Po e përmbyllim një kapitull të historisë më të re të Kosovës, për të hapur vizionin e shtetit të bërë dhe demokratik. Po hapim një faqe të re të historisë sonë – të synimit të qytetarëve të Kosovës që si popull i lirë, i dinjitetshëm dhe i barabartë të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane.
I nderuar z.Reeker, zëvendës ndihmëssekretar i Shtetit i SHBA,I nderuar President Ahtisaari,I nderuar Kryeministër Thaçi,Te nderuar miq të Kosovës, ambasador Wisner dhe ambasador Ishinger,Të nderuar pjesëmarrës,Po e përmbyllim një kapitull të historisë më të re të Kosovës, për të hapur vizionin e shtetit të bërë dhe demokratik. Po hapim një faqe të re të historisë sonë – të synimit të qytetarëve të Kosovës që si popull i lirë, i dinjitetshëm dhe i barabartë të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane.Po e realizojmë një ëndërr të kamotshme për liri, pavarësi e demokraci, për të cilën punuan dhe sakrifikuan gjenerata të tëra gjatë gjithë historisë sonë. E ndërtuar si vullnet i popullit me përkrahjen e pakursyer ndërkombëtare, Kosova e ka kaluar një rrugë jo pa vështirësi. Dallimet tona i kemi shndërruar në përparësi dhe pa e harruar të kaluarën tonë të dhimbshme po e ndërtojmë të tashmen për t’i hapur rrugë të ardhmes. Shteti ynë ka rrënjë të thella në vlerat evropiane. Shtetndërtimi ynë është bazuar mbi parimet e larta të demokracisë, në respektim të lirive dhe të drejtave dhe në barazinë e të gjithë njerëzve që jetojnë këtu. E ardhmja e Kosovës është e sigurt – si pjesë e pandashme dhe e barabartë e Evropës, me unitetin e vizionit politik që siguron paqe dhe përparim, një të ardhme të qëndrueshme, të integrimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve dhe popujve të rajonit. Rruga jonë është rrugë e integrimit dhe ajo është e ndërtuar së bashku me BE-në, që i ka ofruar Kosovës mundësi të reja dhe përafrim me të. Perspektiva e hapur evropiane për vendin do të ndihmojë në thellimin e të gjitha reformave dhe në ndërtimin e një mirëbesimi të ndërsjellë për përshpejtimin e proceseve demokratike të Kosovës. Rruga e qartë evropiane për të gjithë rajonin, të gjitha shtetet sovrane të tij, do të krijojë stabilitet të plotë në këtë pjesë të Evropës dhe do të ndihmojë në ndërtimin e urave të miqësisë mes të popujve. BE-ja duhet të flasë me një zë për rajonin dhe në veçanti për Kosovën, sepse kjo do të ndihmonte në përafrimin e dallimeve mes vendeve. Pavarësia e Kosovës, shtetit më të ri në hartën e Evropës, është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti, vendi ynë është promovues i fqinjësisë së mirë mes vendeve të Evropës Juglindore dhe një shtytës i fuqishëm i reformave demokratike në rajon. Shteti demokratik i Kosovës po ndërtohet mbi parimet e fuqishme të rendit dhe të sundimit të ligjit me përpjekjet dhe synimin që luftën kundër dukurive negative, përfshirë korrupsionin dhe krimin e organizuar, ta fitojë. Rendi dhe ligji janë parimet mbi të cilat është ndërtuar demokracia jonë e brendshme, duke qenë bazë e zhvillimit tonë të përgjithshëm, do të jenë fuqi e shtetit tonë dhe do të shtrihen në çdo cep të Kosovës. Kosova është një dhe e pandashme! Kosova është vend i mundësive të barabarta për të gjithë. Kosova është atdhe i të gjithëve, një vend me institucione të një shteti modern, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Ne qytetarët e Kosovës jemi të barabartë kudo, në cilëndo pjesë të shtetit tonë të përbashkët, pa dallim dhe pa urrejtje. Diversitetin etnik, fetar e kulturor e kemi vlerë të vendit tonë. E sotmja na e hap rrugën e së ardhmes dhe atë do ta kalojmë së bashku. E përmbyllëm fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe po i japim vulën zhvillimit tonë. Prej sot po marrim përgjegjësinë e plotë për të gjitha çështjet brenda vendit, duke qenë të gatshëm për të çuar përpara të gjitha proceset dhe për të garantuar vlerat tona të përbashkëta historike, kulturore e fetare. Parimet e brumosura në deklaratën tonë të pavarësisë dhe në Kushtetutë janë të arritshme nga të gjithë qytetarët.Po hapim mundësi të reja për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë, mundësi për investime të jashtme, duke garantuar sigurinë dhe mirëqenien e secilit. Republika e Kosovës është vend i potencialeve të mëdha, i një rinie energjike, intelektuale dhe të fortë, të cilës duhet t’i garantojmë një të ardhme prosperuese dhe vende të reja pune. Kosova ka pasuri natyrore, të cilat do t’i shfrytëzojmë me mençuri për ndërtimin e vendit dhe përparimin e tij. Synimi ynë është krijimi i një shteti të begatë dhe një tregu të lirë, ku secili të ketë mundësinë për të kontribuuar dhe ku secili ta shoh të ardhmen e vet. E ardhmja jonë është në duart tona dhe atë do ta bëjmë vetë ne.