DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT FATMIR SEJDIU NË MANIFESTIMIN “DITËT E SHQIPËS

Duke nderuar dëshmorët, siç po bëjmë ne sot e këto ditë, nderojmë veten dhe idealin e tyre e tonin për liri e pavarësi të Kosovës, për jetë të dinjitetshme të të gjithëve.

Betejat e Koshares para shtatë vjetësh shënuan kulmin organizativ të luftës çlirimtare në vendin tonë. Në tokë luftonte Ushtria Çlimtare e Kosovës (UÇK), luftonin shqiptarët që bashkonte kauza e lirisë; ndërsa në ajër Aleanca Veriatlantike (NATO) në përballje me forcat okupuese serbe që dirigjonte makineria e Millosheviqit, e cila kishte hyrë në finalen e spastrimit etnik të Kosovës nga shqiptarët.Në fund, triumfoi vendosmëria e shqiptarëve dhe përcaktimi civilizues i aleatit tonë, i NATO-s, që mbrojti vlerën e jetës njerëzore karshi frymës së vdekjes. Secila betejë e Kosovës ka lënë dëshmorët me emër kumbues për gjithë kombin, dhe janë bërë pjesë a absolutit të tij. Ka lënë shumtë të tjerë që kumbojnë në pjesë të ndryshme të vendit, por edhe trimat e panjohur, luftëtarët e pakënduar, që janë më të shumtit në numër: ata që flijuan jetën e tyre për liri, bënë këngën e vet. Kënga e tyre ishte liria e aspiruar prej tyre e prej nesh, që është bërë jeta jonë dhe amshimi i tyre.Dëshmorët me emër të Koshares, Agim Ramadani e Sali Çeku, u shquan për shumëçka: për karakterin e tyre të qëndrueshëm, për guximin e trimërinë. Që të dytë me formim intelektual, i pari me shpirt e realizim artistik, i dyti institucionalist me urtësinë e juristit e me guximin e militantit. Presidenti Ibrahim Rugova, kryetari historik i Kosovës, i ka nderuar të dytë me urdhërin më të lartë në vendit tonë, “Hero i Kosovës”.  Agim Ramadani e Sali Çeku mbeten njerëz të mëdhenj të luftës, sepse ata ishin strategë të mirë. Vetëm strategët e mirë bëhen heronj. Strategjia e tyre qëndronte në organizimin dhe në udhëheqjen e betejave, që shënuan përballje të fuqishme me forcat armike, humbje të këtyre forcave. Ranë shumë dëshmorë të Kosovës në fushën e nderit në këto luftime. Fushën e turpit e mbuluan eshtrat e ushtarëve dhe të paraushtarëve serbë, si dhe trupat e mercenarëve të tyre. Ranë shumë dëshmorë tanë në fushën e nderit në fillimprillin e vitit 1999, ranë pa e pasë parë e ndjerë lirinë e Kosovës që do të vinte hap-e-krah dy muaj më pas, në qershorin e vitit 1999. Ky qershor do të ndajë përgjithmonë historinë e Kosovës në dy kohë. Në mbarim të mileniumit të dytë Kosova po dilte prej errësirës qindravjeçare të pushtimit otoman e serb dhe po hynte në eternitetin e lirisë.Liria dhe pavarësia e Kosovës do t’u sjellë paqen e përhershme të gjithë pjesëtarëve të kombit: atyre që kanë shkuar në përjetësi dhe prehen në dheun e Kosovës, por edhe vdektarëve, bashëkohanikëve e pasardhësve të tyre. Emrat e dëshmorët tanë të shumtë janë tani në librat, në shkollat, në rrugët dhe në sheshet e Kosovës, anekënd vendit tonë. Por, mbi të gjitha janë në kujtesën tonë, në kujtesën e kombit, trimat e kënduar e të pakënduar të kombit.Përkujtimet që u bëjmë dëshmorëve sjellin në mendjet tona jetët e flijuara për misionin e shenjtë, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për lirinë e gjithë qytetarëve të saj. Institucionet demokratike të vendit duhet ta shpiejnë Kosovën drejt integrimeve euro-atlantike. Kështu përmbyllin misionin e madh, duke siguruar që vendi ynë të gjendet në familjen e madhe të kombeve të lira, në gjirin e vet të natyrshëm perëndimor. Këtë po e bëjnë.Besojmë se në përkujtimet e vitit të ardhshëm dëshmorët do t’i përkujtojmë në Kosovën e njohur ndërkombëtarsiht si shtet i pavarur. Lirinë e njohur në këto shtatë vite do ta kemi kurorëzuar me pavarësinë e njohur, me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, siç shprehej presidenti ynë i dashur, Ibrahim Rugova. Kjo është puna jonë tani.Shpresojmë se për realizim të ëndrrave tona për jetë të dinjitetshme e të barabartë me kombet e tjera të mos ketë më nevojë për sakrificën më sublime, por për dijen, punën e guximin për ta çuar në vend amanetin e dëshmorëve.I falemi lavdisë së dëshmorëve të Koshares!I falemi lavdisë së dëshmorëve të gjithë Kosovës!

This site is registered on wpml.org as a development site.