Një pjesë e këtyre burrave e grave nuk pati jetë për ta parë misionin e përmbushur. U falemi përjetë këtyre luftëtarëve! U falemi përjetë atyre që ranë në altarin e lirisë, duke bërë flijimin e madhërishëm. U falemi nga zemra sot, në Ditën e Lirisë sonë, edhe miqve tanë, që, si pjesë e aleancës më të madhe politike dhe ushtarake në histori, NATO-s, na dolën në ndihmë për të hequr makinerinë e robërisë ushtarake e pushtetore të Serbisë në pranverën e vitit 1999.Të dashur qytetarë të Kosovës,Në këtë qershor historik për Kosovën, kur Presidenti Xhorxh Bush, kryetari i shtetit që ka prirë në aksionin e NATO-s për Kosovën, dha fjalën se e kanë prerë mendjen për pavarësinë e paevitueshme të vendit tonë, ne kosovarët, shqiptarë shumicë dhe pakicat, mbesim të përkushtuar ta kultivojmë lirinë që u shërben të gjithëve.Në këtë Ditë të Lirisë, riafirmojmë përkushtimin tonë që, si shtet i pavarur, të hyjmë në procesin integruese në strukturat euro-atlantike, me të cilat na lidh repekti për vlerat fundamentale të lirisë e të dinjitetit njerëzor. Gëzuar Dita e Lirisë!