Faleminderit Ambasador,
Kam kënaqësinë që të jem këtu në këtë event të mrekullueshëm.
Të nderuar ministra,
Ish-Presidentë,
Deputetë, përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
Shkëlqesi, Ambasadorë,
Të nderuar mysafirë,
Kam kënaqësinë që të jem këtu, në këtë pritje të veçantë për të festuar ditëlindjen zyrtare të Madhërisë së Tij Mbretit Charles III. Ky kremtim i organizuar nga Ambasada Britanike këtu në Prishtinë, nuk është vetëm një dëshmi e miqësisë së rrënjosur thellë mes dy vendeve tona, por shërben edhe si deklaratë e përkushtimit tonë ndaj vlerave të përbashkëta dhe përkushtimit tonë për paqe dhe unitet evropian.
Në emër të popullit të Kosovës, dua të shfrytëzoj rastin për të falënderuar nga zemra miqtë dhe partnerët tanë nga Mbretëria e Bashkuar për mbështetjen dhe miqësinë e tyre të palëkundur. Si një person që ka shërbyer për një kohë të gjatë në institucione, ndoshta nëpër disa prej momenteve më vendimtare të historisë sonë – nga pavarësia deri te njohjet – dhe shumë më tepër se kaq, e di drejtpërsëdrejti kontributin e pamatshëm që ky komb i madh ka dhënë në të kaluarën tonë, por edhe rolin që do të vazhdojë të luajë gjersa ne drejtojmë sfidat të së tashmes dhe të ardhmes. Andaj, sot, shpresoj se ky takim jo vetëm që do të shërbejë si përkujtim i ditëlindjes zyrtare të Madhërisë së Tij, por gjithashtu do të shërbejë për të theksuar lidhjet e qëndrueshme midis vendeve tona dhe për të festuar 15 vjet të marrëdhënieve diplomatike, të ndërtuara mbi një themel të fortë historik dhe të ushqyer nga vlerat dhe aspiratat e përbashkëta.
Por, të dashur miq, z. Ambasador realiteti është se lidhja ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar shkon përtej vlerave të përbashkëta. Ka pak vende në botë ku ka admirim më të madh për Union Jack dhe për atë se çfarë Mbretëria e Bashkuar përfaqëson në botë. Për popullin e Kosovës, ai flamur nënkuptonte siguri pasi trupat britanike ishin të parat që arritën në Prishtinë. Për popullin e Kosovës, Mbreti Charles III përfaqëson dikë që na qëndroi pranë në kohët më sfiduese dhe mbështeti disa nga njerëzit që mbajnë plagët më të thella të luftës në shoqërinë tonë. Ai e vazhdon këtë angazhim edhe sot, siç u konfirmua kur bisedova me të në fillim të këtij viti.
Miqësia në mes të kombeve tona nuk është thjesht një miqësi, është një partneritet i veçantë i krijuar në momente fatkeqësie dhe në momente triumfi. Është një partneritet i krijuar përmes respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe një angazhimi të përbashkët për një të ardhme më të mirë për TËRË Evropën.
Qoftë në fushën e politikës, tregtisë, kulturës, drejtësisë tranzicionale apo arsimit, Mbretëria e Bashkuar ka qenë një mbështetëse e palëkundur e aspiratave të Kosovës dhe një katalizator për përparimin tonë. Dhe për këtë, ne nuk themi vetëm faleminderit, por jemi të gatshëm të kthejmë të mirat.
Gjersa reflektojmë me rastin e ditëlindjes zyrtare të Madhërisë së Tij, le të kujtojmë rolin e rëndësishëm që Familja Mbretërore ka luajtur në nxitjen e unitetit kombëtar në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe ndërsa shënojmë ditëlindjen e parë zyrtare të Mbretit, le të kujtojmë po ashtu edhe trashëgiminë e Lartmadhërisë së Saj, Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II. Në vitin që lamë pas, Mbretëria e Bashkuar humbi Mbretëreshën, dhe kjo humbje u ndje thellë nga njerëzit në mbarë botën, duke përfshirë edhe popullin e Kosovës. Mbretëresha e udhëhoqi vendin e saj, me hir dhe modesti, dhe vuri shërbimin dhe detyrën mbi të gjitha. Trashëgimia, forca dhe qëndrueshmëria e saj do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm.
Tani, nën udhëheqjen e Madhërisë së Tij Mbretit Charles, e di se marrëdhëniet midis dy vendeve tona vetëm do të vazhdojnë të forcohen. Si një kampion i palodhur i paqes, diplomacisë dhe të drejtave të njeriut, ai do të vazhdojë të jetë një partner i rëndësishëm për popullin e Kosovës.
Në këto kohë sfiduese anembanë kontinentit tonë, madje edhe më afër vendit tonë, jam e sigurt se do të mund të vazhdojmë të llogarisim në mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, por gjithashtu dua të them se ju mund të mbështeteni tek ne, mund të mbështeteni tek populli i Kosovës. Jam e bindur se duke u bashkuar, duke dëgjuar njëri-tjetrin, vlerat dhe vendosmëria jonë e përbashkët do të na mundësojnë të kapërcejmë pengesat dhe të ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për popujt tanë.
Edhe një herë, në emër të popullit të Kosovës, zoti Ambasador, i shpreh urimet më të ngrohta Madhërisë së Tij, Mbretit, në këtë ditë të veçantë. Falënderim Ambasadës Britanike për organizimin e këtij eventi dhe për mbështetjen tuaj të palëkundur. Dhe për të gjithë mysafirët tanë, le të vazhdojmë të forcojmë lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit që bashkojnë kombet tona.
Faleminderit!